Jeremia 12-14
Albanian Bible
12 Ti je i drejtë, o Zot, si mund të diskutoj me ty? Megjithatë do të flas me ty lidhur me gjykimet e tua. Pse udha e të pabesëve shkon mbarë? Pse jetojnë të qetë ata që veprojnë me pabesi?
2 I ke mbjellë dhe kanë lëshuar madje rrënjë; rriten dhe mbajnë madje fryte. Ti je afër gojës së tyre, por larg zemrës së tyre.
3 Por ti, o Zot më njeh, më shikon dhe shqyrton zmrën time në përqasje me ty. Tërhiqi në thertore si dele dhe veçoji për ditën e kërdisë!
4 Deri kur do të mbajë zi vendi dhe do të thahet bari i çdo fushe? Nga shkaku i ligësisë së banorëve të tij, kafshët dhe zogjtë shfarosen, sepse ata thonë: "Ai nuk do ta shikojë fundin tonë".
5 Në rast se ti fugon me këmbësorët dhe ata të lodhin, si mund të hysh në garë me kuajt? Në rast se e ndjen veten të sigurt vetëm në një vend paqësor, çfarë do të bësh kur Jordani do të fryhet?
6 Sepse edhe vëllezërit e tu dhe shtëpia e atit tënd kanë vepruar në mënyrë të pabesë ndaj teje; edhe ata të bërtasin nga pas me zë të lartë. Mos ki besim tek ata kur do të thonë fjalë të mira.
7 Braktisa shtëpinë time, hodha poshtë trashëgiminë time; dhashë atë që kam më të shtrenjtë në duart e armiqve të tij.
8 Trashëgimia ime është bërë për mua si një luan në pyll; lëshoi ulërimën e tij kundër meje; për këtë e urreva.
9 Trashëgimia ime ka qenë për mua si një shpend grabitqar lara-lara; shpendët grabitqarë hidhen kundër saj nga çdo anë. Shkoni, mblidhini tërë kafshët e fushës, sillini këtu që t’i gëlltisin!
10 Shumë barinj kanë shkretuar vreshtin tim, kanë shkelur pjesën time, e kanë katandisur pjesën time të këndshme në një shkretëtirë të mjeruar.
11 E kanë katandisur në një shkretim; e shkretuar, të pikëllon para meje; tërë vendi është i shkretuar, por asnjeri nuk mendon për të.
12 Mbi të gjitha lartësitë e shkretëtirës kanë arritur shkatërruesit dhe shpata e Zotit e përpin vendin nga një skaj në skajin tjetër të tij; asnjë mish nuk ka paqe.
13 Kanë mbjellë grurë, por korrin gjemba; janë lodhur, por pa asnjë përfitim. Do t’u vijë turp nga korrja juaj, për shkak të zemërimit të fortë të Zotit!
14 Kështu thotë Zoti për të gjithë fqinjët e mi të këqij, që prekin trashëgiminë që i dhashë në zotërim popullit tim Izrael: "Ja, do t’i çrrënjos nga vendi i tyre dhe do të çrrënjos shtëpinë e Judës në mes të tyre.
15 Por ka për të ndodhur që, pasi t’i kem çrrënjosur, do të më vijë keq përsëri për ta dhe do ta çoj përsëri secilin në trashëgiminë e tij, secilin në vendin e tij.
16 Dhe ka për të ndodhur që, në rast se mësojnë me kujdes rrugët e popullit tim dhe në se betohen me emrin tim, duke thënë: "Zoti rron," ashtu siç e kanë mësuar popullin tim të betohet për Baalin, do të vendosen mirë e bukur në mes të popullit tim.
17 Por në rast se nuk do të dëgjojnë, unë do ta çrrënjos plotësisht atë komb dhe do ta shkatërroj," thotë Zoti.
13 Kështu më ka thënë Zoti: "Shko të më blesh një brez prej liri dhe vëre mbi ijët e tua, por mos e zhyt në ujë".
2 Kështu unë bleva brezin, sipas fjalëve të Zotit dhe e vura mbi ijët e mia.
3 Pastaj fjala e Zotit m’u drejtua për herë të dytë, duke thënë:
4 "Merr brezin që ke blerë dhe që e ke mbi ijët e tua, çohu, shko në drejtim të Eufratit dhe aty fshihe në të çarën e një shkëmbi".
5 Unë shkova dhe e fsheha pranë Eufratit, ashtu si më kishte porositur Zoti.
6 Mbas shumë ditësh ndodhi që Zoti më tha: "Çohu, shko në drejtim të Eufratit dhe merr aty brezin që të kisha urdhëruar të fshihje".
7 Unë shkova në drejtim të Eufratit, gërmova dhe mora brezin nga vendi ku e kisha fshehur. Por brezi ishte kalbur dhe nuk vlente më për asgjë.
8 Atëherë Zoti më drejtoi fjalën, duke thënë:
9 "Kështu thotë Zoti: "Në këtë mënyrë unë do të shkatërroj kryelartësinë e Judës dhe kryelartësinë e madhe të Jeruzalemit.
10 Ky popull i keq, që nuk pranon të dëgjojë fjalët e mia, që ecën kryelartë sipas zemrës së tij dhe u shkon pas perëndive të tjera për tu shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, do të bëhet si ky brez që nuk vlen më për asgjë.
11 sepse ashtu si brezi përputhet me ijët e njeriut, kështu unë kisha bërë që të përputhej me mua tërë shtëpia e Izraelit dhe tërë shtëpia e Judës," thotë Zoti, me qëllim që të ishin populli im për famën, lavdinë dhe zulmin tim, por nuk deshën të më dëgjojnë"".
12 "Prandaj ti do t’u thuash atyre këtë fjalë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Çdo poç do të mbushet me verë". Në rast se më vonë do të të thonë: "A nuk e dimë vallë që çdo poç mbushet me verë?,"
13 ti do t’u përgjigjesh atyre: "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do t’i deh tërë banorët e këtij vendi: mbretërit që ulen në fronin e Davidit, priftërinjtë, profetët dhe tërë banorët e Jeruzalemit.
14 Do t’i copëtoj njërin kundër tjetrit, etërit dhe bijtë së bashku,"" thotë Zoti. "Nuk do të kem mëshirë, nuk do t’i fal, nuk do të kem asnjë dhembshuri që të më pengojë t’i shkatërroj".
15 Dëgjoni dhe vini veshin: Mos t’ju rritet mendja, sepse Zoti foli.
16 I jepni lavdi Zotit, Perëndisë tuaj, para se të sjellë terrin dhe para se këmbët tuaja të pengohen në malet e mbështjella në muzg, sepse ndërsa ju prisni dritën, ai e ndërron në hije të vdekjes dhe e ndryshon në errësirë të thellë.
17 Por në rast se nuk e dëgjoni këtë, shpirti im do të qajë në fshehtësi për shkak të kryelartësisë suaj, sytë e mi do të qajnë parreshtur dhe do të derdhin lot, sepse kopeja e Zotit do të çohet në robëri.
18 Thuaji mbretit dhe mbretëreshës nënë: "Uluni më poshtë, sepse sundimi juaj, kurora e lavdisë suaj, do të bjerë poshtë".
19 Qytetet e jugut janë të mbyllura dhe askush nuk do t’i hapë; tërë Juda është çuar në robëri, është çuar e tëra në robëri.
20 Ngrini sytë tuaj dhe shikoni ata që vijnë nga veriu; ku është kopeja që të ishte besuar, delet e tua të bukura?
21 Çfarë do të thuash kur të të ndëshkojë? Por ti vetë u ke mësuar atyre të jenë të parët dhe sunduesit e tu. A nuk do të të zënë dhembjet si një grua që është duke lindur?
22 Dhe në rast se do të thuash në zemrën tënde: "Përse më ndodhin këto gjëra?". Për shkak të përmasës së paudhësisë sate cepat e rrobës sate do të zbulohen dhe thembrat e tua do të duken lakuriq.
23 A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?
24 "Prandaj do t’i shpërndaj si byku që e merr era e shkretëtirës.
25 Ky është fati yt, pjesa që mata për ty," thotë Zoti, "sepse më ke harruar dhe i ke besuar gënjeshtrës.
26 Prandaj do të ngre edhe unë cepat e rrobës sime mbi fytyrë, në mënyrë që të duket turpi yt.
27 Kam parë shkeljet e tua të kurorës, hingëllimat e tua, shthurjen e kurvërisë sate, gjërat e neveritshme të kryera në kodra dhe në fusha. Mjerë ti, o Jeruzalem! Për sa kohë akoma do të mbetesh i pëgërë?".
14 Fjala e Zotit që iu drejtua Jeremias me rastin e thatësirës:
2 "Juda është në zi dhe portat e qyteteve të saj lëngojnë; mbajnë zi për vendin dhe britma e Jeruzalemit ngjitet deri në qiell.
3 Fisnikët dërgojnë ndër ta të rinjtë e tyre për të kërkuar ujë; këta shkojnë në sternat, por nuk gjejnë ujë dhe kthehen me enët e tyre bosh; janë plot me turp dhe të hutuar, dhe mbulojnë kokën e tyre.
4 Toka është plot me të çara, sepse nuk ka pasur shi në vend; bujqit janë plot me turp dhe mbulojnë kokën e tyre.
5 Edhe suta pjell nëpër fusha, por i braktis të vegjlit e saj, sepse nuk ka bar.
6 Gomerët e egjër ndalen në lartësitë dhe e nuhasin ajrin si çakejtë; sytë e tyre janë të shuar, sepse nuk ka bar".
7 Edhe në se paudhësitë tona dëshmojnë kundër nesh, o Zot, vepro për hir të emrit tënd, sepse rebelimet tona janë të shumta; kemi mëkatuar kundër teje.
8 O shpresë e Izraelit, shpëtimtari i tij në kohë fatkeqësie, pse të jesh në vend si një i huaj, si një udhëtar që ndalet vetëm për të kaluar natën?
9 Pse të jesh si një njeri i tronditur, si një njeri i fortë që nuk mund të shpëtojë? Megjithatë ti je në mes nesh, o Zot, emri yt përmendet mbi ne. Mos na braktis!
10 Kështu i thotë Zoti këtij populli: "Atyre u pëlqen me të vërtetë të enden, nuk përmbajnë hapat e tyre. Prandaj nuk i pëlqejnë Zotit, tani kujton paudhësinë e tyre dhe dënon mëkatet e tyre".
11 Pastaj Zoti më tha: "Mos u lut për këtë popull, për mirëqënien e tij.
12 Edhe sikur të agjërojnë, nuk kam për ta dëgjuar thirrjen e tyre; në rast se bëjnë olokauste dhe oferta ushqimesh nuk kam për t’i pëlqyer, por do t’i zhduk me shpatën, me urinë dhe murtajën".
13 Atëherë thashë: "Ah, Zot, Zot! Ja, profetët u thonë atyre: "Ju nuk do të shikoni shpatën dhe nuk do të vuani nga uria, por do t’ju jap një paqe të sigurt në këtë vend"".
14 Zoti më tha: "Profetët profetizojnë gënjeshtra në emrin tim; unë nuk i kam dërguar, nuk u kam dhënë asnjë urdhër dhe nuk kam folur me ta. Ata ju profetizojnë një pamje të rreme, një parashikim të kotë dhe mashtrimin e zemrës së tyre.
15 Prandaj kështu thotë Zoti për profetët që profetizojnë në emrin tim pa qenë të dërguar nga unë, dhe shpallin: "Nuk do të ketë as shpatë, as uri në këtë vend," këta profetë do të zhduken nga shpata dhe nga uria.
16 Sa për popullin të cilit i kanë profetizuar, do të hidhet në rrugët e Jeruzalemit për shkak të urisë dhe të shpatës, dhe nuk do të ketë asnjeri që t’i varrosë ata, gratë e tyre, bijtë dhe bijat e tyre. Kështu do të hedh mbi ta ligësinë e tyre".
17 U thuaj atyre pra, këtë fjalë: "Të derdhin lot ditë e natë sytë e mi pa pushim, sepse bija e virgjër e popullit tim u godit nga një fatkeqësi e madhe, nga një plagë e thellë.
18 Në rast se dal nëpër fusha, ja të vdekurit nga shpata; në rast se hyj në qytet, ja ata që vuajnë nga uria. Madje edhe profeti dhe prifti i vijnë rrotull një vendi që nuk njohin".
19 Vallë a e ke hedhur poshtë plotësisht Judën, ose je neveritur nga Sioni? Ke goditur dhe nuk ka shërim për ne? Ne prisnim paqen, por nuk ka asnjë të mirë, një kohë shërimi, por ja tmerri.
20 O Zot, ne e pranojmë ligësinë tonë dhe paudhësinë e etërve tanë; po, kemi mëkatuar kundër teje.
21 Mos na hidh poshtë për hir të emrit tënd, mos turpëro fronin e lavdisë sate. Mbaje mend: mos e prish besëlidhjen me ne.
22 Midis idhujve të kotë të njerëzve a ka vallë ndonjë që mund të sjellë shiun? Ose të japë qielli shira të bollshme? A nuk je ti pra, o Zot, Perëndia ynë? Prandaj ne shpresojmë te ti, sepse ke bërë tërë këto gjëra.