The Daily Audio Bible
Today's audio is from the CSB. Switch to the CSB to read along with the audio.
17 Atëherë Jakobi u ngrit dhe i vuri bijtë e tij dhe gratë e tij mbi devetë,
18 dhe mori me vete tërë bagëtinë e tij duke marrë me vete gjithë pasurinë që kishte vënë, bagëtinë që i përkiste dhe atë që e kishte blerë në Padam-Aram, për të vajtur tek Isaku, në vendin e Kanaanëve.
19 Ndërsa Labano kishte vajtur të qethte dhentë e tij, Rakela vodhi idhujt e të atit.
20 Dhe Jakobi u largua fshehurazi nga Labano, Arameu, pa i thënë se kishte ndërmend të ikte.
21 Kështu ai iku me gjithçka kishte; u ngrit, kaloi lumin dhe u drejtua për në malin e Galaadit.
22 Ditën e tretë i treguan Labanos se Jakobi kishte ikur.
23 Atëherë ai mori me vete vëllezërit e tij, e ndoqi shtatë ditë rrugë dhe e arriti në malin e Galaadit.
24 Por Perëndia iu shfaq në ëndërr natën Labanos, Arameut, dhe i tha: Ruhu e mos i fol Jakobit, as për të mirë e as për të keqq".
25 Labano e arriti, pra, Jakobin. Tani Jakobi e kishte ngritur çadrën e tij në mal; dhe gjithashtu Labano dhe vëllezërit e tij kishin ngritur çadrat e tyre mbi malin e Galaadit.
26 Atëherë Labano i tha Jakobit: "Ç’bëre duke më mashtruar në këtë mënyrë dhe duke i marrë bijat e mia si robëresha lufte?
27 Pse ike dhe u largove nga unë fshehurazi, pa më lajmëruar aspak? Unë do të kisha përcjellë me gëzim dhe me këngë, me lodërz dhe qeste.
28 Dhe nuk më lejove të puth bijtë dhe bijat e mia! Ti ke vepruar pa mënd.
29 Tani unë kam në dorë t’ju bëj keq, por Perëndia i atit tënd më foli natën e kaluar, duke thënë: "Ruhu, mos t’i flasësh Jakobit as për mirë apo për keq".
30 Sigurisht ike, sepse kishe një dëshirë të madhe të ktheheshe përsëri në shtëpinë e atit tënd; po pse vodhe perënditë e mia?".
31 Atëherë Jakobi iu përgjegj Labanos: "Unë kisha frikë, sepse mendoja që ti mund të më merrje me forcë bijat e tua.
32 Por kushdo qoftë ai të cilit do t’i gjesh perënditë e tu, ai duhet të vdesë në prani të vëllezërve tanë; kërko ti vetë atë që të përket tek unë dhe merre!". Jakobi nuk e dinte që ato i kishte vjedhur Rakela.
33 Kështu Labano hyri në çadrën e Jakobit, në çadrën e Leas dhe në çadrën e dy shërbyeseve, por nuk gjeti asgjë. Doli pastaj nga çadra e Leas dhe hyri në çadrën e Rakelës.
34 Por Rakela kishte marrë idhujt dhe i kishte vënë në samarin e devesë, pastaj qe ulur mbi to. Labano kërkoi në tërë çadrën, por nuk gjeti asgjë.
35 Dhe ajo i tha të atit: "Mos u zemëro, zotëria im, në rast se unë nuk mund të çohem përpara teje, sepse jam me të përmuajshmet e grave". Kështu ai kërkoi, por nuk i gjeti idhujt.
36 Atëherë Jakobi u zemërua dhe u grind me Labanon; dhe Jakobi iu përgjegj dhe i tha Labanos: "Cili është faji im, cili është mëkati im, që ti të më ndjekësh me aq tërbim?
37 Ti rrëmove në tërë gjërat e mia. Çfarë gjete nga të gjitha ato që i përkasin shtëpisë sate? Vëri këtu para vëllezërve të mi dhe vëllezërve të tu dhe le të vendosin ata midis nesh të dy!
38 Kam qenë njëzet vjet me ty; delet dhe dhitë e tua nuk kanë dështuar dhe unë nuk kam ngrënë deshtë e kopesë sate.
39 Unë nuk t’i kam sjellë kurrë kafshët të shqyera nga bishat; dëmin e kam pësuar vetë; ti kërkoje me ngulm nga unë atë që ishte vjedhur ditën apo natën.
40 Ky ishte fati im; ditën më ligte vapa dhe natën të ftohtit e madh, dhe gjumi më ikte nga sytë.
41 Kam qënë njëzet vjet në shtëpinë tënde; të kam shërbyer katërmbëdhjetë vjet për dy bijat e tua dhe gjashtë vjet për kopenë tënde. Ti e ke ndryshuar dhjetë herë pagesën time.
42 Në qoftë se Perëndia i atit tim, Perëndia i Abrahamit dhe Tmerri i Isakut, nuk do të kishte qënë në favorin tim, ti me siguri do të më kishe kthyer duar bosh. Perëndia e pa trishtimin tim dhe mundin e duarve të mia, dhe mbrëmë dha vendimin e tij".
43 Atëherë Labano u përgjegj dhe tha: "Këto bija janë bijat e mia, këta bij janë bijtë e mi, këto kope janë kopetë e mia, dhe gjithçka të zë syri është imja. Por çfarë mund t’u bëj sot këtyre bijave të mia apo bijve që ato kanë lindur?
44 Prandaj eja të bëjmë një besëlidhie midis teje dhe meje, dhe që ajo shërbeftë si dëshmi midis teje dhe meje".
45 Atëherë Jakobi mori një gur dhe e ngriti si një përmendore.
46 Pastaj Jakobi u tha vëllezërve të tij: "Mblidhni gurë". Dhe ata morën gurë dhe bënë një tog me ta, dhe hëngrën bukë pranë këtij togu.
47 Labano e quajti atë tog Jegar-Sahadutha, ndërsa Jakobi e quajti Galed.
48 Dhe Labano tha: "Sot ky tog është një dëshmi midis teje dhe meje". Prandaj u quajt Galed,
49 edhe Mitspah, sepse Labano tha: "Zoti të mos e ndajë syrin mua dhe ty kur do të jetë e pamundur të shohim shoqi-shoqin.
50 Në rast se ti keqtrajton bijat e mia ose martohesh me gra të tjera veç bijave të mia, edhe sikur të mos ketë asnjeri me ne, kujtohu që Perëndia është dëshmitar midis meje dhe teje".
51 Labano i tha gjithashtu Jakobit: "Ja ky tog gurësh, dhe ja përmendorja që kam ngritur midis teje dhe meje.
52 Le të jetë ky tog një dëshmi dhe le të jetë kjo përmendore një dëshmi që unë nuk do ta kapërcej këtë tog për të të bërë keq ty, dhe që ti nuk do ta kapërcesh këtë tog dhe këtë përmendore për të më bërë keq mua.
53 Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Nahorit, Perëndia i atit të tyre, u bëftë gjykatës midis nesh!". Dhe Jakobi u betua për Tmerrin e Isakut, atit të tij.
54 Pastaj Jakobi bëri një fli në mal dhe i ftoi vëllezërit e tij të hanin bukë. Dhe ata hëngrën bukë dhe e kaluan natën në mal.
55 Labano u ngrit herët në mëngjes, i puthi bijtë dhe bijat e tij dhe i bekoi. Pastaj Labano u nis dhe u kthye në shtëpinë e tij.
32 Ndërsa Jakobi vazhdonte rrugën e tij, i dolën përpara engjëj të Perëndisë.
2 Mbasi i pa Jakobi, tha: "Ky është fushimi i Perëndisë"; dhe e quajti atë vend Mahanaim.
3 Pastaj Jakobi dërgoi para tij disa lajmëtarë vëllait të tij Esau, në vendin e Seirit, në fushën e Edomit.
4 Dhe u dha atyre këtë urdhër duke thënë: "Do t’i thoni kështu Esaut, zotërisë tim: "Kështu thotë shërbyesi yt Jakobi: Unë kam banuar pranë Labanos dhe kam qëndruar aty deri tani;
5 kam qe, gomarë, kope, shërbyes dhe shërbyese; dhe këtë po ja tregoj zotërisë tim, për të gjetur hir në sytë e tu"".
6 Lajmëtarët u kthyen pastaj te Jakobi, duke i thënë: "Vajtëm te vëllai yt Esau; dhe tani ai po vjen vetë që të takohet me ty dhe ka me vete katërqind burra".
7 Atëherë Jakobin e zuri një frikë e madhe dhe një ankth dhe ndau dysh njerëzit që ishin me të, kopetë, bagëtinë e trashë dhe devetë, dhe tha:
8 "Në qoftë se Esau vjen kundër njerit grup dhe e sulmon, grupi që mbetet do të mund të shpëtojë".
9 Pastaj Jakobi tha: "O Perëndi i atit tim Abraham, Perëndi i atit tim Isak, o Zot, që më ke thënë: "Ktheu në vendin tënd dhe pranë fisit tënd dhe unë do të bëj të mirë,"
10 unë nuk jam i denjë i të gjitha mirësive dhe i gjithë besnikërisë që ke treguar ndaj shërbyesit tënd, sepse unë e kalova këtë Jordan vetëm me shkopin tim dhe tani janë bërë dy grupe.
11 Çliromë, të lutem, nga duart e vëllait tim, nga duart e Esaut, sepse unë kam frikë nga ai dhe druaj që ai të vijë për të më sulmuar, pa kursyer as nënat as fëmijët.
12 Dhe ti the: "Pa tjetër, unë do të të bëj mirë dhe do t’i bëj pasardhësit e tu si rëra e detit, që nuk mund të llogaritet se është shumë e madhe"".
24 Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij.
25 I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të bëhet si zotëria e tij. Në se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t’i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij!
26 Mos ia kini frikën pra, sepse nuk ka gjë të fshehtë që të mos zbulohet dhe asnjë sekret që nuk do të nijhet.
27 Atë që unë ju them në terr, e thoni në dritë; dhe atë që dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni mbi çatitë.
28 Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena.
29 A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj.
30 Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara.
31 Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.
32 Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej.
33 Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej.”
34 “Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.
35 Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra,
36 dhe armiqt e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.
37 Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua.
38 Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.
39 Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri.
40 Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.
41 Ai që pranon një profet në emër të një profeti, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; dhe ai që pranon të drejtin në emër të të drejtit, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.
42 Dhe kushdo që i jep për të pirë qoftë edhe vetëm një gotë uji të freskët ndonjërit prej këtyre të vegjëlve në emër të një dishepulli, në të vërtetë ju them, që ai nuk do të humbë aspak shpërblimin e tij.”
11 Mbasi Jezusi përfundoi dhënien e porosive të tij dymbëdhjetë dishepujve të vet, u largua nga ai vend, për të mësuar dhe për të predikuar në qytetet e tyre.
2 Por Gjoni, që kishte dëgjuar në burg të flitej për veprat e Krishtit, dërgoi dy nga dishepujt e vet për t’i thënë:
3 “A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”
4 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Shkoni dhe i tregoni Gjonit gjërat që dëgjoni dhe shikoni:
5 Të verbërit po shohin, të çalët po ecin, lebrozët janë pastruar dhe të shurdhërit po dëgjojnë; të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u predikohet të varfërve.
6 Lum ai që nuk do të skandalizohet nga unë!.”
13 Deri kur do të më harrosh, o Zot? Vallë kështu do të jetë përjetë? Deri kur do të më fshehësh fytyrën tënde?
2 Deri kur do të marr vendime në shpirtin tim dhe do të kem pikëllim në zemrën time tërë ditën? Deri kur do të ngrihet armiku im mbi mua?
3 Shiko me vëmendje dhe përgjigjmu, o Zot, Perëndia im, ndriço sytë e mi, që të mos më zërë gjumi në gjumin e vdekjes,
4 dhe armiku im të mos thotë: "E munda," dhe armiqtë e mi të mos gëzohen kur unë lëkundem.
5 Por unë kam besim në mirësinë tënde dhe zemra ime do të ngazëllojë në çlirimin tënd;
6 unë do t’i këndoj Zotit, sepse ai më ka trajtuar me shumë shpirtmadhësi.
16 Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj.
17 Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja.
18 Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.