Isaia 14-16
Albanian Bible
14 Me qenë se Zotit do t’i vijë keq për Jakobin, ai do të zgjedhë përsëri Izraelin dhe do t’i rivendosë në tokën e tyre; të huajtë do të bashkohen me ta dhe do të lidhen me shtëpinë e Jakobit.
2 Popujt do t’i marrin dhe do t’i çojnë përsëri në vendin e tyre dhe shtëpia e Izraelit do t’i zotërojë në vendin e Zotit si robër dhe robinja; do të zënë robër ata që i kishin zënë robër dhe do të mbretërojnë mbi shtypësit e tyre.
3 Kështu që ditën në të cilën Zoti do t’i japë prehje lodhjes sate, shqetësimit tënd nga skllavëria e rëndë së cilës i ishe nënshtruar,
4 ti do të shqiptosh këtë sentencë mbi mbretin e Babilonisë dhe do të thuash: "Ashtu si mbaroi shtypësi, tagrambledhja e arit ka mbaruar.
5 Zoti e ka thyer shkopin e të pabesëve, skeptrin e tiranëve.
6 Ai që në tërbim e sipër godiste popujt me goditje të pandërprera, ai që sundonte me zemërim mbi kombet tani përndiqet pa mëshirë.
7 Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit shpërthejnë në britma gëzimi.
8 Madje edhe selvitë e kedrat e Libanit gëzohen për ty dhe thonë: "Që kur ke rënë, asnjë druvar s’ka dalë kundër nesh".
9 Sheoli poshtë është në lëvizje për ty, me qëllim që të të dalë përpara kur të vish; ai zgjon frymët e të vdekurve, tërë princat e dheut; ka ngritur nga fronet e tyre gjithë mbretërit e kombeve.
10 Të gjithë e marrin fjalën për të të thënë: "Edhe ti je bërë i dobët si ne dhe je bërë i ngjashëm me ne.
11 Salltaneti yt ka rënë në Sheol tok me tingujt e harpave të tua; poshtë teje shtrihet një shtrat me krimba dhe krimbat janë mbulesa jote".
12 Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet?
13 Ti thoshnje në zemrën tënde: "Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut;
14 do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin".
15 Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës.
16 Ata që të shikojnë të ngulin sytë, të vërejnë me kujdes dhe thonë: "Ky është njeriu që e bënte tokën të dridhej, që i trondiste mbretëritë,
17 që e katandisi botën në shkretëtirë, që shkatërron qytetet e saj dhe nuk i la kurrë të shkojnë të lirë robërit e tij?".
18 Të gjithë mbretërit e kombeve, tërë ata prehen në lavdi, secili në varrin e tij;
19 ty përkundrazi të hodhën larg varrit tënd si një farë e neveritshme, si një rrobe të të vrarëve nga shpata, që i zbresin mbi gurët e gropës, si një kufomë e shkelur.
20 Ti nuk do të bashkohesh me ta në varr, sepse ke shkatërruar vendin tënd dhe ke vrarë popullin tënd; pasardhësit e keqbërësve nuk do të përmenden më.
21 Përgatitni masakrën e bijve të tij për shkak të paudhësisë së etërve të tyre, që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën dhe për të mbushur faqen e dheut me qytete.
22 "Unë do të ngrihem kundër tyre," thotë Zoti i ushtrive, "dhe do të shfaros nga Babilonia emrin dhe ata që kishin shpëtuar, fëmijët dhe pasardhësit," thotë Zoti.
23 "Do të bëj që atje të sundojë iriqi dhe moçali; do ta fshij me fshesën e shkatërrimit," thotë Zoti i ushtrive".
24 Zoti i ushtrive është betuar duke thënë: "Në të vërtetë ashtu siç e kam menduar ashtu do të jetë, dhe ashtu si kam vendosur, kështu ka për të ndodhur.
25 Do ta dërrmoj Asirin në vendin tim, do ta shkel në malet e mia; atëherë zgjedha e tij do t’u hiqet atyre dhe barra tij do të hiqet nga kurrizi i tyre.
26 Ky është plani i vendosur kundër të gjithë dheut dhe kjo është dora e shtrirë kundër të gjithë kombeve.
27 Me qenë se Zoti i ushtrive e ka vendosur këtë, kush mund t’ia anullojë? Dora e tij është shtrirë dhe kush mund ta detyrojë ta tërheqë?".
28 Në vitin e vdekjes së mbretit Ashaz u shqiptua kjo profeci:
29 "Mos u gëzo, o Filisti e tërë, sepse shufra që të godiste është thyer! Sepse nga rrënja e gjarpërit ka për të dalë një nëpërkë, dhe fryti i saj do të jetë një gjarpër i zjarrtë dhe fluturues.
30 Të parëlindurit e të varfërve do të kenë ç’të hanë dhe nevojtarët do të pushojnë të sigurt; por do të bëj që të vdesin urie rrënjët e tua dhe kjo do të shkatërrojë mbetjen tënde.
31 Bërtit, o portë, thirr, o qytet! Shkrihu, o Filisti e tërë, sepse nga veriu vjen një tym, dhe askush nuk lë vendin e tij në radhët e veta".
32 Çfarë përgjigje do t’u jepet lajmëtarëve të këtij kombi? "Që Zoti ka themeluar Sionin dhe që në të gjejnë strehë të mjerët e popullit të tij".
15 Profecia mbi Moabin. Ar-Moabi është shkretuar natën dhe është shkatërruar. Po, Kir-Moabi është shkretuar natën dhe është shkatërruar.
2 Éshtë ngjitur në tempull dhe në Didon, në vendet e larta, për të qarë; Moabi ngre një vajtim për Nebin dhe Medebën; të gjitha kokat janë rruar, të gjitha mjekrat janë prerë.
3 Në rrugët e tij ata vishen me thasë, mbi çatitë dhe në sheshet gjithkush ankohet dhe qan me të madhe.
4 Heshboni dhe Elealehu këlthasin, klithma e tyre dëgjohet deri në Jahats; prandaj luftëtarët e Moabit nxjerrin klithma dhembjeje; shpirti i tij drithërohet.
5 Zemra ime vajton për Moabin, të ikurit e të cilit arrijnë deri në Tsoar, si një mëshqerrë trevjeçare. Po, ata e marrin duke qarë të përpjetën e Luhithit dhe nxjerrin britma shkatërrimi në rrugën e Horonaimit;
6 sepse ujërat e Nimrimit janë një shkretim, bari është tharë, bari i njomë është zhdukur; nuk gjelbëron më asgjë.
7 Prandaj pasuritë që i kanë grumbulluar dhe gjërat që kanë mbledhur i çojnë matanë përroit të shelgjeve.
8 Britmat jehojnë nëpër gjithë territorin e Moabit, klithma e tij arrin deri në Eglaim, klithma e tij arrin deri në Beer-Elim.
9 Ujërat e Dimonit janë plot me gjak, sepse do t’i shkaktoj Dimonit të këqija të tjera: një luan për ata që shpëtuan nga Moabi dhe për ata që kanë mbetur në vend.
16 "Dërgojini një qengj sunduesit të vendit, nga Sela në drejtim të shkretëtirës, në malin e bijës së Sionit.
2 Sepse do të ndodhë që në vaun e Arnonit vajzat e Moabit do të jenë si një zog i dëbuar nga foleja.
3 Na jep një këshillë, bëj drejtësi! Bëje hijen tënde si nata, në mes të ditës; fshih ata që janë shpërndarë, mos i tradhëto ikanakët.
4 O Moab, lejo që të banojnë pranë teje njerëzit e mi që janë shpërndarë, ji për ta një strehë përballë shkatërruesit. Sepse tirani nuk është më, shkatërrimi ka marrë fund, shtypësit janë zhdukur nga vendi.
5 Atëherë një fron do të jetë i qëndrueshëm në dhembshuri dhe mbi të do të ulet në besnikëri, në çadrën e Davidit, një që do të gjykojë, do ta ushtrojë gjykimin dhe do të jetë i gatshëm të sigurojë drejtësinë".
6 "Kemi dëgjuar të flitet për krenarinë e Moabit, jashtëzakonisht krenar, për fodullëkun e tij, për kryelartësinë e tij, për arrogancën e tij, për mburrjen e tij pa baza".
7 Për këtë Moabi do të bëjë një vajtim për Moabin, të gjithë do të vajtojnë. Ju do të qani të dëshpëruar për pitet me rrush të Kir-Haresethit.
8 Sepse fushat e Heshbonit po meken, po kështu edhe vreshtat e Sibmahut; sunduesit e kombeve kanë shkatërruar bimët e saj më të mira që arrinin deri në Jazer dhe endeshin nëpër shkretëtirë; degët e saj shtriheshin dhe tejkalonin detin.
9 Prandaj me qarjen e Jazerit do të qaj vreshtat e Sibmahut; do të të vadis me lotët e mi, o Heshbon, o Elealeh, sepse mbi frytet e tua të verës dhe mbi të korrat e tua ka rënë një britmë lufte.
10 Gëzimi dhe hareja janë zhdukur nga fusha pjellore; ndër vreshta nuk ka më as këngë, as britma gëzimi; shtrydhësi i rrushit nuk shtrydh më verën ndër voza; unë nuk nxjerr më britma gëzimi.
11 Prandaj të përbrendshmet e mia dridhen për Moabin si një harpë; dhe zemra ime për Kir-Heresin.
12 Dhe do të ndodhë që kur të paraqitet Moabi, dhe të lodhet në vendin e lartë; ai do të hyjë në shenjtëroren e tij për t’u lutur, por nuk do të fitojë asgjë.
13 Kjo është fjala që Zoti i drejtoi dikur Moabit.
14 Por tani Zoti ka folur, duke thënë: "Brenda tre vjetëve, si vitet e një argati me mëditje, lavdia e Moabit do të bjerë e do të përçmohet bashkë me tërë atë turmë të madhe; dhe do të mbetet vetëm një numër shumë i vogël dhe i pafuqishëm".