The Daily Audio Bible
Today's audio is from the NLT. Switch to the NLT to read along with the audio.
16 Por Saraj, gruaja e Abramit, nuk i kishte dhënë asnjë fëmijë. Ajo kishte një shërbyese egjiptase që quhej Agar.
2 Kështu Saraj i tha Abramit: "Ja, Zoti më ka ndaluar të kem fëmijë; oh, futu te shërbysja ime, ndofta mund të kem fëmijë prej saj". Dhe Abrami dëgjoi zërin e Sarajt.
3 Kështu pra Saraj, gruaja e Abramit, mbasi ky i fundit kishte banuar dhjetë vjet në vendin e Kanaanëve, mori shërbyesen e saj Agarin, egjiptasen, dhe ia dha për grua burrit të saj Abramit.
4 Dhe ai u fut tek Agari, që mbeti me barrë; por kur u bind se kishte mbetur me barrë, ajo e shikoi me përbuzje zonjën e saj.
5 Atëherë Saraj i tha Abramit: "Përgjegjësia për fyerjen që m’u bë le të bjerë mbi ty. Kam qënë unë që të hodha në krahët e shërbyeses sime; por që kur e mori vesh që është me barrë, ajo më shikon me përbuzje. Zoti le të jetë gjykatës midis meje dhe teje".
6 Abrami iu përgjegj Sarajt: "Ja, shërbyesja jote është në dorën tënde; bëj me të ç’të duash". Atëherë Saraj e trajtoi në mënyrë të ashpër dhe ajo iku nga prania e saj.
7 Por Engjëlli i Zotit e gjeti pranë një burimi uji në shkretëtirë, pranë burimit në rrugën e Shurit,
8 dhe i tha: "Agar, shërbyesja e Sarajt, nga vjen dhe ku po shkon?" Ajo u përgjigj: "Po iki nga prania e zonjës sime Saraj".
9 Atëherë Engjëlli i Zotit i tha: "Kthehu tek zonja jote dhe nënshtroju autoritetit të saj".
10 Pastaj Engjëlli i Zotit shtoi: "Unë do t’i shumëzoj fort pasardhësit e tu aq sa të mos mund të llogariten për shkak të numrit të tyre të madh".
11 Engjëlli i Zotit i tha akoma: "Ja, ti je me barrë dhe do të lindësh një djalë dhe do ta quash Ismael, sepse Zoti mori parasysh hidhërimin tënd;
12 ai do të jetë ndërmjet njerëzve si një gomar i egër; dora e tij do të jetë kundër të gjithëve dhe dora e të gjithëve kundër tij; dhe do të banojë në prani të të gjithë vëllezërve të tij".
13 Atëherë Agari thirri emrin e Zotit që i kishte folur: "Ti je El-Roi," sepse tha: "A e pashë me të vërtetë atë që më shikon?".
14 Prandaj ai pus u quajt "Pusi i Lahai-Roit". Ja, ai ndodhet midis Kadeshit dhe Beredit.
15 Kështu Agari i lindi një djalë Abramit; dhe Abrami i vuri djalit që Agari kishte lindur emrin Ismael.
16 Abrami ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç, kur Agari lindi Ismaelin për Abramin.
17 Kur Abrami u bë nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Zoti i doli përpara dhe i tha: Unë jam Perëndia i plotfuqishëm; ec në praninë time dhe qëndro i ndershëm;;
2 dhe unë do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje dhe do të të shumoj fort".
3 Atëherë Abrami përuli fytyrën në tokë dhe Perëndia i foli, duke i thënë:
4 "Sa për mua, ja unë po bëj një besëlidhje me ty; ti do të bëhesh babai i një shumice kombesh.
5 Dhe nuk do të quhesh më Abram, por emri yt do të jetë Abraham, sepse unë të bëj babanë e një shumice kombesh.
6 Do të të bëj shumë frytdhënës. Pastaj do të bëj prej teje kombe dhe prej teje kanë për të dalë mbretër.
7 Dhe do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje, si dhe me pasardhësit e tu, nga një brez në një brez tjetër; kjo do të jetë një besëlidhje e përjetshme, me të cilën unë do të marr përsipër të jem Perëndia yt dhe i pasardhësve të tu mbas teje.
8 Dhe ty dhe pasardhësve të tu pas teje, do t’u jap vendin ku ti banon si një i huaj: tërë vendin e Kanaanëve, në pronësi për gjithnjë; dhe do jem Perëndia i tyre".
9 Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Nga ana jote, ti do ta respektosh besëlidhjen time, ti dhe pasardhësit e tu, nga një brez në tjetrin.
10 Kjo është besëlidhja ime që ju do të respektoni midis meje edhe jush, si dhe pasardhësve të tu pas teje: çdo mashkull që ndodhet midis jush do të rrethpritet.
11 Dhe do të rrethpriteni në mishin e prepucit tuaj; dhe kjo do të jetë një shenjë e besëlidhjes midis meje dhe jush.
12 Në moshën tetë ditësh, çdo mashkull i juaj do të rrethpritet, dhe kjo nga një brez në tjetrin, qoftë ai i lindur në shtëpi, qoftë ai i blerë me para nga çdo i huaj që nuk është një pasardhës i yt.
13 Do të rrethpritet si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, ashtu edhe ai që është blerë me para; besëlidhja ime në mishin tuaj do të jetë një besëlidhje e përjetshme.
14 Dhe mashkulli i parrethprerë, që nuk është rrethprerë në mishin e prepucit të tij, do të hidhet jashtë popullit të tij, sepse ka shkelur besëlidhjen time".
15 Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Përsa i përket Sarajt, gruas sate, mos e quaj më Saraj, por emri i saj do të jetë Sara.
16 Dhe unë do ta bekoj dhe do të bëj që ajo të të japë edhe një bir; po, unë do ta bekoj dhe prej saj do të lindin kombe; mbretër popujsh do të dalin prej saj".
17 Atëherë Abrahami u shtri me fytyrën ndaj tokës dhe qeshi; dhe tha në zemër të tij: "A do të lindë vallë një fëmijë nga një njeri njëqindvjeçar? Dhe do të lindë Sara që është nëntëdhjetë vjeç?".
18 Pastaj Abrahami i tha Perëndisë: "Vaj medet, që Ismaeli të mund të jetojë para teje!".
19 Por Perëndia u përgjegj: "Jo, por Sara gruaja jote do të lindë një bir, dhe ti do ta quash Isak; dhe unë do të caktoj besëlidhjen time me të, një besëlidhje të përjetshme me pasardhësit e tij.
20 Sa për Ismaelin, unë ta kam plotësuar dëshirën. Ja unë do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shumoj fort. Ai do të bëhet babai i dymbëdhjetë princërve, dhe unë do të bëj prej tij një komb të madh.
21 Por besëlidhjen time do ta përfundoj me Isakun që Sara do të lindë në këtë kohë, vitin e ardhshëm".
22 Kur mbaroi së foluri me të, Perëndia e la Abrahamin duke u ngritur lart.
23 Atëherë Abrahami mori Ismaelin, djalin e tij, të gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe tërë ata që kishte blerë me paratë e veta, tërë meshkujt e shtëpisë së Abrahamit dhe, po atë ditë, rrethpreu mishin e prepucit të tyre, ashtu siç i kishte thënë Perëndia të bënte.
24 Por Abrahami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç kur u rrethpre në mishin e prepucit të tij.
25 Dhe Ismaeli, biri i tij, ishte trembëdhjetë vjeç kur u rrethpre në mishin e prepucit të tij.
26 Po atë ditë u rrethprenë Abrahami dhe Ismaeli, biri i tij.
27 Dhe tërë njerëzit e shtëpisë së tij, qoftë ata të lindur në shtëpi, qoftë ata të blerë me para nga të huajt, u rrethprenë bashkë me të.
18 Zoti iu shfaq Abrahamit në lisat e Mamreut, ndërsa ai ishte ulur në hyrje të çadrës në zheg të ditës.
2 Abrahami ngriti sytë dhe tre burra rrinin më këmbë pranë tij. Sa i pa, vrapoi në drejtim të tyre nga hyrja e çadrës, u përkul deri në tokë e pastaj tha:
3 "Zoti im, në rast se kam gjetur hir para teje, të lutem mos kalo pa u ndalur para shërbëtorit tënd!
4 Oh, lini që të sjellin pak ujë që të mund të lani këmbët tuaja, dhe çlodhuni nën këtë pemë.
5 Unë do të shkoj të marr një copë bukë, kështu do të mund të merrni zemër, pastaj të vazhdoni rrugën, sepse për këtë keni kaluar nga shërbyesi juaj". Ata i thanë: "Bëj siç ke thënë".
6 Atëherë Abrahami shkoi me ngut në çadër, te Sara, dhe i tha: "Merr shpejt tri masa majë mielli, gatuaj brumin dhe bëj me to kuleç".
7 Pastaj Abrahami shkoi në kopenë e bagëtive, zgjodhi një viç të njomë dhe të mirë, ia dha një shërbyesi dhe nxitoi ta përgatisë.
8 Mori pastaj gjizë, qumësht dhe viçin që kishte përgatitur dhe i vuri para tyre; ndërsa ata hanin, ai qëndroi më këmbë pranë tyre poshtë pemës.
9 Pastaj ata i thanë atij: "Ku është Sara, gruaja jote?". Abrahami u përgjegj: "Éshtë atje në çadër".
10 Dhe ai tha: "Do të kthehem me siguri vitin e ardhshëm te ti në po këtë kohë; dhe ja Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë". Dhe Sara dëgjonte në hyrje të çadrës, që ishte prapa tij.
11 Por Abrahami dhe Sara ishin pleq, në moshë të kaluar, dhe Sara nuk kishte më të përmuajshmet e grave.
12 Prandaj Sara qeshi me veten e saj, duke thënë: "Plakë si jam, a do të kem unë gëzime të tilla, me qënë se vetë zoti im është plak?".
13 Dhe Zoti i tha Abrahamit: "Pse qeshi vallë Sara duke thënë: "A do të lind unë përnjëmend, plakë siç jam?".
14 A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin? Në kohën e caktuar, brenda një viti, do të kthehem te ti, dhe Sara do të ketë një bir".
15 Atëherë Sara mohoi, duke thënë: "Nuk qesha," sepse pati frikë. Por ai i tha: "Përkundrazi, ke qeshur!".
6 “Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t’ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej.
2 Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.
3 Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç’bën e djathta,
4 që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.
5 Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t’i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.
6 Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht.
7 Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë.
8 Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t’i kërkoni.
9 Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.
10 Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.
11 Bukën tonë të përditshme na e jep sot.
12 Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.
13 Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen".
14 Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve;
15 por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja.
16 Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t’u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.
17 Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën,
18 me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht.
19 Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin,
20 përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin.
21 Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj.
22 Drita e trupit është syri; në qoftë se syri yt është i pastër, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar,
23 por në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!
24 Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t’i qëndrojë besnik njerit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.
7 O Zot, Perëndia im, po kërkoj strehim te ti; shpëtomë nga tërë ata që më përndjekin dhe çliromë,
2 që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.
3 O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,
4 në rast se së mirës i jam përgjigjur me të keqen atij që jetonte në paqe me mua, ose në rast se e kam zhveshur armikun tim pa arësye,
5 le të më përndjekë armiku dhe të më arrijë, le ta marrë nëpër këmbë jetën time dhe ta zvarritë në pluhur lavdinë time. (Sela)
6 Çohu, o Zot, në zemërimin tënd; çohu kundër tërbimit të armiqve të mi dhe në favorin tim; ti ke vendosur gjykimin.
7 Kuvendi i popujve do të të rrethojë; kthehu mbi të në një vend të ngritur.
8 Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime.
9 Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.
10 Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.
11 Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.
12 Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.
13 Ai ka përgatitur kundër tij armë vdekjeprurëse, i mban gati shigjetat e tij të zjarrta.
14 Ja, keqbërësi lind padrejtësinë; ai ka konceptuar ligësinë dhe ka për të pjellë mashtrimin.
15 Ai gërmon një gropë dhe e bën të thellë, por bie vetë në gropën që ka bërë.
16 Ligësia e tij do të kthehet mbi kryet e vet dhe dhuna e tij do të bjerë mbi çafkën e kokës.
17 Unë do ta falenderoj Zotin për drejtësinë e tij, dhe do të këndoj lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.
2 Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia,
2 duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes;
3 po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim,
4 në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur,
5 atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë.