Isaia 28-30
Albanian Bible
28 Mjerë kurorës së kryelartësisë të të dehurve, të Efraimit dhe lules së fishkur të bukurisë së tij të lavdishme që ri mbi krye të luginës pjellore të atyre që i ka mposhtur vera!
2 Ja, Zoti ka një njeri të fortë dhe të fuqishëm, si një stuhi breshëri, si një tufan shkatërrues; si një aluvion ujërash të fuqishëm përmbytëse; ai do t’i hedhë për tokë me dorën e tij.
3 Kurora e kryelartësisë të të dehurve të Efraimit do të shkelet;
4 dhe lulja e fishkur e bukurisë së tij të lavdishme që rri mbi krye të luginës pjellore do të jetë si një fik i hershëm para verës që dikush e shikon; ai e gëlltit sapo e ka në dorë.
5 Atë ditë Zoti i ushtrive do të jetë një kurorë lavdie, një diadem i shkëlqyer për pjesën tjetër të popullit të tij,
6 një frymë drejtësie për atë që ulet për të gjykuar dhe forca e atyre që në betejë e sprapsin armikun deri te portat e tij.
7 Por edhe këta shkojnë sa djathtas aq edhe majtas për shkak të verës dhe u merren këmbët nga pijet dehëse; prifti dhe profeti lëkunden për shkak të pijeve dehëse, lëkunden sikur të kishin vegime, ngurrojnë në dhënien e vendimeve.
8 Tërë tryezat janë plot me të vjellura dhe me ndyrësira, nuk ka më një vend të pastër.
9 "Kujt dëshiron t’i mësojë diturinë? Kujt dëshiron t’ia bëjë të kuptueshëm mesazhin? Atyre që sapo janë zvjerdhur, atyre që sapo janë shkëputur nga sisa?
10 Sepse ka një urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, regull mbi regull, regull mbi regull, pak këtu dhe pak atje".
11 Në fakt do të ndodhë që me buzë që bëlbëzojnë dhe me një gjuhë tjetër Zoti do t’i flasë këtij populli.
12 Ai u kishte thënë: "Ja pushimi: vëreni të lodhurin të pushojë; këtu është fresk!". Por ata nuk deshën ta dëgjojnë.
13 Kështu fjala e Zotit u bë për ta urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, rregull mbi rregull, rregull mbi rregull, pak këtu, pak atje, me qëllim që ata të binin mbrapsht, të bëheshin copë-copë, t’i zinte laku dhe të kapeshin.
14 Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o tallës, që sundoni mbi këtë popull, që rri në Jeruzalem!
15 Ju thoni: "Kemi përfunduar një besëlidhje me vdekjen, kemi bërë një aleancë me Sheolin; kur rebeshi përmbytës do të kalojë, nuk do të arrijë deri te ne, sepse gënjeshtrën e kemi bërë strehën tonë dhe jemi fshehur prapa falsitetit".
16 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë vendos si themel në Sion një gur, një gur të provuar, një kokë qosheje të çmuar, një themel të sigurt; ai që i beson atij nuk do të ngutet.
17 Unë do të vendos të drejtën si masë dhe drejtësinë si plumbçe; breshëri do të pastrojë strehën e gënjeshtrës dhe ujërat do të përmbytin strehën tuaj.
18 Besëlidhja juaj me vdekjen do të anulohet dhe aleanca juaj me Sheolin nuk do të qëndrojë; kur rrebeshi përmbytës do të kalojë, ju do të shkeleni prej tij.
19 Sa herë që do të kalojë, do t’ju kapë, sepse do të kalojë çdo mëngjes, ditën dhe natën, do të jetë një tmerr i vërtetë të dëgjosh vetëm të ta rrëfejnë.
20 Në fakt shtrati do të jetë i shkurtër për t’u shtrirë dhe mbulesa tepër e ngushtë për t’u mbuluar me të.
21 Sepse Zoti do të ngrihet si në malin e Peratsimit, do të zemërohet si në luginën e Gabaonit, për të plotësuar veprën e tij, veprën e tij të padëgjuar, për të plotësuar punën e tij, punën e tij të pazakontë.
22 Mos u bëni, pra, tallës që lidhjet tuaja të mos përforcohen. Sepse unë kam dëgjuar nga ana e Zotit, e Zotit të ushtrive, se është vendosur shfarosja e plotë e gjithë vendit.
23 Vini vesh dhe dëgjoni zërin tim, tregohuni të kujdesshëm dhe dëgjoni fjalën time!
24 A nuk lëron tërë ditën bujku për të mbjellë? A vazhdon vallë, ta çajë dhe ta prashitë tokën e tij?
25 Mbasi ka sheshuar sipërfaqen e saj, a nuk mbjell koprën dhe nuk përhap barin e gjumit, nuk vë grurin në brazda, elbin në vendin e caktuar dhe grurin e fortë gjatë kufijve?
26 Perëndia i tij i tregon rregullin që duhet të ndjekë dhe e mëson.
27 Kopra nuk shihet me shirësen dhe nuk kalohet rrota e qerres mbi barin e gjumit; por koprën e rrahin me shkop dhe barin e gjumit me shufër.
28 Gruri për bukë duhet të shtypet; prandaj nuk shtypet për gjithnjë, por kalohen mbi të rrota të qerres dhe kuajt, por pa e shtypur.
29 Edhe kjo vjen nga Zoti i ushtrive, që është i mrekullueshëm në këshillat e tij dhe i madh për nga dituria".
29 Mjerë Arieli, Arieli, qytet ku fushoi Davidi! I shtoni vit vitit, festat le të plotësojnë ciklin e tyre.
2 Pastaj do ta hedh Arielin në ankth; do të ketë ankim dhe rënkime dhe për mua do të jetë si një Ariel.
3 Unë do të fushoj kundër teje rreth e qark, do të të rrethoj me një ledh dhe do të ngre bastione kundër teje.
4 Do të ulesh, do të flasësh nga toka dhe fjala jote do të dalë e mbytur nga pluhuri; zëri yt do të ngjitet nga toka si ai i një mediumi dhe fjala jote do të pëshpëritë nga pluhuri.
5 Turma e armiqve të tu do të jetë si pluhur i hollë dhe turma e të fuqishmëve si byk i shpërndarë; dhe kjo ka për të ndodhur papritmas, në një çast.
6 Ti do të vizitohesh nga Zoti i ushtrive me gjëmime, tërmete dhe zhurma të mëdha, me shakullima dhe flakë zjarri përvëlues.
7 Moria e të gjitha kombeve që luftojnë kundër Arielit, e të gjitha atyre që e luftojnë atë dhe fortesën e tij dhe e shtrëngojnë rreth e qark do të jetë si një ëndërr, si një vegim nate.
8 Ka për të ndodhur ashtu si kur një i uritur që ëndërron të hajë, por kur zgjohet e ka stomakun bosh, apo si kur një i etur ëndërron të pijë, por kur zgjohet është i lodhur dhe e ka grykën të tharë; kështu ka për të ndodhur me morinë e të gjitha kombeve që luftojnë kundër malit të Sionit.
9 Ndaluni dhe habituni. Braktisjuni qejfeve dhe pastaj shikoni rreth e rrotull të trembur. Këta janë të dehur, por jo nga vera; u merren këmbët, por jo për pasojë të pijeve dehëse.
10 Në fakt Zoti ka shpërndarë mbi ju një frymë topitjeje; ka mbyllur sytë tuaja, profetët, ka mbuluar me vel krerët tuaj, shikuesit.
11 Çdo vegim profetik është bërë për ju si fjalët e një libri të vulosur që i jepet dikujt që di të lexojë; duke i thënë: "Të lutem, lexoje, këtë!," por ai përgjigjet: "Nuk mundem, sepse është i vulosur!".
12 Ose si një libër që i jepet dikujt që nuk di të lexojë, duke i thënë: Të lutem, lexoje këtë!,," por ai përgjigjet: "Nuk di të lexoj".
13 Prandaj Zoti thotë: "Me qenë se ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit,
14 prandaj, ja, unë do të vazhdoj të bëj mrekulli në mes të këtij populli, po, mrekulli dhe çudi: dituria e njerëzve të tij të urtë do të shuhet dhe zgjuarësia e të mënçurve të tij do të zhduket".
15 Mjerë ata që shkojnë në vende të thella për t’ia fshehur Zotit planet e tyre, që i bëjnë veprat e tyre në terr dhe thonë: "Kush na sheh? Kush na njeh?"
16 I keni përmbysur plotësisht gjërat. A mund të konsiderohet poçari i barabartë me argjilën? A mundet vepra t’i thotë atij që e ka bërë: "Nuk më ka bërë ai"?, ose gjëja e formuar t’i thotë atij që e ka formuar: "Nuk ka zgjuarësi"?
17 Brenda një kohe shumë të shkurtër dhe Libani do të shndërrohet në një pemishte, dhe pemishtja do të konsiderohet si një pyll.
18 Të shurdhët do të kuptojnë atë ditë fjalët e librit dhe, të çliruar nga errësira dhe terri, sytë e të verbërve kanë për të parë.
19 Të përulurit do të mund të gëzojnë akoma te Zoti dhe të varfërit e njerëzimit do të ngazëllohen tek i Shenjti i Izraelit.
20 Sepse tirani do të jetë zhdukur, tallësi do të jetë shkatërruar, dhe do të jenë shfarosur tërë ata që kurdisin paudhësi,
21 që dënojnë një njeri për një fjalë, që i kurdisin kurthe atij që gjykon te porta, që prishin të drejtën e të drejtit për asgjë.
22 Prandaj kështu i thotë shtëpisë së Jakobit Zoti që shpengoi Abrahamin: Tani e tutje Jakobi nuk do të turpërohet më dhe fytyra e tij nuk do tëë zverdhet më;
23 por kur do të shohë bijtë e tij, veprën e duarve të mia në mes të tij, ata do të shenjtërojnë emrin tim, do të shenjtërojnë të Shenjtin e Jakobit dhe do të kenë frikë nga Perëndia i Izraelit.
24 Ata që kanë frymë të përdalë do të arrijnë të kenë gjykim dhe murmuruesit do të mësojnë doktrinën e shëndoshë".
30 "Mjerë bijtë rebelë, thotë Zoti, që bëjnë projekte që nuk vijnë nga unë, që lidhin aleanca, por pa Frymën time, për të grumbulluar mëkate mbi mëkate;
2 që shkojnë poshtë në Egjipt pa konsultuar më parë gojën time, për t’u përforcuar në forcën e Faraonit dhe për të kërkuar strehë në hijen e Egjiptit!
3 Por forca e Faraonit do të jetë turpi juaj dhe streha në hije të Egjiptit fatkeqësia juaj.
4 Sepse princat e tij kanë shkuar në Tsoan dhe ambasadorët e tij kanë arritur në Hanes.
5 Por do të turpërohen të gjithë nga një popull që nuk do t’u hyjë fare në punë, që nuk do t’iu japë asnjë ndihmë o përfitim, por vetëm turp dhe poshtërim.
6 Një profeci kundër kafshëve të Neghevit: nëpërmjet një vendi të mjeruar dhe plot ankthe, prej të cilit vijnë luanesha dhe luani, nepërka dhe gjarpëri i zjarrtë që fluturon, ata mbartin pasuritë e tyre mbi kurrizin e gomarëve dhe thesaret e tyre mbi kurrizin e deveve një populli prej të cilit nuk kanë për të përfituar asgjë.
7 Sepse ndihma e Egjiptit është e kotë dhe e padobishme, prandaj unë e quaj: "Rahab-Hem-Shebeth".
8 Tani eja, shkruaje këtë mbi një rrasë të vogël dhe shkruaje në një libër, që të mbetet për ditët e ardhshme, për gjithnjë, përjetë.
9 Sepse ky është një popull rebel, janë bij gënjeshtarë, bij që nuk duan të dëgjojnë ligjin e Zotit,
10 që u thonë shikuesve: "Mos kini vegime," dhe profetëve: "Mos na profetizoni gjëra të vërteta, na tregoni gjëra të këndshme, na profetizoni gjëra mashtruese.
11 Dilni jashtë rruge, braktisni shtegun e drejtë, largoni nga sytë tona të Shenjtin e Izraelit!"".
12 Prandaj kështu thotë i Shenjti i Izraelit: "Me qenë se ju e përçmoni këtë fjalë dhe keni besim te shtypja dhe te ligësia, dhe mbështeteni mbi to,
13 kjo paudhësi do të jetë për ju si e çarë që rrezikon të rrëzohet, një dalje te një mur i lartë, rrëzimi i të cilit ndodh papritmas, në një çast,
14 dhe thyhet si një enë prej balte të pjekur, që dikush copëton pa mëshirë duke mos mundur të gjejë në copat e tij qoftë edhe një copë për të marrë zjarr në vatër ose për të marrë ujë nga sterna".
15 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti, i Shenjti i Izraelit: "Duke u kthyer tek unë dhe duke pushuar tek unë, do të shpëtoni; forca juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj. Por ju nuk keni dashur,
16 madje keni thënë: "Jo, ne do të ikim me kuajt tanë!". Prandaj ju do të ikni. Dhe: "Do të shkojmë me kuaj të shpejtë!". Prandaj ata që do t’ju ndjekin do të jenë edhe më të shpejtë.
17 Një mijë prej jush do të ikin nën kërcënimin e një të vetmi; nën kërcënimin e pesë vetave do të ikni me vrap, deri sa të rrini si një hu mbi majën e një mali, si një flamur mbi një kodër".
18 Prandaj Zoti do të presë për t’ju dhënë hir, pastaj ai do të lartësohet, sepse i erdhi keq për ju, sepse Zoti është një Perëndi i drejtësisë. Lum të gjithë ata që kanë shpresë tek ai!
19 O popull i Sionit që banon në Jeruzalem, ti nuk do të qash më. Ai do të të bëj nder me siguri; duke dëgjuar zërin e britmës sate; sapo të të dëgjojë, do të përgjigjet.
20 Edhe sikur Zoti t’ju japë bukën e ankthit dhe ujin e shtypjes, megjithatë ata që të mësojnë nuk do të duhet të fshihen, dhe sytë e ty do të shohin mësuesit e tu.
21 Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: "Kjo është rruga, ecni në të!".
22 Konsiderojini si të papastra shëmbëlltyrat tuaja të gdhendura të veshura me argjend dhe shëmbëlltyrat tuaja prej metali të derdhur të veshura me ar; do t’i flakni tutje si një gjë e papastër, "Jashtë!," do t’u thoni atyre.
23 Atëherë ai do t’i japë shiun për farën tënde që do të kesh mbjellë në tokë; dhe buka që toka do të prodhojë do të jetë e shijshme dhe e bollshme; atë ditë bagëtia jote do të kullosë në kullota të gjera.
24 Qetë dhe gomarët që punojnë tokën do të hanë forazhin me kripë, të ajrosur me lopatën e drithit.
25 Mbi çdo mal të lartë dhe mbi çdo kodër të lartë do të ketë rrëke dhe rrjedha uji ditën e masakrës së madhe, kur do të rrëzohen kullat.
26 Drita e hënës do të jetë si drita e diellit, dhe drita e diellit do të jetë shtatë herë më e fortë, si drita e shtatë ditëve, ditën kur Zoti do të lidhë plagën e popullit të tij dhe do të shërojë plagën e shkaktuar nga goditjet e tij.
27 Ja, emri i Zotit vjen nga larg; zemërimi i tij është i zjarrtë dhe barra e tij e rëndë; buzët e tij janë plot indinjatë dhe gjuha e tij si një zjarr që të përpin;
28 fryma e tij është si një përrua që vërshon dhe që arrin deri në qafë për të shoshitur kombet me shoshën e shkatërrimit dhe për të vënë në nofullat e popujve një fre që t’i bëjë të përdalin.
29 Atëherë do t’ia merrni një këngë si natën kur kremtoni një festë; dhe do të keni gëzim në zemër, ashtu si ai që shkon me zërin e fyellit në malin e Zotit, në kështjellën e Izraelit.
30 Pastaj Zoti do të bëjë të dëgjohet zëri i tij madhështor dhe do të tregojë si godet me krahun e tij kur tërbohet zemërimi i tij, në flakën e një zjarri gllabërues, në mes shpërthimesh të furishme, uraganësh dhe breshëri gurësh.
31 Me qenë se Asiria do të goditet nga frika e zërit të Zotit, që do ta rrahë me shufër;
32 dhe çdo goditje që do të jepet me shkopin të cilin Zoti do të bëjë t’i bjerë mbi të, do të shoqërohet nga tingujt e dajreve dhe të qesteve. Ai do të luftojë kundër asaj duke tundur dorën në mënyrë kërcënuese.
33 Tofeti është përgatitur prej shumë kohe, ai është gati edhe për mbretin; ky e ka bërë të thellë dhe të gjerë; mbi turrën e druve për ta djegur ka zjarr dhe dru me shumicë; fryma e Zotit, si një rrymë squfuri, do ta ndezë.