The Daily Audio Bible
Today's audio is from the NET. Switch to the NET to read along with the audio.
39 Ndërkaq Jozefi u çua në Egjipt; dhe Potifari, oficeri i Faraonit dhe kapiten i rojeve, një egjiptas, e bleu nga Ismaelitët që e kishin sjellë atje.
2 Zoti qe me Jozefin, dhe ky pasurohej dhe banonte në shtëpinë e zotërisë së tij, egjiptasit.
3 Dhe zotëria e tij e pa që Zoti qe me të dhe që Zoti e sillte mbarë në duart e tij gjithçka bënte.
4 Kështu Jozefi fitoi hir në sytë e atij dhe hyri në shërbimin personal të Potifarit, që e emëroi kryeadministrator të shtëpisë së tij dhe i la në dorë gjithçka zotëronte.
5 Nga çasti që e bëri kryeadministrator të shtëpisë së tij dhe për gjithçka që zotëronte, Zoti e bekoi shtëpinë e egjiptasit për shkak të Jozefit; dhe bekimi i Zotit përfshiu gjithçka ai kishte në shtëpi dhe në fushë.
6 Kështu Potifari la gjithçka kishte në dorë të Jozefit dhe nuk shqetësohej më për asgjë, përveç ushqimit të vet. Dhe Jozefi ishte i bukur nga forma dhe kishte një pamje tërheqëse.
7 Mbas gjithë këtyre gjërave, gruaja e zotërisë së tij ia vuri sytë Jozefit dhe i tha: "Bjerë e fli me mua".
8 Por ai e refuzoi dhe i tha gruas së zotërisë së tij: "Ja, zotëria ime nuk shqetësohet për ato që ka lënë në shtëpi me mua dhe ka lënë në duart e mia gjithçka zotëron.
9 Nuk ka asnjë më të madh se unë në këtë shtëpi; ai nuk më ka ndaluar asgjë veç teje, sepse je gruaja e tij. Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?".
10 Me gjithë faktin që ajo i fliste Jozefit për këtë gjë çdo ditë, ai nuk pranoi të binte në shtrat me të dhe t’i jepej asaj.
11 Një ditë ndodhi që ai hyri në shtëpi për të bërë punën e tij, dhe nuk ndodhej në shtëpi asnjë prej shërbëtorëve.
12 Atëherë ajo e kapi nga rrobat dhe i tha: "Eja të shtrihesh me mua". Por ai ia la në dorë rroben e tij, iku duke vrapuar jashtë.
13 Kur ajo pa që ai ia kishte lënë në dorë rroben e tij dhe kishte ikur jashtë,
14 thirri shërbëtorët e vet dhe u tha: "Shikoni, ai na solli në shtëpi një hebre për t’u tallur me ne; ai erdhi tek unë për të rënë me mua, por unë bërtita me të madhe.
15 Me të dëgjuar që unë ngrita zërin dhe fillova të bërtas, ai la rrobën e tij pranë meje, iku dhe vrapoi jashtë".
16 Kështu ajo mbajti pranë saj rroben e tij, deri sa u kthye në shtëpi zotëria e saj.
17 Atëherë ajo i foli në këtë mënyrë: "Ai shërbëtor hebre, që ti na solle, erdhi tek unë për të më vënë në lojë.
18 Por sa ngrita zërin dhe bërtita, ai la rroben pranë meje dhe iku jashtë".
19 Kështu, kur zotëria e saj dëgjoi fjalët e gruas së vet që i fliste në këtë mënyrë duke thënë: "Shërbëtori yt më ka bërë këtë gjë!," ai u inatos.
20 Atëherë zotëria e Jozefit e mori dhe e futi në burg, në vendin ku ishin mbyllur të burgosurit e mbretit. Kështu ai mbeti në atë burg.
21 Por Zoti qe me Jozefin dhe u tregua dashamirës ndaj tij, duke bërë që t’i hynte në zemër drejtorit të burgut.
22 Kështu drejtori i burgut i besoi Jozefit tërë të burgosurit që ndodheshin në burg; dhe ai ishte përgjegjës për të gjitha që bëheshin aty brënda.
23 Drejtori i burgut nuk kontrollonte më asgjë nga ato që i ishin besuar Jozefit, sepse Zoti ishte me të, dhe Zoti e bënte të mbarë gjithçka që ai bënte.
40 Mbas këtyre gjërave, ndodhi që kupëmbajtësi dhe bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit fyen zotërinë e tyre, mbretin e Egjiptit.
2 Dhe Faraoni u zemërua me të dy oficerët e tij, kryekupëmbajtësin dhe kryebukëpjekësin,
3 dhe i futi në burg, në shtëpinë e kreut të rojeve, në po atë burg ku ishte mbyllur Jozefi.
4 Dhe kapiteni i rojeve i la nën mbikqyrjen e Jozefit, i cili i ndihmonte. Kështu ata qëndruan në burg për një farë kohe.
5 Po atë natë, kupëmbajtësi dhe bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit, që ishin të mbyllur në burg, panë që të dy një ëndërr, secili ëndrrën e tij, me një kuptim të veçantë.
6 Dhe të nesërmen në mëngjes Jozefi erdhi tek ata dhe vuri re se ishin të shqetësuar.
7 Atëherë ai pyeti oficerët e Faraonit, që ishin me të në burg, në shtëpinë e zotërisë së tij dhe u tha: "Pse keni sot një fytyrë kaq të trishtuar?".
8 Ata iu përgjegjën: "Kemi parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjëndje ta interpretojë". Atëherë Jozefi u tha atyre: "Interpretimet nuk i përkasin vallë Perëndisë? Më tregoni ëndrrat, ju lutem".
9 Kështu kryekupëmbajtësi i tregoi Jozefit ëndrrën e tij dhe i tha: "Në ëndrrën time kisha përpara një hardhi;
10 dhe në atë hardhi kishte tri degë, të cilat sa vunë lastarë, lulëzuan dhe dhanë vile rrushi të pjekur.
11 Tani unë kisha në dorë kupën e Faraonit; mora rrushin, e shtrydha në kupën e Faraonit dhe e vura kupën në dorë të Faraonit".
12 Jozefi i tha: "Ky është interpretimi i ëndrrës: tri degët janë tri ditë;
13 në krye të tri ditëve Faraoni do të të bëjë të ngresh përsëri kokën lart, do të të rivendosë në detyrën tënde dhe ti do t’i japësh në dorë kupën Faraonit, siç bëje më parë, kur ishe kupëmbajtësi i tij.
14 Por më kujto mua kur të jesh i lumtur; të lutem, trego dashamirësi ndaj meje, duke i folur për mua Faraonit, dhe më nxirr nga kjo shtëpi;
15 sepse mua më sollën fshehurazi nga vendi i hebrejve, dhe këtu s’kam bërë gjë për t’u futur në këtë burg të nëndheshëm".
16 kryebukëpjekësi, duke parë se interpretimi ishte i favorshëm, i tha Jozefit: "Edhe unë në ëndrrën time kisha tri shporta me bukë të bardhë mbi krye;
17 dhe në shportën më të lartë kishte çdo lloj gjellësh të pjekura në furrë për Faraonin; dhe zogjtë i hanin nga shporta që kisha mbi krye".
18 Atëherë Jozefi u përgjegj dhe tha: "Ky është interpretimi i ëndrrës: tri shportat janë tri ditë;
19 në krye të tri ditëve Faraoni do të të heqë kokën nga shpatullat, do të varë në një pemë, dhe zogjtë do të hanë mishrat e trupit tënd".
20 Tani ditën e tretë, ditën e përvjetorit të Faraonit, ndodhi që ai shtroi një banket për të gjithë shërbëtorët e tij; dhe bëri që të ngrinin kokën lartë si kryekupëmbajtësi dhe kryebukëpjekësi, në mes të shërbëtorëve të tij.
21 Kështu e rivendosi kryekupëmbajtësin në detyrën e tij si kupëmbajtës që t’i jepte kupën në dorë Faraonit,
22 por bëri që ta varnin kryebukëpjekësin simbas interpretimit që Jozefi u kishte dhënë.
23 Por kryekupëmbajtësi nuk u kujtua për Jozefin, por e harroi.
41 Por ndodhi që mbas dy vitesh të plota Faraoni pa një ëndërr. Ai ndodhej pranë një lumi,
2 dhe ja që ndërsa po ngjiten nga lumi shtatë lopë, të hijshme e të majme, që nisën të kullosin ndër xunkthe.
3 Pas atyre, u ngjitën nga lumi shtatë lopë të tjera të shëmtuara dhe të dobëta, dhe u ndalën pranë të parave në bregun e lumit.
4 Tani lopët e shëmtuara dhe të dobëta hëngrën lopët e hijshme dhe të majme. Pastaj Faraoni u zgjua.
5 Më pas e zuri gjumi përsëri dhe pa një ëndërr të dytë; dhe, ja, shtatë kallinj të trashë dhe të bukur që dilnin nga një kërcell i vetëm.
6 Pastaj, ja, shtatë kallinj të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas tyre.
7 Dhe kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e trashë dhe të plotë. Atëherë Faraoni u zgjua dhe, ja, ishte një ëndërr.
8 Në mëngjes shpirti i tij qe i trazuar, dhe dërgoi e thirri tërë magjistarët dhe të diturit e Egjiptit; pastaj Faraoni u tregoi ëndrrat e tij, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjendje t’ia interpretonte Faraonit.
9 Atëherë kryekupëmbajtësi i foli Faraonit duke i thënë: "Sot kujtoj gabimet e mia.
10 Faraoni ishte zemëruar me shërbëtorët e tij dhe më kishte futur në burg në shtëpinë e kreut të rojeve, mua dhe kryebukëpjekësin.
11 Po atë natë, unë dhe ai pamë një ëndërr; secili pa një ëndërr që kishte kuptimin e tij.
12 Me ne ishte edhe një hebre i ri, shërbëtor i kreut të rojeve; atij i treguam ëndrrat tona dhe ai na i interpretoi, duke i dhënë secilit interpretimin e ëndrrës së tij.
13 Dhe gjërat u zhvilluan pikërisht simbas interpretimit që na kishte dhënë ai. Faraoni më rivendosi në detyrën time dhe e vari tjetrin".
14 Atëherë Faraoni dërgoi ta thërrisnin Jozefin, që e nxorrën menjëherë nga burgu nëntokësor. Kështu ai u rrua, ndërroi rrobat dhe erdhi te Faraoni.
15 Dhe Faraoni i tha Jozefit: "Kam parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjëndje ta interpretojë; por kam dëgjuar për ty se, kur ke dëgjuar një ëndërr, je në gjendje ta interpretosh".
16 Jozefi iu përgjegj Faraonit duke i thënë: "Nuk jam unë, por Perëndia do të japë një përgjigje për të mirën e Faraonit".
46 Ndërsa ai vazhdonte t’u fliste turmave, ja nëna e tij dhe vëllezërit e tij po rrinin jashtë dhe kërkonin të flisnin me të.
47 Dhe dikush i tha: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty.”
48 Por ai duke iu përgjigjur, i tha atij që e kishte lajmëruar: “Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?.”
49 E shtriu dorën e vet drejt dishepujve të vet dhe tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
50 Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë.”
13 Tani po atë ditë, Jezusi doli nga shtëpia dhe u ul në breg të detit.
2 Turma të mëdha u mblodhën rreth tij kështu që ai hipi mbi një barkë dhe u ul; dhe gjithë populli rrinte në këmbë në breg.
3 Dhe ai u paraqiti shumë gjëra në shëmbëlltyrë, duke thënë: “Ja, një mbjellës doli për të mbjellë.
4 Ndërsa po mbillte, një pjesë e farës ra përgjatë rrugës; dhe zogjtë erdhën dhe e hëngrën.
5 Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbiu shpejt sepse terreni nuk ishte i thellë;
6 por kur doli dielli u fishk dhe u tha sepse s’kishte rrënjë.
7 Një pjesë tjetër ra midis ferrave dhe ferrat u rritën dhe ia zunë frymën.
8 Një tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryt duke dhënë njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish.
9 Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!.”
10 Atëherë dishepujt iu afruan dhe i thanë: “Pse po u flet atyre me shëmbëlltyrë?.”
11 Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Sepse juve ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë.
12 Sepse atij që ka, do t’i jepet dhe do të ketë bollëk; ndërsa atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.
13 Prandaj unë u flas atyre me shëmbëll-tyrë, sepse duke parë nuk shohin, dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë as nuk kuptojnë.
14 Kështu ndër ta përmbushet profecia e Isaias, që thotë: "Ju do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni, do të vështroni, por nuk do të shikoni.
15 Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh, dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen, dhe unë t’i shëroj.
16 Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë.
17 Sepse në të vërtetë ju them se shumë profetë dhe të drejtë deshën t’i shohin gjërat që ju po shihni dhe nuk i panë, dhe t’i dëgjojnë gjërat që ju dëgjoni dhe nuk i dëgjuan!
18 Juve pra kuptoni shëmbëlltyrën e mbjellësit.
19 Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i merr atë që ishte mbjellë në zemrën e tij. Ky është ai njeri që ka marrë fara përgjatë rrugës.
20 Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim;
21 por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë.
22 Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme.
23 Por ai që merr farën në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën, e kupton dhe jep fryt; dhe prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish dhe tjetri tridhjetëfish.
17 O Zot, dëgjo një çështje të drejtë, dëgjo me vëmendej britmën time, dëgjo lutjen time, që nuk vjen nga buzë mashtruese.
2 Ardhtë mbrojtja ime nga prania jote; sytë e tu pafshin atë që është e drejtë.
3 Ti e ke hetuar zemrën time, e ke vizituar natën; më ke vënë në provë dhe nuk ke gjetur asgjë; kam vendosur të mos mëkatoj me gojën time.
4 Përsa u përket veprave të njerëzve, për fjalën e buzëve të tua, jam ruajtur nga rrugët e njerëzve të furishëm.
5 Hapat e mia kanë qëndruar të sigurt në shtigjet e tua dhe këmbët e mia nuk janë lëkundur.
6 Unë të drejtohem ty, o Perëndi, sepse ti m’i plotëson, zgjat veshët e tu ndaj meje, dëgjo fjalët e mia.
7 Tregomë mirësinë tënde të mrekullueshme, ti, që me të djathtën tënde i shpëton nga kundërshtarët e tyre ata që gjejnë strehë pranë teje.
8 Më ruaj si beben e syrit; më mbulo, nën hijen e krahëve të tu,
9 nga të pabesët që më shtypin dhe nga armiqtë për vdekje që më rrethojnë.
10 Zemrat e tyre janë fortësuar, goja e tyre flet me arrogancë.
11 Tani në kanë rrethuar, ndjekin hapat tona; na ngulin sytë e tyre për të na rrëzuar.
12 Armiku im i përngjan një luani që digjet nga dëshira që të shqyejë, dhe të një luani të vogël që rri në pritë në vënde të fshehta.
13 Çohu, o Zot, përballoje, rrëzoje; çliro shpirtin tim nga i pabesi me shpatën tënde.
14 O Zot, më çliro me dorën tënde nga njerëzit, nga njerëzit e kësaj bote që bën pjesë në këtë jetë, dhe barkun e të cilëve ti e mbush me thesaret e tua të fshehta; bijtë e tyre ngopen dhe u lënë fëmijëve të tyre ato që mbetet nga pasuritë e tyre.
15 Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem.
33 Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve.
34 Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit.
35 Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend.