Gjyqtarët 16-18
Albanian Bible
16 Pastaj Sansoni shkoi në Gaza dhe aty pa një prostitutë, dhe hyri tek ajo.
2 Kur u thanë atyre të Gazës: "Sansoni erdhi këtu," ata rrethuan vendin dhe qëndruan në pritë tërë natën pranë portës së qytetit, duke mbajtur heshtje të plotë, dhe thanë: "Në të gdhirë do ta vrasim".
3 Sansoni ndejti shtrirë deri në mesnatë; pastaj në mesnatë u ngrit, kapi kanatet e portës së qytetit dhe dy shtalkat e saj i shkuli nga vendi bashkë me shufrat prej hekuri, i ngarkoi mbi kurriz dhe i çoi në majë të malit që ndodhet përballë Hebronit.
4 Mbas kësaj ra në dashuri me një grua nga lugina e Sorekut, që quhej Delilah.
5 Atëherë princat e Filistejve shkuan tek ajo dhe i thanë: "Bëje për vete dhe zbulo ku qëndron tërë ajo forcë e madhe e tij, në mënyrë që ta mposhtim për ta lidhur dhe për ta nënshtruar; pastaj do të të japim secili një mijë e njëqind sikla argjendi.
6 Kështu Delilah i tha Sansonit: "Më thuaj të lutem, ku qëndron forca jote e madhe dhe në çfarë mënyre mund të të lidhin që të të nënshtrojnë".
7 Sansoni iu përgjegj: "Në rast se më lidhin me shtatë tela të freskëta, jo akoma të thara, të harkut, unë do të bëhem i dobët dhe do të jem si gjithë burrat e tjerë".
8 Atëherë princat e Filistejve i suallën shtatë tela të freskëta harku, jo akoma të thata, dhe ajo e lidhi me këto tela.
9 Mirëpo kishte njerëz që rrinin në pritë pranë saj, në një dhomë të brëndshme. Ajo i tha: "Sansone, Filistejtë i ke mbi kokë!". Por ai i këputi litarët, ashtu si këputet një fije shtupe kur ndjen zjarrin. Kështu e fshehta e forcës së tij mbeti e panjohur.
10 Pastaj Delilah i tha Sansonit: "Ja, je tallur me mua dhe më ke treguar gënjeshtra; por tani, të lutem, më thuaj se me çfarë gjë mund të lidhesh".
11 Ai iu përgjegj: "Në qoftë se më lidhin me litarë të rinj që nuk kanë qenë përdorur kurrë, unë do të bëhem i dobët dhe do të jem si çfarëdo burrë tjetër".
12 Prandaj Delilah mori litarë të rinj, e lidhi dhe i tha: "Sanson, Filistejtë i ke mbi kokë". Dhe kishte njerëz në pritë në dhomën e brendshme. Ai i këputi litarët që kishte në krahë si të ishin penj.
13 Atëherë Delilah i tha Sansonit: "Deri tani je tallur me mua dhe më ke thënë gënjeshtra; tregomë me se mund të lidhesh". Dhe ai iu përgjegj: Mjafton të thurësh shtatë gërshetat e kokës sime me majën e tezgjahutt".
14 Ajo i thuri dhe i fiksoi në shulin e tezgjahut pastaj i tha: "Sanson, Filistejtë i ke mbi kokë". Por ai u zgjua nga gjumi dhe shkuli shulin nga tezgjahu dhe nga maja.
15 Atëherë ajo i tha: "Si mund të më thuash: "Të dua," kur zemra jote nuk është me mua? Tri herë me radhë je tallur me mua dhe nuk më ke treguar ku qëndron forca jote e madhe".
16 Tani, me qenë se ajo e bezdiste çdo ditë me fjalët e saj dhe e nxiste me ngulm, ai u zemërua për vdekje,
17 dhe ia çeli asaj tërë zemrën, duke i thënë: "Kurrë nuk ka kaluar brisku mbi kokën time, sepse jam një Nazireo i Perëndisë, qysh në barkun e nënes sime; po të rruhesha, forca ime do të ikte, do të bëhesha i dobët dhe i njëllojtë si gjithë burrat e tjerë".
18 Kur Delilah u bind që ai ia kishte çelur plotësisht zemrën, dërgoi të thërrasin princat e Filistejve dhe u dërgoi këto fjalë: "Ejani lart këtë radhë se ai ma hapi tërë zemrën e tij". Atëherë princat e Filistejve u ngjitën tek ajo dhe morën me vete paratë.
19 Pastaj ajo e vuri në gjumë mbi gjunjët e saj, thirri një njeri që i rrovi të shtatë gërshetat të kokës së Sansonit; pastaj filloi ta trajtoj keq, dhe fuqia e tij e la.
20 Atëherë ajo i tha: "Sanson, Filistejtë i ke mbi kokë". Ai u zgjua nga gjumi dhe tha: "Unë do t’ia dal si herët e tjera, do të shpengohem". Por nuk e dinte që Zoti e kishte braktisur.
21 Dhe Filistejtë e zunë dhe i nxorën sytë; e zbritën në Gaza dhe e lidhën me zinxhirë prej bronzi. Dhe e vunë të rrotullojë mokrën në burg.
22 Ndëkaq flokët e kokës, mbasi u rruan, filluan përsëri të rriten.
23 Princat e Filistejve u mblodhën për t’i paraqitur një flijim të madh Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për t’u gëzuar. Ata thonin: "Perëndia ynë na ka dhënë në dorë Sansonin, armikun tonë".
24 Kur populli e pa, filloi të lavdërojë perëndinë e vet dhe të thotë: Perëndia ynë na dha në dorë armikun tonë, atë që shkatërronte vendin tonëë dhe që ka vrarë aq shumë njerëz tanë".
25 Kështu në gëzimin e zemrës së tyre, ata thanë: "Silleni Sansonin që të dëfrehemi me të!". E nxorrën Sansonin nga burgu dhe ai bëri karagjozllëqe para tyre. Pastaj e vunë midis shtyllave.
26 Atëherë Sansoni i tha fëmijës, që e mbante prej dore: "Lërmë të prek shtyllat mbi të cilat qendron shtëpia,
27 që të mund të mbështetem në to". Shtëpia ishte pot me burra dhe gra; aty ndodheshin tërë princat e Filistejve, dhe mbi çati tre mijë veta, burra e gra, që shikonin Sansonin ndërsa ky bënte palaçon.
28 Atëherë Sansoni kërkoi ndihmën e Zotit dhe tha: "O Zot, o Zot, të lutem mos më harro! Më jep forcën e nevojshme për këtë herë vetëm, o Perëndi që të hakmerrem me Filistejtë me një goditje të vetme, për shkak të humbjes së dy syve të mi".
29 Pastaj Sansoni kapi dy shtyllat qendrore, që mbanin tempullin, dhe u mbështet tek ato, tek njera me dorën e djathtë dhe tek tjetra me dorën e majtë;
30 pastaj Sansoni tha: "Le të vdes bashkë me Filistejtë!". U përkul pastaj me të gjithë forcën e tij, dhe shtëpia u shemb mbi princat dhe mbi gjithë popullin që ndodhej brenda; dhe qenë më shumë ata që ai vrau duke vdekur se ata që kishte vrarë kur qe gjallë.
31 Pastaj vëllezërit e tij dhe tërë shtëpia e atit të tij zbritën dhe e morën; dhe e çuan ta varrosin midis Tsorahut dhe Eshtaolit, në varrin e Manoahut, të atit të tij. Ai qe gjyqtar i Izraelit njëzet vjet me radhë.
17 Në krahinën malore të Efraimit ishte një njeri që quhej Mikah.
2 Ai i tha nënes së tij: "Një mijë e njëqind siklat prej argjendi që të kanë marrë dhe për të cilat ke thënë një mallkim, që e dëgjova me veshët e mi, ja, i kam unë; ato para i kisha marrë unë". Nëna e tij tha: "Im bir qoftë i bekuar nga Zoti!".
3 Kështu ai ia ktheu nënes së tij të një mijë e njëqind siklat prej argjendi dhe e ëma tha: "Unë ia shenjtëroj plotësisht nga dora ime këtë argjend Zotit për birin tim, për ta bërë një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një figurë me derdhje prandaj po ta kthej tani".
4 Pas kthimit të argjendit nënes së tij, e ëma mori dyqind sikla argjendi dhe ia dha shkrirësit, i cili bëri një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një figurë me derdhje metali; dhe këto u vendosën në shtëpinë e Mikahut.
5 Kështu ky njeri, Mikahu, pati një shtëpi perëndish; bëri një efod dhe një shtëpi idhujsh, dhe shenjtëroi një nga bijtë e tij që i shërbente ai prift.
6 Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.
7 Ishte një i ri nga Betlemi i Judës, nga familja e Judës, i cili ishte Levit dhe banonte në atë vend si i huaj.
8 Ky njeri u nis nga qyteti i Betlemit të Judës për t’u vendosur aty ku mund të gjente një vend; duke ecur arriti në krahinën malore të Efraimit, në shtëpinë e Mikahut.
9 Mikahu e pyeti: "Nga po vjen?". Ai u përgjegj: "Jam një Levit nga Betlemi i Judës dhe jam duke kërkuar një vend ku mund të vendosem".
10 Mikahu i tha: "Rri me mua, dhe bëhu ati dhe prifti im; do të të jap dhjetë sikla argjendi çdo vit, rroba dhe ushqim". Atëherë Leviti hyri.
11 Kështu Leviti pranoi të rrinte me atë njeri, që e trajtoi të riun sikur të ishte një nga bijtë e tij.
12 Mikahu e shenjtëroi Levitin; i riu i shërbeu si prift dhe u vendos në shtëpinë e Mikahut.
13 Pastaj Mikahu i tha: "Tani e di që Zoti do të më bëjë të mira, sepse kam një Levit që më shërben si prift".
18 Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael; po në këtë kohë fisi i Danitëve kërkonte për vete një territor për t’u vendosur, sepse deri në ato ditë nuk i ishte caktuar asnjë trashëgimi midis fiseve të Izraelit.
2 Bijtë e Danit dërguan, pra, te Tsorahu dhe te Eshtaoli pesë burra trima, që përfaqësonin tërë fisin e tyre, për të vëzhguar dhe për të kontrolluar vendin; dhe u thanë atyre: "Shkoni të vëzhgoni vendin!". Kështu ata arritën në krahinën malore të Efraimit, në shtëpinë e Mikahut, dhe e kaluan natën aty.
3 Ndërsa ishin pranë shtëpisë së Mikahut, njohën zërin e të riut Levit; atëherë ata hynë në shtëpi dhe e pyetën: "Kush të solli këtu? Çfarë bën në këtë vend? Çfarë ke ti këtu?".
4 Ai iu përgjegj: "Mikahu më ka bërë këtë dhe atë; më mori në shërbim të tij dhe unë jam prifti i tij".
5 Atëherë ata i thanë: "Pyet, pra, Perëndinë që të dimë në se rruga që kemi nisur do të jetë e mbarë".
6 Prifti iu përgjegj: "Shkoni në paqe; rruga që bëni kryhet nën shikimin e Zotit".
7 Kështu të pesë burrat u nisën dhe arritën në Laish, panë që populli që banonte aty bënte një jetë të sigurt, simbas zakoneve të atyre të Sidonit, një jetë të qetë dhe të sigurt, sepse nuk kishte njeri në vend që t’u vinte ndonjë kufizim dhe t’i qortonte; ata ishin larg nga ata të Sidonit dhe nuk mbanin marrëdhënie me askënd.
8 Pastaj u kthyen te vëllezërit e tyre në Tsorah dhe në Eshtaol; dhe vëllezërit i pyetën ata: "Çfarë thoni?".
9 Ata u përgjigjën: "Le të ngrihemi dhe të sulemi kundër atyre njerëzve, sepse kemi parë vendin dhe është me të vërtetë i mrekullueshëm. Pse mbani një qëndrim jo aktiv? Mos nguroni të lëvizni për ta pushtuar vendin!
10 Kur të arrini, keni për të gjetur një popull të sigurt dhe një vend të gjërë, sepse Perëndiae ka dhënë në duart tuaja; është një vend ku nuk mungon asgjë nga ajo që është mbi tokë".
11 Atëherë gjashtëqind burra të familjes së Danitëve u nisën nga Tsorahu dhe nga Eshtoali, të armatosur mirë për luftë.
12 Ata u ngjitën dhe ngritën kampin e tyre në Kirjath-Jearim, në Jude; (prandaj ky vend, që ndodhet prapa Kiriath-Jearimit, quhet edhe sot e kësaj dite kampi i Danit).
13 Që këtej kaluan në krahinën malore të Efraimit dhe arritën në shtëpinë e Mikahut.
14 Atëherë të pesë burrat, që kishin shkuar të vëzhgonin vendin e Laishit, filluan t’u thonë vëllezërve të tyre: "A e dini ju që në këto shtëpi ka një efod, një shtëpi idhujsh, një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një figurë prej metali të shkrirë? Prandaj tani kini parasysh atë që duhet të bëni".
15 Kështu ata u drejtuan nga ajo anë, arritën në shtëpinë e Levitit të ri, në banesën e Mikahut, dhe e përshëndetën.
16 Ndërsa të gjashtëqind burrat e bijve të Danit, të armatosur mirë për luftë, rrinin para portës,
17 pesë burrat që kishin vajtur të vëzhgonin vendin u ngjitën lart, hynë në shtëpi, morën shëmbëlltyrën e gdhendur, efodin, shtëpinë e idhujve dhe figurën prej metali të shkrirë. Prifti rrinte para portës bashkë me gjashtëqind njerëzit e armatosur mirë për luftë.
18 Kur këta hynë në shtëpinë e Mikahut dhe morën shëmbëlltyrën e gdhendur, efodin, shtëpinë e idhujve dhe figurën prej metali të shkrirë, prifti u tha atyre: "Ç’po bëni kështu?".
19 Ata iu përgjegjën: "Hesht, vëre dorën mbi gojë, eja me ne, dhe do të jesh për ne një atë dhe një prift. Ç’është më mirë për ty, të jesh prifti i shtëpisë së një njeriu të vetëm apo të jesh prifti i një fisi ose të një familjeje në Izrael?".
20 Kështu prifti ndjeu një gëzim në zemrën e tij; mori efodin, shtëpinë e idhujve dhe shëmbëlltyrën e gdhendur dhe u bashkua me ata njerëz.
21 Atëherë rifilluan marshimin, duke vënë para fëmijët, bagëtinë dhe orenditë.
22 Kur ishin larguar nga shtëpia e Mikahut, burrat që banonin në shtëpitë afër asaj të Mikahut u mblodhën dhe ndoqën bijtë e Danit.
23 U bërtitën pastaj bijve të Danit. Këta u kthyen dhe i thanë Mikahut: Çfarë ke që ke mbledhur këta njerëz??".
24 Ai u përgjegj: "Morët me vete perënditë që i kisha bërë unë dhe priftin, dhe ikët. Tani ç’më mbetet? Si mund të më thoni: "Çfarë ke?".
25 Bijtë e Danit i thanë: "Bëj që zëri yt të mos dëgjohet më prapa nesh, sepse njerëz të zemëruar mund të hidhen mbi ju, dhe ti do të humbje jetën tënde dhe atë të familjes sate!".
26 Bijtë e Danit e vazhduan rrugën e tyre; dhe Mikahu, kur pa se ata ishin më të fortë se ai, u kthye dhe shkoi në shtëpinë e tij.
27 Kështu ata, mbasi morën gjërat që kishte bërë Mikahu dhe priftin që kishte në shërbim të tij, arritën në Laish, ku jetonte një popull që rinte i qetë dhe i sigurtë; e vranë me shpatë dhe i vunë flakën qytetit.
28 Nuk pati asnjë që ta çlironte, sepse ndodhej larg Sidonit, dhe banorët e tij nuk mbanin marrëdhënie me njerëz të tjerë. Ai ndodhej në luginën që zgjatej në drejtim të Beth-Rehobit. Pastaj Danitët e rindërtuan qytetin dhe banuan në të,
29 e quajtën Dan, nga emri i Danit, ati i tyre, që ishte bir i Izraelit; por më parë qyteti quhej Laish.
30 Pastaj bijtë e Danit ngritën për vete shëmbëlltyrën e gdhendur; dhe Jonathani, bir i Gershomit, bir i Manasit, dhe bijtë e tij u bënë priftërinj të fiseve të Danitëve deri ditën e robërimit të banorëve të vendit.
31 Kështu ngritën për vete shëmbëlltyrën e gdhendur nga Mikahu, gjatë gjithë kohës që shtëpia e Perëndisë mbeti në Shiloh.