Psalmet 51-53
Albanian Bible
51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.
52 Pse mburresh me të keqen, o njeri i fuqishëm? Mirësia e Perëndisë është e përjetshme.
2 Gjuha jote shkakton rrënim; ajo është si një brisk i mprehur, o veprues mashtrimesh.
3 Ty të pëlqen e keqja ndaj së mirës, gënjeshtra më tepër se e folura drejt. (Sela)
4 Ty të pëlqen çdo fjalë shkatërrimi, o gjuhë hileqare.
5 Prandaj Perëndia do të të shkatërrojë për gjithnjë; ai do të të kapë, do të të heqë nga çadra jote dhe do të të shkulë nga toka e të gjallëve. (Sela)
6 Të drejtët do ta shohin, do të kenë frikë dhe do ta përqeshin atë, duke thënë:
7 "Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij".
8 Por unë jam si një dru ulliri që gjelbëron në shtëpinë e Perëndisë; kam besim gjithnjë në mirësinë e Perëndisë.
9 Do të të kremtoj gjithnjë për sa ke bërë, dhe në prani të shenjtorëve të tu do të kem shpresë të patundur në emrin tënd, sepse ai është i mirë.
53 Njeriu i pamend në zemër të vet ka thënë: "Perëndi nuk ka". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; s’ka njeri që të bëjë të mirën.
2 Perëndia shikon nga qielli bijtë e njerëzve, për të parë në se ndonjë prej tyre ka mend dhe kërkon Perëndinë.
3 Të gjithë janë shmangur, të gjithë janë prishur; nuk ka njeri që të bëjë të mirën, as edhe një.
4 Nuk kanë asnjë dije këta veprues të paudhësisë që gllabërojnë popullin tim sikur të hanin bukë, dhe nuk kërkojnë Perëndinë?
5 Sepse i ka zënë një frikë e madhe, aty kur nuk kishte arsye për frikë, sepse Perëndia i ka shpërndarë eshtrat e atyre që ngrihen kundër teje. Ti e mbulove me turp, sepse Perëndia i ka hedhur poshtë.
6 Kush do të dërgojë nga Sioni shpëtimin e Izraelit? Kur Perëndia do të rivendosë fatin e popullit të tij në robëri, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.