Galatasve 1-3
Albanian Bible
1 Pali, apostull (jo nga njerëzit, as me anë të njeriut, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atit, që e ringjalli prej së vdekurish),
2 dhe gjithë vëllezërit që janë me mua, kishave të Galatisë:
3 Paçi hir e paqe nga Perëndia Ati dhe nga Zoti ynë Jezu Krishti,
4 që e dha veten e tij për mëkatet tona, për të na shpëtuar nga kjo kohë e mbrapshtë, sipas vullnetit të Perëndisë, Atit tonë,
5 i cili pastë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.
6 Çuditëm që kaluat kaq shpejt nga ai që ju thirri ju me anë të hirit të Krishtit, në një ungjill tjetër,
7 i cili nuk është tjetër; por ka disa njerëz që ju turbullojnë dhe që duan ta shtrëmbërojnë ungjillin e Krishtit.
8 Por, edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t’ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar.
9 Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar.
10 Sepse unë tani vallë kërkoj të fitoj miratimin e njerëzve apo të Perëndisë? Apo kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Sepse, po të kërkoja t’u pëlqej njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit.
11 Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni se ungjilli që është shpallur nga unë, nuk është sipas njeriut,
12 sepse unë nuk e kam marrë as e kam mësuar nga ndonjë njeri, por e kam marrë nëpërmjet një zbulese nga Jezu Krishti.
13 Sepse ju keni dëgjuar për sjelljen time të atëhershme në judaizëm, si e përndiqja me egërsi të madhe kishën e Perëndisë dhe e shkatërroja.
14 Dhe si përparoja në judaizëm më tepër se shumë bashkëkohës të kombit tim, duke qenë jashtëzakonisht i zellshëm për traditat e etërve të mi.
15 Po, kur i pëlqeu Perëndisë, që më kishte ndarë që nga barku i nënës dhe më thirri me anë të hirit të tij,
16 që të zbulojë në mua Birin e tij, që unë t’ua shpall midis joçifutëve, unë nuk mora menjëherë këshill nga mish dhe gjak,
17 as nuk u ngjita në Jeruzalem tek ata që ishin apostuj përpara meje, por shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask.
18 Pastaj, pas tre vjetësh, u ngjita në Jeruzalem për të takuar Pjetrin dhe ndenja me të pesëmbëdhjetë ditë.
19 Dhe nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë, përveç Jakobit, vëllait të Zotit.
20 Dhe në këto që po ju shkruaj, ja, përpara Perëndisë, nuk gënjej.
21 Pastaj shkova në krahinat e Sirisë dhe të Kilikisë.
22 Por unë personalisht isha i panjohur nga kishat e Judesë, që janë në Krisht,
23 po ato kishin dëgjuar vetëm: “Ai që na persekutonte më përpara, tani po shpall atë besim që ai shkatërronte,”
24 dhe përlëvdonin Perëndinë për shkakun tim.
2 Pastaj, pas katërmbëdhjetë vjetësh, u ngjita përsëri në Jeruzalem me Barnabën; dhe mora me vete edhe Titin.
2 Dhe u ngjita sipas një zbulese dhe u shtjellova atyre ungjillin që unë po predikoj ndër johebrenjtë, por në mënyrë të veçantë, atyre që kishin më shumë emër, që të mos bridhja ose vrapoja më kot.
3 Por as Titi që ishte me mua, ndonëse ishte Grek, nuk qe shtrënguar që të rrethpritej;
4 edhe kjo për shkak të vëllezërve të rremë, që kishin hyrë tinëz, që kishin depërtuar për të përgjuar lirinë tonë që kemi në Krishtin Jezu, që të na robërojnë.
5 Këtyre ne nuk iu nënshtruam as edhe për një moment, që e vërteta e ungjillit të mbetej e pacënuar te ju.
6 Por nga ana e atyre që gëzonin një farë kredie (nuk ka rëndësi se kush ishin, Perëndia nuk shikon dukjen e njeriut), pra, ata që gëzonin kredinë më të madhe nuk shtuan gjë tek unë.
7 Madje, duke parë se mua m’u besua ungjilli për të parrethprerët, sikurse Pjetrit ai për të rrethprerët,
8 (sepse ai që kishte vepruar në mënyrë të fuqishme në Pjetrin për apostullim tek të rrethprerëve, kishte vepruar në mënyrë të fuqishme edhe në mua për johebrenjtë),
9 duke njohur hirin që m’u dha, Jakobi, Kefa dhe Gjoni, të cilët i konsideronin shtylla, më dhanë mua dhe Barnabës të djathtat e tyre si shenjë shoqërie, që të shkonim ne ndër johebrenjtë dhe ata ndër të rrethprerë.
10 Vetëm na porositën që të kujtoheshim për të varfrit, pikërisht atë që edhe unë e kisha ndërmend ta bëja.
11 Por kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova në sy, sepse ishte për t’u qortuar.
12 Në fakt, para se të vinin disa njerëz nga ana e Jakobit, ai hante me johebrenjtë; po, kur erdhën ata, ai u tërhoq dhe u nda, duke druajtur ata të rrethprerjes.
13 Edhe Judenj të tjerë shtireshin bashkë me të, aq sa edhe Barnaba u tërhoq nga hipokrizia e tyre.
14 Po kur unë pashë se ata nuk ecnin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit përpara të gjithëve: “Në qoftë se ti, që je Jude, rron porsi johebrenjtë dhe jo si Judenjtë, pse i detyron johebrenjtë të rrojnë si Judenj?.”
15 Ne, që jemi Judenj nga lindja dhe jo mëkatarë në mes johebrenjsh,
16 duke ditur se njeriu nuk shfajësohet me anë të veprave të ligjit, por me anë të besimit në Jezu Krishtin, besuam edhe ne në Jezu Krishtin, që të shfajësoheshim me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të veprave të ligjit, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet me anë të veprave të ligjit.
17 Dhe, në qoftë se duke kërkuar të shfajësohemi në Krishtin, u gjetëm edhe ne mëkatarë, mos vallë Krishti qënka shërbenjës i mëkatit. Kurrsesi jo!
18 Sepse, në qoftë se unë ndërtoj përsëri ato gjërat që prisha, unë bëhem vetë shkelës,
19 sepse përmes ligjit, vdiqa për ligjin, që unë të rroj për Perëndinë.
20 Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.
21 Unë nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë sepse, në qoftë se drejtësia vjen me anë të ligjit, atëherë Krishti ka vdekur më kot.
3 O Galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti është përshkruar i kryqëzuar midis jush?
2 Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën me anë të veprave të ligjit apo nëpërmjet dëgjimit të besimit?
3 A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish?
4 A thua hoqët kaq shumë gjëra më kot, nëse kanë qenë vërtetë më kot?
5 Ai që ju jep juve Frymën, dhe kryen midis jush vepra të fuqishme, i bën me anë të veprave të ligjit apo me anë të predikimit të besimit?
6 Kështu Abrahami “e besoi Perëndinë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”;
7 Ta dini, pra, se ata që janë nga besimi janë bij të Abrahamit.
8 Dhe Shkrimi, duke parashikuar se Perëndia do t’i shfajësonte kombet me anë të besimit, ia dha më përpara Abrahamit lajmin e mirë: “Të gjitha kombet do të bekohen në ty.”
9 Prandaj ata që themelohen mbi besimin bekohen bashkë me të besueshmin Abraham.
10 Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar.”
11 Sepse me anë të ligjit askush nuk shfajësohet përpara Perëndisë, sepse: “I drejti do të rrojë me anë të besimit.”
12 Dhe ligji nuk është nga besimi, por “njeriu që do t’i bëjë ato, do të rrojë me anë të tyre.”
13 Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru”),
14 që bekimi i Abrahamit t’u vijë johebrenjve me anë të Jezu Krishtit, që ne të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit.
15 O vëllezër, po ju flas në mënyrën e njerëzve: në qoftë se një besëlidhje është aprovuar, edhe pse është besëlidhje njeriu, askush nuk e zhvleftëson as nuk i shton gjë.
16 Dhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij. Shkrimi nuk thotë: “Edhe pasardhësve” si të ishin shumë, por të një të vetme: “Dhe pasardhjes sate,” pra Krishti.
17 Dhe unë them këtë: ligji, që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më pas, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e aprovuar më parë nga ana e Perëndisë në Krishtin, në mënyrë që të prishë premtimin.
18 Sepse, në qoftë se trashëgimi është nga ligji, nuk është më nga premtimi. Por Perëndia ia fali atë Abrahamit me anë të premtimit.
19 Atëherë, pse u dha ligji? Ai u shtua për shkak të shkeljeve, deri sa të vinte pasardhja së cilës i qe bërë premtimi; dhe ky ligj u shpall nëpërmjet engjëjve, me anë të një ndërmjetësi.
20 Dhe ndërmjetësi nuk është ndërmjetës i një ane të vetme, kurse Perëndia është një.
21 A thua atëherë ligji është kundër premtimeve të Perëndisë? Kurrsesi jo! Sepse po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit.
22 Por Shkrimi i mbylli të gjitha gjërat nën mëkatin, që t’u jepej besimtarëve premtimi nëpërmjet besimit të Jezu Krishtit.
23 Dhe, para se të vinte besimi, ne ruheshim nën ligjin, si të mbyllur, duke pritur besimin që duhej të zbulohej.
24 Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.
25 Por, mbasi besimi erdhi, ne nuk jemi më nën ndonjë mësues,
26 sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti.
27 Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.
28 Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.
29 Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.