Jeremia 4-6
Albanian Bible
4 "O Izrael, në rast se kthehesh," thotë Zoti, "duhet të kthehesh tek unë". Në rast se ti heq nga prania ime gjërat e tua të neveritshme dhe nuk sillesh më duke u endur
2 dhe betohesh: "Zoti rron," me vërtetësi, me ndershmëri dhe me drejtësi, atëherë kombet do të jenë të bekuara.
3 Sepse kështu u thotë Zoti atyre të Judës dhe të Jeruzalemit: "Lëroni arën tuaj të djerrë dhe mos mbillni midis ferrave.
4 Rrethprituni për Zotin dhe hiqni lafshën e zemrave tuaja, o njerëz të Judës dhe banorë të Jeruzalemit, me qëllim që zemërimi im të mos shpërthejë si zjarr dhe të mos djegë në mënyrë që askush të mos mund ta shuajë për shkak të ligësisë së veprimeve tuaja!".
5 "Lajmërojeni në Judë, shpalleni në Jeruzalem dhe thoni: "I bini borisë në vend," bërtisni fort dhe thoni: "Mblidhuni dhe le të hyjmë në qytetet e fortifikuara".
6 Ngrini flamurin në drejtim të Sionit, mbathjani me vrap në kërkim të një strehe, mos u ndalni, sepse do të dërgoj nga veriu një mjerim dhe një shkatërrim të madh.
7 Luani brofi duke dalë nga pjesa e dendur e pyllit të tij dhe një shkatërrues kombesh është nisur, ka lënë banesën e tij për ta katandisur si mos më keq vendin tënd; qytetet e tua do të shkretohen dhe do të mbeten pa banorë.
8 Prandaj vishuni me thasë, mbani zi, vajtoni, sepse zemërimi i zjarrtë i Zotit nuk është larguar prej nesh.
9 Atë ditë ka për të ndodhur," thotë Zoti, "që zemra e mbretit dhe zemra e princave do të ligështohen, priftërinjtë do të mbeten të shushatur dhe profetët të shtangur".
10 Atëherë unë thashë: "O Zot, Zot, ti ke mashtruar plotësisht këtë popull dhe Jeruzalemin, duke thënë: "Ju do të keni paqe," ndërsa shpata po futet deri në zemër".
11 Në atë kohë do t’i thuhet këtij populli dhe Jeruzalemit: "Një erë zhuritëse që vjen nga lartësitë e zhveshura në shkretëtirë dhe fryn në drejtim të bijës së popullit tim, jo për të shoshitur as për të pastruar;
12 një erë edhe më e fortë nga këto do të vijë nga ana ime; tani që unë do të shqiptoj gjykimin tim kundrejt tyre.
13 Ja, si ngjitet si retë dhe qerret e tij si një shakullinë; kuajt e tij janë më të shpejtë se shqiponjat. Mjerë ne, sepse po shkretohemi!".
14 O Jeruzalem, pastro zemrën tënde nga ligësia, me qëllim që të shpëtosh. Deri kur do të mbeten te ty mendimet e mbrapshta?
15 Sepse një zë njofton nga Dani dhe shpall fatkeqësinë nga mali i Efraimit.
16 "Lajmëroni kombet; po, bëjani të njohur Jeruzalemit: rrethuesit vijnë nga një komb i largët dhe ngrenë zërin e tyre kundër qyteteve të Judës.
17 Si rojtarë të një are janë vendosur rreth e qark tij, sepse ka ngritur krye kundër meje," thotë Zoti.
18 "Sjellja jote dhe veprimet e tua të kanë shkaktuar këto gjëra; kjo do të jetë fatkeqësia jote, dhe do të jetë e hidhur, sepse do të arrijë zemrën tënde".
19 Zorrët e mia, zorrët e mia! Po shtrembërohem nga dhimbja. Oh, faqet e zemrës sime! Zemra më rreh fort përbrenda. Unë nuk mund të hesht, sepse, o shpirti im, kam dëgjuar zërin e borisë, britmën e luftës.
20 Po shpallet rrënim mbi rrënim, sepse tërë vendi është shkretuar. Papritmas çadrat e mia janë shkatërruar, shatorret e mia brenda një çasti.
21 Deri kur do të shoh flamurin dhe do të dëgjoj zërin e borisë?
22 "Po, populli im është budalla, nuk më njeh; janë bij pa mend dhe nuk kanë arsye; janë të zotë të bëjnë të keqen, por nuk dinë të bëjnë të mirën".
23 Shikova tokën, dhe ja, ajo ishte pa formë dhe boshe; qiejt ishin pa dritë.
24 Shikova malet, dhe ja, dridheshin, dhe tërë kodrat lëkundeshin.
25 Shikova, dhe ja, nuk kishte asnjë njeri dhe tërë zogjtë e qiellit kishin ikur.
26 Shikova, dhe ja, toka pjellore ishte një shkretëtirë, dhe të gjitha qytetet e saj ishin shembur përpara Zotit për shkak të zemërimit të tij të fortë.
27 Sepse kështu thotë Zoti: "Tërë vendi do të shkretohet, por nuk do ta shkatërroj plotësisht".
28 Për këtë arsye toka do të mbajë zi dhe lart qiejt do të errësohen, sepse unë kam folur, kam vendosur dhe nuk pendohem dhe as do të kthehem prapa.
29 Në zhurmën e kalorësve dhe të harkëtarëve tërë qytetet janë duke ikur me vrap; hyjnë në pjesën e dendur të pyjeve, ngjiten mbi shkëmbinjtë; tërë qytetet janë braktisur dhe nuk ka mbetur në to asnjë njeri.
30 Dhe ti, e shkatërruar, çfarë do të bësh? Edhe sikur të visheshe me rroba ngjyrë flakë të kuqe, edhe sikur të vije zbukurime prej ari, edhe sikur t’i zmadhoje sytë me bistër, më kot do të zbukuroheshe. Dashnorët e tu të përçmojnë, duan jetën tënde.
31 Sepse po dëgjoj një britmë si të një gruaje kur lind, një ankth si të një gruaje në lindjen e saj të parë: është britma e bijës së Sionit, që mezi merr frymë dhe shtrin duart e veta, duke thënë: "Mjerë unë! Shpirti im po ligështohet për shkak të vrasësve"".
5 Shkoni rreth e rrotull nëpër rrugët e Jeruzalemit; shikoni dhe binduni, dhe kërkoni në sheshet e tij në rast se gjeni një njeri, një njeri të vetëm që zbaton drejtësinë, që kërkon të vërtetën, dhe unë do ta fal.
2 Edhe kur thonë: "Zoti rron," me siguri betohen për atë që është e gënjeshtërt.
3 O Zot, nuk janë sytë e tu për të vërtetën? Ti i godite, por ata nuk ndjenë asnjë dhembje; i ke konsumuar, por kanë refuzuar të pranojnë korrigjimin. Ata e ngurtësuan fytyrën e tyre më tepër se shkëmbi dhe nuk pranuan të kthehen.
4 Prandaj thashë: "Ata janë me siguri të varfër, janë pa mend sepse nuk njohin rrugën e Zotit, ligjin e Perëndisë së tyre.
5 Do të shkoj, pra, te të mëdhenjtë dhe do t’u flas atyre, sepse ata e njohin rrugën e Zotit, ligjin e Perëndisë së tyre". Por edhe ata bashkë kanë shkallmuar zgjedhën dhe i kanë këputur verigat.
6 Prandaj luani i pyllit i vret, ujku i shkretëtirës i shkatërron, leopardi rri në pritë afër qyteteve të tyre; kushdo që del prej tyre copëtohet, sepse shkeljet e tyre janë të shumta, rebelimet e tyre janë shtuar.
7 "Si do të mund të të falja për këtë? Bijtë e tu më kanë braktisur dhe betohen për ata që nuk janë perëndi. Unë i kam ngopur, por ata kanë shkelur kurorën dhe mbushin shtëpitë e kurvërimit.
8 Janë si hamshorë të ushqyer mirë dhe tërë afsh në mëngjes; secili hingëllin prapa gruas së fqinjit të tij.
9 A nuk do t’i dënoj unë për këto gjëra?," thotë Zoti, "dhe nuk do të hakmerrem unë me një komb të tillë?
10 Ngjituni mbi muret dhe shkatërroni, por mos kryeni një shkatërrim të plotë; krasitni degët e tyre, sepse nuk janë të Zotit.
11 Sepse shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës kanë vepruar në mënyrë të pabesë me mua," thotë Zoti.
12 Kanë mohuar Zotin dhe kanë thënë: "Nuk është ai. Asnjë e keqe nuk do të bjerë mbi ne; nuk do të shohim as shpatën as urinë.
13 Profetët nuk janë veçse ajër dhe tek ata nuk është fjala e Zotit. T’u bëhet atyre ajo që ata thonë për ne!".
14 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive: "Duke qenë se keni folur në këtë mënyrë, unë do t’i bëj fjalët e mia si zjarr në gojën tënde, dhe këtë popull si dru, që ai do të përpijë.
15 Ja, unë do të sjell kundër jush një komb nga larg, o shtëpi e Izraelit," thotë Zoti. "Éshtë një komb trim, një komb i vjetër, një komb të cilit nuk i njeh gjuhën dhe nuk i kupton fjalët.
16 Kukurja e tij është si një varr i hapur; janë të gjithë njerëz trima.
17 Ai do të gllabërojë të korrat e tua dhe bukën tënde, do të gëlltisë bijtë e tu dhe bijat e tua, do të gëlltisë kopetë e tua dhe bagëtinë tënde të trashë, do të gëlltisë vreshtat e tua dhe fiqtë e tu; do të shkatërrojë me shpatë qytetet e tua të fortifikuara te të cilët ke besim.
18 Por edhe në ato ditë," thotë Zoti, "nuk do të të shkatërroj plotësisht.
19 Dhe do të ndodhë që kur të thoni: "Pse Zoti, Perëndia ynë, na ka bërë të gjitha këto gjëra?," ti do t’u përgjigjesh atyre: "Ashtu si ju më keni braktisur mua dhe u keni shërbyer perëndive të huaja në vendin tuaj, kështu do t’u shërbeni të huajve në një vend që nuk është juaji".
20 Lajmëroni për këtë shtëpinë e Jakobit dhe shpalleni në Judë, duke thënë:
21 Dëgjoni tani këtë, o popull pa mend dhe pa zemër, që ka sy, por nuk shikon, që ka veshë, por nuk dëgjon.
22 Nuk do të keni frikë prej meje?," thotë Zoti, "nuk do të dridheni para meje që kam vënë rërën si kufi të detit, si një statut të përjetshëm që nuk do të kapërcejë kurrë? Valët e tij ngrihen por nuk fitojnë, bëjnë zhurmë, por nuk e kapërcejnë.
23 Por ky popull ka një zemër kryeneçe dhe rebele; kthehen prapa dhe ikin.
24 Nuk thonë në zemër të tyre: "Kemi frikë nga Zoti, Perëndia ynë, që na jep shiun në kohën e duhur, i pari dhe i fundit shi, që mban për ne javët e caktuara për korrje".
25 Paudhësitë tuaja i kanë përmbysur këto gjëra dhe mëkatet tuaja mbajnë larg jush begatinë.
26 Sepse midis popullit tim ka njerëz të këqij që përgjojnë si gjuetarët e zogjve në pritë; ata vënë leqe dhe kapin njerëz.
27 Ashtu si një kafaz është plot me zogj, kështu shtëpitë e tyre janë plot mashtrim; prandaj bëhen të mëdhenj dhe pasurohen.
28 Majmen dhe begatohen; po, kalojnë madje kufijtë e së keqes. Nuk mbrojnë çështjen, çështjen e jetimit, dhe megjithatë; nuk mbrojnë të drejtën e të varfërve.
29 A duhet t’i dënoj për këto gjëra?," thotë Zoti. "Dhe a nuk do të hakmerrem me një komb të tillë?
30 Në vend është kryer një gjë e tmerrshme dhe shumë e shëmtuar:
31 profetët profetizojnë në mënyrë të rreme, priftërinjtë qeverisin duke u mbështetur në forcën e autoritetit të vet dhe popullit tim i pëlqen që gjendja është e tillë. Por çfarë do të bëni kur të vijë fundi?".
6 "O bij të Beniaminit, kërkoni një strehë jashtë Jeruzalemit. I bini borisë në Tekoa dhe ngrini një sinjal zjarri në Beth-kerem, sepse nga veriu po vjen një gjëmë, një shkatërrim i madh.
2 Unë do ta shkatërroj bijën e bukur dhe delikate të Sionit.
3 Në drejtim të saj vijnë barinj me kopetë e tyre; ngrenë çadrat e tyre rreth e qark kundër saj; secili kullot për veten e tij.
4 Përgatitni luftën kundër saj; çohuni dhe le të dalim në mes të ditës! Mjerë ne, sepse dita po kalon dhe hijet e mbrëmjes po zgjaten!
5 Çohuni dhe të dalim natën, të shkatërrojmë pallatet e tij!".
6 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Prisni drurët e tij dhe ndërtoni një ledh kundër Jeruzalemit; ky është qyteti që duhet ndëshkuar; në mes të tij nuk ka veçse shtypje.
7 Ashtu si një pus nxjerr ujërat e tij, kështu ai nxjerr ligësinë e vet; në të flitet vetëm për dhunë dhe për shkatërrim; para meje qëndrojnë vazhdimisht dhembje dhe plagë.
8 Lejo të të korrigjojnë, o Jeruzalem, përndryshe shpirti im do të largohet nga ti, përndryshe do të të katandis në një shkretim, në një tokë të pabanuar".
9 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ata që kanë mbetur nga Izraeli do të mblidhen si vilet e pavjela të një vreshti; kaloje përsëri dorën tënde si vjelësi mbi degëzat e hardhisë.
10 Kujt do t’i flas dhe cilin do të qortoj që të më dëgjojë? Ja, veshi i tyre është i parrethprerë dhe ata nuk janë të zotë të tregojnë kujdes; ja, fjala e Zotit është bërë për ta objekt përçmimi dhe ata nuk gjejnë tek ajo asnjë kënaqësi.
11 Prandaj jam mbushur me zemërimin e madh të Zotit; jam lodhur duke e përmbajtur. Do ta hedh mbi fëmijët në rrugë dhe mbi të rinjtë e mbledhur bashkë, sepse do të kapen si burri ashtu dhe gruaja, si plaku ashtu dhe burri i ngarkuar me vite.
12 Shtëpitë e tyre do t’u kalojnë të tjerëve, së bashku me arat e tyre dhe bashkëshortet e tyre, sepse unë do të shtrij dorën time mbi banorët e vendit," thotë Zoti.
13 "Sepse nga më i vogli deri tek më i madhi të gjithë lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti janë të gjithë gënjeshtarë.
14 Ata e mjekojnë shkel e shko plagën e popullit tim, duke thënë: "Paqe, paqe," kur nuk ka paqe.
15 A ju vinte turp kur kryenin gjëra të neveritshme? Jo! Nuk kishin turp fare dhe as nuk dinin se ç’ishte të skuqeshe. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t’i vizitoj, do të rrëzohen," thotë Zoti.
16 Kështu thotë Zoti: "Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj". Por ata përgjigjen: "Nuk do të ecim nëpër të".
17 "Kam vënë roje mbi ju: Kushtojini kujdes zërit të borisë!". Por ata përgjigjen: "Nuk do t’i kushtojmë kujdes".
18 "Prandaj, dëgjoni, o kombe, dhe dije, o kuvend, çfarë do t’u ndodhë atyre.
19 Dëgjo, o tokë! Ja, unë do të sjell mbi këtë popull një gjëmë, vetë frytin e mendimeve të tij, sepse nuk u kanë kushtuar kujdes fjalëve të mia dhe as ligjit tim, por e kanë hedhur poshtë.
20 Ç’më hyn në punë temjani që vjen nga Sheba, kanella erë mirë që vjen nga një vend i largët? Olokaustet tuaja nuk më pëlqejnë dhe sakrificat tuaja nuk më pëlqejnë".
21 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të vendos para këtij populli disa gurë pengese në të cilët do të pengohen bashkë etër dhe bij; fqinji dhe miku do të vdesin".
22 Kështu thotë Zoti: "Ja, një popull vjen nga një vend i veriut dhe një komb i madh do të dalë nga skajet e tokës.
23 Ata rrokin harkun dhe ushtën; janë të egër dhe nuk kanë mëshirë; zëri i tyre i ngjet zhurmës së detit; ata kanë hipur mbi kuaj dhe janë gati të luftojnë si një njeri i vetëm kundër teje, o bijë e Sionit".
24 "Kemi dëgjuar famën e tyre dhe na ranë duart; ankthi na ka mbërthyer, ashtu si dhembjet që zënë një grua që po lind".
25 Mos dilni nëpër ara, mos ecni nëpër rrugë, sepse shpata e armikut dhe tmerri janë kudo.
26 O bijë e popullit tim, vishu me thes dhe rrotullohu në hi; mbaj zi si për një bir të vetëm, me një vajtim shumë të hidhur, sepse shkatërruesi do të sulet mbi ne papritmas.
27 Unë të kisha vënë midis popullit tim si një provues dhe një fortesë, me qëllim që ti të njihje rrugën e tyre dhe ta provoje atë.
28 Ata janë të gjithë rebelë midis rebelëve, shkojnë rreth e qark duke përhapur shpifje; janë bronz dhe hekur, janë të tërë korruptues.
29 Gjyryku fryn me forcë, plumbi konsumohet nga zjarri; më kot e rafinon rafinuesi, sepse skorjet nuk shkëputen.
30 Do të quhen "argjend i refuzimit," sepse Zoti i ka hedhur poshtë.