Ester 3-5
Albanian Bible
3 Mbas këtyre ngjarjeve, mbreti Asuero e gradoi Hamanin, birin e Hamedathas, Agagitit, e ngriti në rang dhe e vuri karrigen e tij mbi atë të të gjithë princave që ishin me të.
2 Tërë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e mbretit përkuleshin dhe binin përmbys para Hamanit, sepse kështu kishte urdhëruar mbreti për të. Por Mardokeu as përkulej, as binte përmbys.
3 Atëherë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e tij i thanë Mardokeut: Pse e shkel urdhrin e mbretit??".
4 Por, me gjithë se ia përsërsnin çdo ditë këtë urdhër, ai nuk i dëgjonte; prandaj ata ia njoftuan këtë gjë Hamanit, për të parë në se Mardokeu do të ngulte këmbë në qëndrimin e tij. Ai në fakt u kishte thënë atyre së ishte jude.
5 Kur Hamani pa që Mardokeu nuk përkulej as binte përmbys para tij, u zemërua shumë;
6 por nuk denjoi të shtrijë dorën e tij vetëm kundër Mardokeut, sepse e kishin njoftuar cilit popull i përkiste Mardokeu; kështu Hamani vendosi të shkatërrojë tërë Judejtë, popullin e Mardokeut, që gjendeshin në tërë mbretërinë e Asueros.
7 Në muajin e parë, që është muaji i Nisanit, në vitin e dymbëdhjetë të mbretit Asuero, në prani të Hamanit, u hodh Puri (domethënë u hodh shorti), për të vendosur ditën dhe muajin; dhe shorti ra mbi ditën e trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji i Adarit.
8 Atëherë Hamani i tha mbretit Asuero: "Ka një popull të shpërndarë dhe të veçuar nga popujt e të gjitha krahinave të mbretërisë sate, ligjet e të cilit ndryshojnë nga ato të cilitdo populli tjetër dhe që nuk respekton ligjet e mbretit; prandaj mbreti nuk ka asnjë përfitim t’i lërë të gjallë.
9 Në rast se kjo i pëlqen mbretit, të përpilohet një dekret për shkatërimin e tyre; dhe unë do të paguaj dhjetë mijë talenta argjendi në duart e atyre që kryejnë punën, me qëllim që të derdhen në thesaret e mbretit".
10 Atëherë mbreti hoqi nga dora unazën me vulën dhe ia dha Hamanit, Agagitit, birit të Hamedathas dhe armikut të Judejve.
11 Pastaj mbreti i tha Hamanit: "Paratë t’u dhanë, po kështu të jepet populli; bëj me të çfarë të duash".
12 Ditën e trembëdhjetë të muajit të parë u thirrën sekretarët e mbretit dhe u redaktua një dekret, në bazë të të gjitha gjërave që kishte urdhëruar Hamani, për t’ua dërguar satrapëve të mbretit, qeveritarëve të çdo krahine dhe krerëve të çdo populli, çdo krahine sipas shkrimit të saj dhe çdo populli sipas gjuhës së tij. Dekreti u redaktua në emër të mbretit Asuero dhe u vulos me vulën e mbretit.
13 Këto dokumente u dërguan me anë korierësh në të gjitha krahinat e mbretit, me qëllim që të shkatërroheshin, të vriteshin dhe të shfaroseshin tërë Judejtë, të rinj dhe pleq, fëmijë dhe gra, në një ditë të vetme, më trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji i Adarit, dhe të plaçkiteshin pasuritë e tyre.
14 Një kopje e dekretit duhet të nxirrej si ligj në çdo krahinë dhe të shpallej për të gjithë popujt, me qëllim që të ishin gati për atë ditë.
15 Korierët u nisën me të shpejtë sipas urdhrit të mbretit, dhe dekreti u shpall në qytetin e Suzës. Mbreti dhe Hamani ishin ulur dhe pinin, por qyteti i Suzës ishte tmerruar.
4 Kur Mardokeu mësoi të gjitha ato që kishin ndodhur, grisi rrobat e tij, u mbulua me një thes dhe me hi dhe doli nëpër qytet, duke lëshuar britma të forta dhe plot hidhërim;
2 dhe arriti deri te porta e mbretit, sepse nuk lejohej që asnjeri i mbuluar me thes të hynte te porta e mbretit.
3 Në çdo krahinë, ku arritën urdhëri i mbretit dhe dekreti i tij, pati një keqardhje të madhe për Judejtë, me agjerime, me të qara dhe vajtime; dhe shumë njerëz u mbuluan me një thes dhe me hi.
4 Vajzat e Esterit dhe eunukët e saj erdhën t’ia njoftojnë ngjarjen, dhe mbretëresha u angështua shumë; pastaj i dërgoi rroba Mardokeut, që t’i vishte dhe të hiqte nga trupi i tij thesin, por ai nuk i pranoi.
5 Atëherë Esteri thirri Hathakun, njerin nga eunukët e mbretit të caktuar prej tij t’i shërbenin asaj dhe e urdhëroi të shkonte te Mardokeu për të mësuar se çfarë gjë e brengoste dhe për ç’arësye.
6 Kështu Hathaku shkoi te Mardokeu në sheshin e qytetit, që ndodhej përballë portës së mbretit.
7 Mardokeu i tregoi tërë ato që i kishin ndodhur dhe përmëndi gjithashtu shumën e parave që Hamani kishte premtuar të derdhte në thesarin mbretëror për të siguruar shkatërrimin e Judejve;
8 i dha gjithashtu një kopje të tekstit të dekretit që ishte shpallur në Suzë për shfarosjen e tyre, me qëllim që t’ia tregonte Esterit, t’ia shpjegonte asaj dhe ta urdhëronte të shkonte te mbreti për ta lutur me të madhe dhe për të ndërhyrë pranë tij në favor të popullit të tij.
9 Kështu Hathaku u kthye tek Esteri dhe i njoftoi fjalët e Mardokeut.
10 Atëherë Esteri i foli Hathakut dhe e urdhëroi të shkonte e t’i thoshte Mardokeut:
11 "Tërë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e dinë që cilido burrë ose grua që hyn në oborrin e brendshëm për të shkuar te mbreti, pa qenë i thirrur, duhet të dënohet me vdekje, në bazë të një ligji të veçantë, veç po të jetë se mbreti shtrin ndaj tij skeptrin e tij prej ari; vetëm kështu ai do të shpëtojë jetën e tij. Dhe kaluan tanimë tridhjetë ditë që nuk jam thirrur për të shkuar te mbreti".
12 Kështu ia njoftuan Mardokeut fjalët e Esterit,
13 dhe Mardokeu iu përgjigj Esterit: "Mos mendo se do të shpëtosh vetëm ti nga gjithë Judejtë, sepse ndodhesh në pallatin e mbretit.
14 Sepse po të jetë se ti hesht në këtë moment, ndihma dhe çlirimi do të vijnë për Judejtë nga një anë tjetër; por ti dhe shtëpia e atit tënd do të shuheni. Përveç kësaj, kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?".
15 Atëherë Esteri urdhëroi t’i përgjigjeshin Mardokeut kështu:
16 "Shko, mblidh tërë Judejtë që ndodhen në Suzë, dhe agjeroni për mua; rrini pa ngrënë dhe pa pirë tri ditë, natë e ditë. Edhe unë me vajzat e mia do të agjerojmë në të njëjtën mënyrë; pastaj do të hyj te mbreti; megjithëse një gjë e tillë është kundër ligjit; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes".
17 Mardokeu iku dhe bëri të gjitha gjërat që Esteri kishte urdhëruar.
5 Ditën e tretë, Esteri veshi rrobën mbretërore dhe u paraqit në oborrin e brendshëm të pallatit të mbretit, përballë apartamentit të mbretit. Mbreti ishte ulur mbi fronin mbretëror në pallatin mbretëror, përballë hyrjes së pallatit.
2 Sa e pa mbreti mbretëreshën Ester më këmbë në oborr, ajo fitoi simpatinë e tij. Kështu mbreti zgjati në drejtim të Esterit skeptrin prej ari që mbante në dorë, dhe Esteri u afrua dhe preku majën e skeptrit.
3 Atëherë mbreti i tha: "Çfarë do, mbretëreshë Ester? Cila është kërkesa jote? Edhe sikur të jetë gjysma e mbretërisë sime, do të të jepet".
4 Esteri u përgjigj: "Në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, le të vijë sot mbreti me Hamanin në banketin që i kam përgatitur".
5 Atëherë mbreti tha: "Silleni shpejt Hamanin, që të bëhet ç’ka thënë Esteri". Kështu mbreti dhe Hamani shkuan në banketin që Esteri kishte përgatitur.
6 Ndërsa po shërbehej vera gjatë banketit, mbreti i tha Esterit: "Cila është kërkesa jote? Do të të plotësohet. Çfarë kërkon? Qoftë edhe gjysma e mbretërisë sime, do të bëhet".
7 Esteri u përgjigj dhe tha: "Ja, kërkesa ime ajo që po kërkoj:
8 Në qoftë se kam gjetur hir në sytë e mbretit dhe në qoftë se mbretit i pëlqen të plotësojë kërkesën time dhe të më japë atë që kërkoj, le të vijë mbreti me Hamanin në banketin që unë do t’u përgatis atyre, dhe nesër kam për të bërë ashtu si ka thënë mbreti".
9 Atë ditë Hamani doli gjithë qejf dhe me zemër të kënaqur, por kur Hamani në portën e mbretit pa Mardokeun që as ngrihej as lëvizte para tij, u zemërua shumë me të.
10 Megjithatë Hamani e mbajti veten, shkoi në shtëpi dhe dërgoi të thërrasin miqtë e tij dhe Zereshin, bashkëshorten e tij.
11 Pastaj Hamani u foli atyre mbi shkëlqimin e pasurive të tij, mbi numrin e madh të bijve të tij, mbi të gjitha gjërat me të cilat mbreti e kishte nderuar, dhe si e kishte ngritur mbi princat dhe shërbëtorët e mbretit.
12 Hamani shtoi gjithashtu: "Edhe mbretëresha Ester nuk ka sjellë bashkë me mbretin në banket askënd tjetër veç meje; edhe nesër më ka ftuar ajo bashkë me mbretin.
13 Por tërë kjo nuk më mjafton deri sa do të shoh Mardokeun Judeun të ulur para portës së mbretit".
14 Aëherë bashkëshortja e tij Zeresh dhe tërë miqtë e tij i thanë: "Të përgatitet një trekëmbësh i lartë pesëdhjetë kubitë; nesër në mëngjes i thuaj mbretit që aty të varet Mardokeu; pastaj shko i kënaqur në banket me mbretin". Kjo gjë i pëlqeu Hamanit, që bëri të përgatitet trekëmbëshi.