Eksodi 39-40
Albanian Bible
39 Pastaj me stofa ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, bëri rroba të punuara mirë për të shërbyer në shenjtërore, dhe bënë rrobat e shenjta për Aaronin, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
2 Ai bëri efodin prej ari e me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe me li të hollë të përdredhur.
3 Dhe e rrahën arin në peta dhe e prenë në fije, për ta endur në stofën ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe dhe në lirin e hollë të përdredhur: puna e një artizani të shkathët.
4 I bënë edhe supore të bashkuara; kështu efodi mbahej tok në të dy skajet e tij.
5 Dhe brezi i punuar artistikisht që ishte mbi efodin për ta lidhur kishte po atë përgatitje: me ar, me fije, ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe me li të hollë të përdredhur, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
6 Pastaj u punuan gurët e oniksit, që u ngallmuan në rrathë ari, dhe që u gdhendën, ashtu siç gdhenden vulat e vogla, me emrat e bijve të Izraelit.
7 Ai pastaj i vuri mbi suporet e efodit, si gurë për të përkujtuar bijtë e Izraelit ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
8 Pastaj ai bëri pektoralin e punuar artistikisht, ashtu si puna e efodit: me ar, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe me li të hollë të përdredhur.
9 Pektorali kishte formë katrore; e bënë të palosur më dysh, të gjatë sa pëllëmba dhe të gjerë po aq, kur ishte i palosur më dysh.
10 Dhe u ngallmuan katër radhë gurësh; në radhën e parë: një sardon, një topaz dhe një smerald;
11 në radhën e dytë: një rubin, një safir dhe një diamant;
12 në radhën e tretë: një hiacint, një agat dhe një ametist;
13 në radhën e katërt: një grizolit, një oniks dhe një diaspër. Këta gurë ishin futur në rrathët e tyre prej ari.
14 Gurët u korrespondonin emrave të bijve të Izraelit: dymbëdhjetë, simbas emrave të tyre të gdhendur si vula, secili me emrin e njërit nga dymbëdhjetë fiset.
15 Mbi pektoralin bënë gjithashtu zinxhirë prej ari safi, të lidhur si kordonë.
16 Bënë edhe dy rrathë të artë dhe dy unaza të arta, dhe i vunë dy unazat në dy skajet e pektoralit.
17 Pastaj i fiksuan të dy kordonët e artë mbi të dy unazat, në skajet e pektoralit;
18 pas kësaj fiksuan dy majat e dy kordonëve në të dy rrathët dhe i vendosën mbi dy suporet e efodit, në pjesën e përparme të tij.
19 Bënë gjithashtu dy unaza ari dhe i vunë në dy skajet e pektoralit, në buzën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit.
20 Bënë gjithashtu dy unaza të tjera ari dhe i vunë mbi dy suporet e efodit poshtë, nga përpara, pranë pikës së bashkimit, mbi brezin e punuar artistikisht të efodit.
21 Pastaj i lidhën unazat e pektoralit me unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, me qëllim që pektorali të rrinte mbi brezin e punuar artistikisht të efodit, dhe të mos shkëputej prej këtij të fundit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
22 Ai bëri gjithashtu mantelin e efodit, i tëri ngjyrë vjollce, një punim prej endësi.
23 Në mes të mantelit kishte një hapje, për të futur kokën; rreth e qark hapjes kishte një buzë stofi të punuar, ashtu si hapja e një parzmoreje, me qëllim që të mos shqyhej.
24 Mbi buzën e mantelit bënë disa shegë në ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, me fill të përdredhur.
25 Dhe bënë disa zile prej ari të pastër; dhe i vunë në mes të shegëve në buzën e mantelit, rreth e qark shegëve;
26 një zile dhe një shegë, një zile dhe një shegë, rreth e përqark, mbi buzën e mantelit, për të bërë shërbimin, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
27 Ata bënë edhe tunikat prej liri të hollë; një punë prej endësi, për Aaronin dhe bijtë e tij,
28 çallma prej liri të hollë, zbukurimin e mbulesave të kokës prej liri të hollë dhe pantallonat prej liri të hollë të përdredhur,
29 dhe brezin prej liri të hollë të përdredhur, në ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, një punë prej qëndistari, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
30 Pastaj bënë pllakën e diademës së shenjtë prej ari safi dhe gdhendën mbi të si mbi një vulë fjalët: SHENJTÉRI ZOTIT.
31 Dhe mbërthyen në të një kordele ngjyrë vjollce për ta lidhur në majë të çallmës, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
32 Kështu përfundoi tërë puna e tabernakullit dhe e çadrës së mbledhjes. Bijtë e Izraelit vepruan sipas të gjitha urdhrave që Zoti i kishte dhënë Moisiut; ata vepruan në këtë mënyrë.
33 Pastaj i çuan Moisiut tabernakullin, çadrën dhe tërë veglat e saj, kapëset, dërrasat, traversat, shtyllat dhe bazat e tyre,
34 mbulesën me lëkura dashi të ngjyera në të kuq, mbulesën me lëkura baldose dhe velin e perdes,
35 arkën e dëshmisë me shtizat e saj dhe pajtuesin,
36 tryezën me të gjitha veglat e saj dhe bukën e paraqitjes,
37 shandani prej ari safi me llambat e tij (llambat e vendosura në rregull), të gjitha orenditë e tij dhe vajin për dritën e shandanit,
38 altarin prej ari, vajin e vajosjes, temjanin e parfumuar dhe perden për hyrjen e çadrës,
39 altarin prej bronzi, grilën e tij prej bronzi, shtizat e tij dhe të gjitha veglat e tij, legenin me bazën e tij,
40 perdet e oborrit, shtyllat e tij me gjithë bazat, perden për hyrjen e oborrit, kordonët e oborrit, kunjat e tij dhe të gjitha veglat për shërbimin e tabernakullit, për çadrën e mbledhjes,
41 rrobat e punuara mirë për të shërbyer në shenjtërore, rrobat e shenjta për priftin Aaron dhe rrobat e bijve të tij për të shërbyer si priftërinj.
42 Bijtë e Izraelit e kryen tërë punën, sipas të gjitha porosive që Zoti i kishte dhënë Moisiut.
43 Moisiu, pra, shqyrtoi tërë punën; dhe ja, ata e kishin kryer simbas urdhrave të Zotit; ata e kishin bërë kështu. Kështu Moisiu i bekoi.
40 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke thënë:
2 "Ditën e parë të muajit të parë do të ngresh tabernakullin, çadrën e mbledhjes.
3 Do të vendosësh atje arkën e dëshmisë dhe do ta fshehësh arkën me një vel.
4 Do të sjellësh brenda tryezën dhe do të vendosësh mbi të gjërat që duhen; do të sjellësh gjithashtu shandanin dhe do të ndezësh llambat e tij.
5 Do të vendosësh altarin e artë për temjanin përpara arkës së dëshmisë, dhe do të vësh perden në hyrje të tabernakullit.
6 Do ta vësh altarin e olokausteve para hyrjes së tabernakullit, të çadrës së mbledhjes.
7 Do ta vendosësh legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh ujë në të.
8 Do t’i vendosësh perdet e oborrit rreth e qark dhe do të vësh një perde në hyrje të oborrit.
9 Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes dhe do të vajosh tabernakullin dhe tërë gjërat që ndodhen aty, dhe do ta shenjtërosh me të gjitha veglat e tij; dhe do të jetë i shenjtë.
10 Do të vajosh altarin e olokausteve dhe tërë orenditë e tij; do të shenjtërosh kështu altarin dhe altari do të jetë shumë i shenjtë.
11 Do të vajosh edhe legenin me të gjithë bazën e tij dhe do ta shenjtërosh.
12 Pastaj do të afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do t’i lash me ujë.
13 Do ta veshësh Aaronin me rrobat e shenjta, do ta vajosh dhe do ta shenjtërosh, që të më shërbejë si prift.
14 Do të afrosh edhe bijtë e tij dhe do t’i veshësh me tunika,
15 do t’i vajosh ashtu si do të kesh vajuar atin e tyre, që të më shërbejnë si priftërinj; vajisja e tyre do t’u japë priftëri përjetë, brez pas brezi".
16 Moisiu ashtu veproi; bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar.
17 Kështu ditën e parë të muajit të parë të vitit të dytë, u ndërtua tabernakulli.
18 Moisiu e ngriti tabernakullin, hodhi bazat e tij, sistemoi dërrasat e tij, i vuri traversat e tij dhe ngriti shtyllat e tij.
19 Mbi tabernakullin shtriu perden dhe mbi këtë vendosi mbulesën e çadrës, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
20 Pastaj mori dëshminë dhe e vendosi brenda arkës, u vuri shtizat unazave të arkës, dhe e vuri pajtuesin mbi arkë;
21 e çoi arkën në tabernakull, e vari velin e perdes dhe kështu fshehu arkën e dëshmisë, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
22 Vendosi gjithashtu tryezën në çadrën e mbledhjes, në krahun verior të tabernakullit, jashtë velit.
23 Vendosi sipër me rregull bukën përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
24 Pastaj vuri shandanin në çadrën e mbledhjes, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit;
25 dhe ndezi llambat përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
26 Pastaj vuri altarin e artë në çadrën e mbledhjes, përpara velit,
27 dhe mbi të dogji temjanin e parfumuar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
28 Vuri gjithashtu perden në hyrje të tabernakullit.
29 Pastaj vendosi altarin e olokausteve në hyrje të tabernakullit, të çadrës së mbledhjes, dhe mbi të ofroi olokaustin dhe blatimin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
30 Pastaj vuri legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe e mbushi me ujë për t’u larë.
31 Dhe me këtë ujë, Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij lanë duart dhe këmbët;
32 kur hynin në çadrën e mbledhjes dhe kur i afroheshin altarit, ata laheshin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
33 Ndërtoi gjithashtu oborrin rreth tabernakullit dhe altarit dhe vuri perden në hyrje të oborrit. Kështu Moisiu e përfundoi punën e tij.
34 Atëherë reja e mbuloi çadrën e mbledhjes dhe lavdia e Zotit e mbushi tabernakullin.
35 Dhe Moisiu nuk mundi të hyjë në çadrën e mbledhjes, sepse reja e kishte mbuluar nga sipër dhe lavdia e Zotit mbushte tabernakullin.
36 Në të tëra zhvendosjet e tyre, kur reja ngrihej mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit niseshin;
37 por në rast se reja nuk ngrihej, nuk niseshin deri ditën që ajo të ngrihej.
38 Sepse reja e Zotit qëndronte mbi tabernakullin gjatë ditës, dhe natën mbi të qëndronte një zjarr, para syve të të gjithë shtëpisë së Izraelit, gjatë gjithë zhvendosjeve së tyre.?