Ezekieli 9-12
Albanian Bible
9 Pastaj bërtiti me zë të lartë në veshët e mi, duke thënë: "Të afrohen ata që do të ndëshkojnë qytetin, secili me armën e tij të shkatërrimit në dorë".
2 Dhe ja ku erdhën nga drejtimi i portës së sipërme që shikon nga veriu gjashtë burra, secili me armën e tij të shfarosjes në dorë. Në mes tyre ishte një burrë me rroba prej liri, që kishte një kallamar shkruesi prej briri në krah. Me të arritur, ata u ndalën pranë altarit prej bronzi.
3 Atëherë lavdia e Perëndisë të Izraelit u ngrit nga kerubini mbi të cilin rrinte, dhe u drejtua nga pragu i tempullit. Ajo thirri njeriun e veshur me rroba liri, që kishte kallamarin prej briri të shkruesit në krah,
4 dhe Zoti tha: "Kalo në mes të qytetit, në mes të Jeruzalemit, dhe bëj një shenjë mbi ballin e njerëzve që psherëtijnë dhe vajtojnë për të gjitha gjërat që kryhen në mes tij".
5 Dhe të tjerëve u tha, në mënyrë që unë ta dëgjoja: "Kaloni nëpër qytet pas tij dhe goditni; syrit tuaj të mos i vijë keq dhe mos kini mëshirë aspak.
6 Vritni deri në shfarosje pleq, të rinj, virgjiresha, fëmijë dhe gra, por mos u afroni asnjerit mbi të cilin është shenja; filloni nga shenjtërorja ime". Kështu ata filluan me pleqtë që ishin para tempullit.
7 Pastaj u tha atyre: "Ndotni tempullin dhe mbushni oborret me të vrarë. Dilni!". Atëherë ata dolën dhe bënë kërdinë në qytet.
8 Ndërsa ata po bënin kërdi dhe unë kisha mbetur vetëm, rashë me fytyrë dhe bërtita, duke thënë: "Oh, Zot, Zot, a do ta shkatërrosh ti tërë mbetjen e Izraelit, duke e zbrazur tërbimin tënd mbi Jeruzalemin?".
9 Ai m’u përgjigj: "Paudhësia e shtëpisë së Izraelit dhe asaj të Judës është jashtëzakonisht e madhe; vendi është plot gjak dhe qyteti plot me korrupsion. Në fakt thonë: "Zoti e ka braktisur vendin, Zoti nuk shikon".
10 Prandaj edhe syrit tim nuk do t’i vijë keq dhe nuk do të kem aspak mëshirë, por do të bëj që t’u bjerë mbi kokë sjellja e tyre".
11 Dhe ja, njeriu i veshur me rroba liri, që kishte një kallamar prej briri si shkrues në krah, bëri raportimin e tij, duke thënë: "Veprova ashtu si më urdhërove".
10 Unë po shikoja dhe ja, mbi kupën qiellore që ishte mbi kryet e kerubinëve, dukej mbi ta një si gur safiri që i përngjante nga forma një froni.
2 Zoti i foli pastaj njeriut të veshur me rroba liri dhe i tha: "Shko midis rrotave poshtë kerubinit, mbushi duart me qymyr të ndezur që është midis kerubinëve dhe përhapi mbi qytetin". Dhe ai shkoi, ndërsa unë shikoja.
3 Kur hyri ai njeri, kerubinët rrinin në të djathtë të tempullit dhe reja mbushte oborrin e brendshëm.
4 Pastaj lavdia e Zotit u ngrit mbi kerubinin duke lëvizur drejt pragut të tempullit; atëherë tempulli u mbush me renë dhe oborri u mbush me shkëlqimin e lavdisë të Zotit.
5 Zhurma e krahëve të kerubinëve u dëgjua deri në oborrin e jashtëm, ashtu si zëri i Perëndisë të plotfuqishëm kur flet.
6 Kur Zoti e urdhëroi njeriun e veshur me rroba liri, duke thënë: "Merr zjarrin midis rrotave që ndodhen ndër kerubinë," ai shkoi të ndalet pranë një rrote.
7 Atëherë një kerubin shtriu dorën midis kerubinëve drejt zjarrit që ishte mes tyre, e mori dhe e vuri në duart e njeriut të veshur me rroba liri, që e pranoi dhe doli.
8 Kerubinët dukeshin sikur kishin formën e dorës së njeriut poshtë krahëve.
9 Shikova akoma dhe ja, në krah të kerubinëve kishte katër rrota, një rrotë përbri çdo kerubini dhe një rrotë tjetër për çdo kerubin tjetër; rrotat kishin pamjen e një guri të topazit.
10 Dukej sikur që të katra kishin po atë formë, sikur një rrotë të ishte në mes të tjetrës.
11 Kur lëviznin, shkonin nga një prej katër drejtimeve të tyre dhe, duke shkuar, nuk silleshin, por ndiqnin drejtimin që kishte marrë koka e tyre dhe, duke shkuar, nuk silleshin.
12 Tërë trupi i tyre, kurrizi i tyre, duart e tyre, krahët e tyre ishin plot me sy rreth e qark, po, edhe vetë rrotat që kishin të katër.
13 Unë dëgjova që rrotat quheshin "Turbina".
14 Çdo kerubin kishte katër fytyra; fytyra e parë ishte fytyra e kerubinit, fytyra e dytë ishte fytyra e njeriut, fytyra e tretë fytyra e luanit dhe fytyra e katërt ajo e shqiponjës.
15 Pastaj kerubinët u ngritën. Ata ishin po ato qenie të gjalla që kisha parë pranë lumit Kebar.
16 Kur kerubinët lëviznin, edhe rrotat lëviznin nga ana e tyre; dhe kur kerubinët hapnin fletët për t’u ngritur nga toka, rrotat nuk largoheshin nga krahu i tyre.
17 Kur ata ndaleshin, ndaleshin edhe ato; kur ata ngriheshin, ngriheshin edhe ato bashkë me ta, sepse fryma e qënieve të gjalla ishte ndër ta.
18 Lavdia e Zotit u largua pastaj nga pragu i tempullit dhe u ndal te kerubinët.
19 Pastaj kerubinët i hapën krahët e tyre dhe u ngritën nga toka para syve të mi; ndërsa po largoheshin edhe rrotat ishin pranë tyre. U ndalën pastaj te hyrja e portës që shikonte nga lindja e shtëpisë të Zotit, ndërsa lavdia e Perëndisë të Izraelit qëndronte lart mbi ta.
20 Ishin po ato qenie të gjalla që kisha parë nën Perëndinë e Izraelit pranë lumit Kebar dhe njoha që ishin kerubinë.
21 Secili prej tyre kishte katër fytyra, secili katër krahë dhe poshtë krahëve të tyre dilte forma e dorës së njeriut.
22 Sa për pamjen e fytyrave të tyre, ishin po ato fytyra që kisha parë pranë lumit Kebar; ishin po ato shëmbëlltyra dhe po ata kerubinë. Secili shkonte drejt para tij.
11 Pastaj Fryma më ngriti dhe më çoi në portën lindore të shtëpisë të Zotit që shikon nga lindja; dhe ja, në hyrje të portës kishte njëzet e pesë burra, ndër të cilët pashë Jaazaniahun, birin e Azurit, dhe Pelatiahun, birin e Benajahut, krerë të popullit.
2 Ai më tha: "Bir njeriu, këta janë ata njerëz që kurdisin të keqen dhe japin këshilla të këqija në këtë qytet.
3 Ata thonë: "Koha nuk është e afërt. Të ndërtojmë shtëpi! Ky qytet është kusia dhe ne jemi mishi".
4 Prandaj profetizo kundër tyre, profetizo, bir njeriu".
5 Pastaj Fryma e Zotit ra mbi mua dhe më tha: "Thuaj: Kështu thotë Zoti: Ju thoni kështu, o shtëpi e Izraelit, dhe unë i njoh gjërat që ju shkojnë në mend.
6 Ju i keni shumuar ata që keni goditur për vdekje në këtë qytet dhe keni mbushur me të vdekur rrugët e tij".
7 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ata që keni vrarë dhe që i keni bërë tog në mes të saj janë mishi dhe ky qytet është kusia, por unë do t’ju nxjerr nga mesi i tij.
8 Ju keni frikë nga shpata dhe unë do të sjell mbi ju shpatën," thotë Zoti, Zoti.
9 "Unë do t’ju nxjerr nga mesi i tij, do t’ju jap në dorë të të huajve dhe do të zbatoj mbi ju vendimet e mia.
10 Ju do të bini nga shpata, do t’ju gjykoj në kufijtë e Izraelit; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.
11 Ky qytet nuk do të jetë më për ju një kusi dhe ju nuk do të jeni për të mishi; unë do t’ju gjykoj në kufijtë e Izraelit.
12 Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, sepse nuk keni ecur sipas statuteve të mia dhe as keni zbatuar ligjet e mia, por keni vepruar sipas ligjeve të kombeve që ju rrethojnë".
13 Ndodhi që, ndërsa unë profetizoja, Pelatiahu, bir i Benajahut, vdiq. Atëherë rashë me fytyrë për tokë dhe bërtita me të madhe, duke thënë: "Ah, Zot, Zot, dëshiron ta shkatërrosh krejt mbetjen e Izraelit?".
14 Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
15 "Bir njeriu, vëllezërit e tu, vetë të afërmit e tu, ata që janë çliruar bashkë me ty dhe tërë shtëpia e Izraelit janë ata të cilëve banorët e Jeuzalemit u kanë thënë: "Largohuni, pra, nga Zoti; ky vend na është dhënë si trashëgimi".
16 Prandaj thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Megjithatë unë i kam larguar midis kombeve dhe i kam shpërndarë në vende të huaja, unë do të jem për ta për pak kohë një shenjtërore në vendet ku kanë shkuar.
17 Prandaj u thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Do t’ju mbledh ndër popuj, do t’ju grumbulloj nga vendet ku jeni shpërndarë dhe do t’ju jap tokën e Izraelit.
18 Ata do të kthehen dhe do të heqin tërë gjërat e tij të urrejtshme dhe tërë gjërat e neveritshme të tij.
19 Dhe unë do t’ju jap atyre një zemër tjetër dhe do t’u shtie përbrenda një frymë të re, do të heq nga mishi i tyre zemrën prej guri dhe do t’u jap një zemër prej mishi,
20 me qëllim që të ecin sipas statuteve të mia dhe të respektojnë ligjet e mia dhe t’i vënë në praktikë; atëherë ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre.
21 Po për ata të cilët kanë zemër që vë në zbatim gjërat e tyre të urrejtshme dhe të neveritshme, do të bëj që mbi kokën e tyre të bjerë sjellja e tyre," thotë Zoti, Zoti.
22 Pastaj kerubinët i hapën krahët e tyre dhe rrotat lëvizën pranë tyre dhe lavdia e Perëndisë të Izraelit rrinte lart mbi ta.
23 Lavdia e Zotit u ngrit nga mesi i qytetit dhe u ndal mbi malin, që ishte në lindje të qytetit.
24 Pastaj Fryma më ngriti dhe më çoi në Kalde midis atyre që ishin në robëri, në një vegim për Frymën e Perëndisë dhe vegimi që kisha parë u zhduk para meje duke u ngritur lart;
25 dhe unë u tregova atyre që ishin në robëri të gjitha gjërat që Zoti më kishte bërë të shoh.
12 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
2 "Bir njeriu, ti banon në mes të një shtëpie rebele, që kanë sy për të parë, por nuk shohin, vesh për të dëgjuar, por nuk dëgjojnë, sepse janë një shtëpi rebele.
3 Prandaj, bir njeriu, përgatit plaçkat për mërgim dhe shko në mërgim ditën para syve të tyre. Ti do të nisesh për mërgim nga vendi ku je në një vend tjetër para syve të tyre; ndofta do ta kuptojnë se janë një shtëpi rebele.
4 Do të çosh, pra, plaçkat e tua ditën para syve të tyre, bagazhin tënd si bagazh i dikujt që shkon në mërgim; pastaj në mbëmje do të dalësh para syve të tyre, si ata që shkojnë në mërgim.
5 Bëj një vrimë në mur para syve të tyre dhe nëpërmjet kësaj nxirr bagazhin tënd.
6 Do ta mbash mbi kurriz para syve të tyre, do ta çosh jashtë në terr; do të mbulosh fytyrën për të mos shikuar tokën, sepse të kam bërë ty një shenjë për shtëpinë e Izraelit".
7 Unë bëra pikërisht ashtu si më kishte urdhëruar; ditën nxora jashtë bagazhin tim, si bagazhi i dikujt që shkon në mërgim dhe në mbrëmje, me duar, hapa një vrimë në mur; kur u err e çova jashtë bagazhin tim dhe e vura mbi kurriz para syve të tyre.
8 Në mëngjes fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
9 "Bir njeriu, nuk të ka kërkuar shtëpia e Izraelit, kjo shtëpi rebele: Çfarë po bën??".
10 U thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ky orakull ka të bëjë me princin që është në Jeruzalem dhe me tërë shtëpinë e Izraelit që banon aty".
11 Thuaj: Unë jam një shenjë për ju; ashtu si bëra unë, kështu do t’u bëhet atyre: ata do të shkojnë në mërgim, në robëri.
12 Princi që është në mes tyre do të mbajë bagazhin e tij mbi kurriz në terr dhe do të dalë; do të bëjnë një vrimë në mur që ai të dalë nëpërmjet saj; ai do të mbulojë fytyrën për të mos parë tokën me sytë e tij.
13 Por unë do të shtrij rrjetën time mbi të dhe ai do të kapet në lakun tim; do ta çoj pastaj në Babiloni, në vendin e Kaldeasve; por ai nuk ka për ta parë dhe do të vdesë atje.
14 Do të shpërndaj në të gjitha erërat ata që i rrijnë rreth e qark për ta ndihmuar dhe tërë trupat e tij, dhe do ta zhvesh shpatën prapa tyre.
15 Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti kur do ti kem shpërndarë midis kombeve dhe vendeve të ndryshme.
16 Por do të fal një numër të vogël nga shpata, nga uria dhe murtaja, me qëllim që të tregojnë të gjitha veprimet e tyre të neveritshme midis kombeve ku do të shkojnë; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".
17 Fjala e Zotit m’u drejtua akoma, duke thënë:
18 "Bir njeriu, ha bukën tënde me drithtimë dhe pije ujin tënd me shqetësim dhe me ankth.
19 Do t’i thuash pastaj popullit të vendit: Kështu u thotë Zoti, Zoti, banorëve të Jeruzalemit në tokën e Izraelit: Do të hanë bukën e tyre në pikëllim dhe do ta pinë ujin e tyre në tmerr, sepse vendi i tyre do të zhvishet nga gjithë ato që ka për shkak të ligësisë të mbarë njerëzve që banojnë aty.
20 Qytetet e banuara do të shkatërrohen dhe vendi do të shkretohet; kështu do të pranoni që unë jam Zoti".
21 Fjala e Zotit mu drejtua përsëri duke, duke thënë:
22 "Bir njeriu: Çfarë është ajo e thënë për vendin e Izraelit e cila pohon se: "Ditët po zgjaten dhe çdo vegim pakësohet"?
23 Prandaj u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Unë do të bëj të pushojë kjo e thënë dhe të mos e përmendin më në Izrael. Bile u thuaj atyre: Po afrohen ditët dhe realizimi i fjalës së çdo vegimi,
24 sepse nuk do të ketë më asnjë vegim të rremë as shortari të gënjeshtërt në mes të shtëpisë së Izraelit.
25 Sepse unë, Zoti, do të flas, dhe fjala që do shqiptoj do të kryhet pa asnjë mëdyshje. Po, në ditët tuaja, o shtëpi rebele, unë do të shqiptoj një fjalë dhe do ta realizoj," thotë Zoti, Zoti.
26 Fjala e Zotit m’u drejtua akoma, duke thënë:
27 "Bir njeriu, ja, shtëpia e Izraelit thotë: "Vegimi që ai shikon ka të bëjë me shumë ditë të së ardhmes, dhe ai profetizon për kohra të largëta".
28 Prandaj u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti; asnjë nga fjalët e mia nuk do të shtyhet më, por fjala që unë do të shqiptoj do të realizohet," thotë Zoti, Zoti.