Ligji i Përtërirë 24-27
Albanian Bible
24 "Kur një njeri merr një grua dhe martohet me të, dhe më vonë ndodh që ajo nuk e kënaq më, sepse ai ka gjetur në të diçka të turpshme, le të shkruajë një shkresë ndarjeje, t’ia japë në dorë dhe ta dëbojë nga shtëpia e saj;
2 në qoftë se ajo del nga shtëpia e saj dhe bëhet bashkëshorte e një burri tjetër,
3 në rast se bashkëshorti i fundit fillon ta urrejë, ai shkruan për të një shkresë ndarjeje, ia jep në dorë dhe e dëbon nga shtëpia e tij, ose në se bashkëshorti i fundit që e kishte marrë për grua vdes,
4 burri i parë që e kishte dëbuar nuk do të mund ta marrë përsëri për grua, pasi ajo është ndotur, sepse kemi të bëjmë me një akt të neveritshëm në sytë e Zotit; dhe ti nuk do ta njollosësh me mëkat vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.
5 Në qoftë se një njeri është i porsamartuar, ai nuk do të shkojë në luftë dhe nuk do t’i ngarkohen detyra; ai do të jetë i lirë në shtëpinë e tij për një vit dhe do të bëjë të lumtur gruan me të cilën është martuar.
6 Asnjeri nuk do të marrë peng gurin e mokrës së poshtme apo atë të sipërme, sepse do të ishte njëlloj siur të merrte peng jetën e dikujt.
7 Në rast se kapet një njeri duke rrëmbyer një nga vëllezërit e tij ndër bijtë e Izraelit, dhe e trajton keq dhe e shet, ai rrëmbyes do të vritet; kështu do ta shkulësh të keqen nga gjiri yt.
8 Në raste lebre trego kujdes të madh dhe bëj gjithçka t’ju mësojnë priftërinjtë levitë; do të keni kujdes të veproni ashtu siç i kam urdhëruar.
9 Mbaj mend atë që Zoti, Perëndia yt, i bëri Miriamit gjatë udhëtimit, mbas daljes suaj nga Egjipti.
10 Kur i jep hua diçka të afërmit tënd nuk do të hysh në shtëpinë e tij për të marrë pengun e tij;
11 do të rrish jashtë saj, dhe njeriu të cilit i ke dhënë hua do të ta sjellë jashtë pengun.
12 Dhe në rast se ai njeri është i varfër, nuk do të shkosh të flesh duke pasur akoma pengun e tij.
13 Duhet t’ia kthesh pengun në perëndim të diellit, në mënyrë që ai të flerë në mantelin e tij dhe të të bekojë; dhe kjo do të vihet në llogarinë e drejtësisë para syve të Zotit, Perëndisë tënd.
14 Nuk do t’i hash hakun argatit të varfër dhe nevojtar, qoftë ai një nga vëllezërit e tu apo një nga të huajt që banojnë në vendin tënd, brenda portave të tua;
15 do t’i japësh pagën e tij po atë ditë, para se të perëndojë dielli, sepse ai është i varfër dhe kjo është dëshira e tij; kështu ai nuk do të bërtasë kundër teje para Zotit dhe ti nuk do të kesh mëkat.
16 Nuk do të dënohen me vdekje etërit për bijtë e tyre, as do të vriten bijtë për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet.
17 Nuk do të cënosh të drejtën e të huajit o të jetimit dhe nuk do të marrësh peng rrobat e gruas së ve;
18 por do të kujtosh se ke qenë skllav në Egjipt dhe se të ka liruar Zoti, Perëndia yt; prandaj të veprosh në këtë mënyrë.
19 Kur korr në arën tënde dhe harron aty një demet, nuk do të kthehesh prapa për ta marrë; do të jetë për të huajin, për jetimin dhe gruan e ve, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në tërë veprën e duarve të tua.
20 Kur do të shkundësh kokrrat e ullinjve të tua, nuk do të kthehesh në degët e tyre; ullinjtë që kanë mbetur do të jenë për të huajin, për jetimin dhe për gruan e ve.
21 Kur të vjelësh vreshtin tënd, nuk do të kalosh një herë të dytë; vilet e mbetura do të jenë për të huajin, për jetimin dhe për gruan e ve.
22 Dhe do të kujtosh se ke qenë skllav në vendin e Egjiptit; prandaj të urdhëroj të veprosh në këtë mënyrë".
25 "Në rast se fillon një grindje midis burrave dhe ata paraqiten në gjyq, gjykatësit do t’i gjykojnë duke i dhënë pafajësinë të pafajshmit dhe duke dënuar fajtorin.
2 Pastaj në se fajtori meriton të rrihet, gjykatësi do të urdhërojë që ta shtrijnë për tokë dhe ta rrahin në prani të tij, me një numër goditjesh simbas shkallës së fajit të tij.
3 Mund t’i jepen dyzet goditje, por jo më tepër, sepse, duke e kaluar këtë masë dhe duke e rrahur me një numër më të madh goditjesh, yt vëlla të mos përçmohet në sytë e tu.
4 Nuk do t’i vësh turizën kaut që shin grurin.
5 Në rast se disa vëllezër banojnë bashkë dhe njeri prej tyre vdes pa lënë fëmijë, gruaja e të ndjerit nuk do të martohet me një të huaj jashtë familjes; i kunati do të hyjë tek ajo dhe do ta marrë për grua, duke plotësuar kështu ndaj saj detyrimin e tij prej kunati;
6 dhe i parëlinduri që ajo do të lindë do të marrë emrin e vëllait të vdekur, me qëllim që emri i tij të mos fshihet në Izrael.
7 Por në rast se ai burrë nuk dëshiron të marrë të kunatën, kjo do të ngjitet në portën e pleqve dhe do të thotë: "Im kunat nuk pranon ta ngrerë emrin e vëllait të tij në Izrael; ai nuk dëshiron të kryejë ndaj meje detyrën e kunatit".
8 Atëherë pleqtë e qytetit të tij do ta thërrasin dhe do t’i flasin; dhe në qoftë se ai ngul këmbë dhe thotë: "Nuk dua ta marr,"
9 atëherë kunata e tij do t’i afrohet në prani të pleqve do t’i heqë sandalën nga këmba, do ta pështyjë në fytyrë dhe do t’i thotë: "Këtë do të pësojë ai që nuk dëshiron të ndërtojë shtëpinë e vëllait të tij".
10 Dhe emri i tij në Izrael do të jetë: "Shtëpia e atij të cilit i është hequr sandalja".
11 Në rast se dy burra kanë një grindje midis tyre, dhe gruaja e njerit afrohet për të liruar të shoqin nga duart e atij që e rreh, shtrin dorën dhe e kap nga organet gjenitale, asaj do t’i pritet dora;
12 syri yt nuk do të ketë mëshirë për të.
13 Nuk do të kesh në thesin tënd dy pesha, një të madhe dhe një të vogël.
14 Nuk do të kesh në shtëpi dy masa, një të madhe dhe një të vogël.
15 Do të kesh një peshë të saktë dhe të drejtë, do të kesh një masë të saktë dhe të drejtë, me qëllim që ditët e tua të zgjaten në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep.
16 Sepse të gjithë ata që kryejnë veprime të tilla, të gjithë ata që sillen në mënyrë jo të drejtë, urrehen nga Zoti, Perëndia yt.
17 Kujto atë që të bëri Amaleku gjatë rrugës, kur dolët nga Egjipti;
18 ai të doli përballë rrugës, duke sulmuar nga prapa tërë të dobëtit që ishin të fundit, kur ti ishe i lodhur dhe i mbaruar, dhe nuk pati fare frikë nga Perëndia.
19 Kur, pra, Zoti, Perëndia yt, do të sigurojë qetësi nga armiqtë e tu rreth e përqark vendit që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi për ta pushtuar, do të fshish kujtimin e Amalekut nën qiellin; mos e harro!".
26 "Kur të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, dhe ta shtiesh në dorë dhe të banosh në të,
2 do të marrësh disa nga prodhimet e para të të gjitha prodhimeve të tokës të mbledhura nga ti në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep, do t’i vësh në një shportë dhe do të shkosh në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij.
3 Pastaj do t’i paraqitesh priftit në funksion ato ditë dhe do t’i thuash: Unë i deklaroj sot Zotit, Perëndisë tënd, që kam hyrë në vendin që Zoti uu betua t’u japë etërve tanë".
4 Atëherë prifti do të marrë shportën nga duart e tua dhe do ta vërë përpara altarit të Zotit, Perëndisë tënd;
5 dhe ti do të përgjigjesh duke thënë para Zotit, Perëndisë tënd: "Ati im ishte një Arameo para se të vdesë; ai zbriti në Egjipt dhe banoi aty si i huaj me pak njerëz; aty u bë një komb i madh, i fuqishëm dhe i shumtë.
6 Por Egjiptasit na trajtuan keq, na shtypën dhe na imponuan një skllavëri të rëndë.
7 Atëherë bërtitëm dhe Zoti, Perëndia i etërve tanë, e dëgjoi zërin tonë, pa dëshpërimin tonë, punën tonë të rëndë dhe shtypjen tonë.
8 Kështu Zoti na nxori nga Egjipti me një dorë të fuqishme dhe me krah të shtrirë, me gjëra të tmerrshme e me mrekulli dhe me shenja;
9 pastaj na solli këtu dhe na dha këtë vend, ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.
10 Dhe ja tani unë solla prodhimet e para të tokës që ti, o Zot, më ke dhënë!". Do t’i vendosësh para Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të biesh përmbys përpara Zotit, Perëndisë tënd;
11 dhe do të gëzoheni, ti, Leviti dhe i huaji që ndodhet në radhët e tua për të mirat që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë ty dhe shtëpisë sate.
12 Kur të kesh mbaruar së dhëni tërë të dhjetat e të ardhurave të tua në vitin e tretë, viti i të dhjetave, dhe ua ke dhënë Levitit, të huajit, jetimit dhe gruas së ve, me qëllim që t’i hanë brenda portave të tua dhe të ngopen,
13 do të thuash përpara Zotit, Perëndisë tënd: "Unë kam hequr nga shtëpia ime atë që është shenjtëruar dhe ua kam dhënë Levitit, të huajit, jetimit dhe gruas së ve, në bazë të të gjitha gjërave që më ke urdhëruar; nuk kam shkelur as kam harruar asnjë nga urdhrat e tua.
14 Nuk i hëngra gjatë zisë sime, nuk mora prej tyre kur isha i papastër dhe nuk ua ofrova të vdekurve; iu binda zërit të Zotit, Perëndisë tim, dhe veprova në bazë të të gjitha gjërave që më ke urdhërar.
15 Kthe ndaj nesh vështrimin tënd nga banesa jote e shenjtë, nga qielli, dhe beko popullin tënd të Izraelit dhe vendin që na ke dhënë, siç iu betove etërve tanë, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.
16 Sot Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të zbatosh në praktikë këto statute dhe dekrete; ki kujdes që t’i zbatosh me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.
17 Ti sot deklarove që Zoti është Perëndia yt, që do të ecësh në rrugët e tij dhe do të respektosh statutet, urdhërimet dhe dekretet e tij, dhe do t’i bindesh zërit të tij.
18 Sot Zoti ka deklaruar gjithashtu që ti je popull i tij, një thesar i veçantë, siç të ka thënë, me qëllim që ti të respektosh të githa urdhërimet e tij,
19 dhe ti të mund të lartësohesh mbi të gjitha kombet që ai ka bërë për lavdi, famë dhe zulmë dhe që ti të jesh një popull i shenjtëruar për Zotin, Perëndinë tënd, ashtu siç e ka thënë ai".
27 Atëherë Moisiu dhe pleqtë e Izraelit i dhanë popullit këtë urdhër: Respektoni të gjitha urdhërimet që po ju caktoj sot..
2 Ditën që do të kapërceni Jordanin për të hyrë në vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep, do të ngresh për vete gurë të mëdhenj dhe do t’i lyesh me gëlqere.
3 Pastaj do të shkruash mbi ta tërë fjalët e këtij ligji, kur të kapërcesh Jordanin për të hyrë në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu.
4 Kështu, pra, kur të kaloni Jordanin, do të ngrini në malin Ebal këta gurë, që sot ju urdhëroj, dhe do t’i lyeni me gëlqere.
5 Aty do t’i ngresh edhe një altar Zotit, Perëndisë tënd, një altar gurësh, mbi të cilët nuk do të përdorësh vegël hekuri.
6 Do të ndërtosh altarin e Zotit, Perëndisë tënd, me gurë të pacënuar, dhe mbi të do t’i ofrosh olokauste Zotit, Perëndisë tënd.
7 Do të ofrosh flijime falenderimi, dhe aty do të hash dhe do të gëzohesh përpara Zotit, Perëndisë tënd.
8 Dhe do të shkruash mbi këta gurë tërë fjalët e këtij ligji me gërma shumë të qarta".
9 Pastaj Moisiu dhe priftërinjtë levitë i folën tërë Izraelit, duke thënë: Mbaj qetësi dhe dëgjo, o Izrael! Sot je bërë populli i Zotit, Perëndisëë tënd.
10 Do t’i bindesh, pra, zërit të Zotit, Perëndisë tënd, dhe do t’i zbatosh në praktikë urdhërimet dhe ligjet që sot të urdhëroj".
11 Po atë ditë Moisiu i dha këtë urdhër popullit, duke i thënë:
12 "Ja ata do të rrijnë në malin Gerizim për të bekuar popullin kur të keni kapërcyer Jordanin: Simeoni, Levi, Juda, Isakari, Jozefi dhe Beniamini;
13 dhe ja ata që do të rrijnë në malin Ebal për të shqiptuar mallkimin: Rubeni, Gadi, Asheri, Zabuloni, Dani dhe Neftali.
14 Levitët do të flasin dhe do t’u thonë me zë të lartë gjithë burrave të Izraelit:
15 "Mallkuar qoftë ai njeri që bën një shëmbëlltyrë të gdhendur o prej metali të shkrirë, gjë e neveritshme për Zotin, vepër e duarve të një artizani, dhe e vendos në një vend sekret!". Dhe tërë populli do të përgjigjet dhe do të thotë: "Amen".
16 "Mallkuar qoftë ai që përçmon atin ose nënën e tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
17 "Mallkuar qoftë ai që zhvendos kufijtë e të afërmit të tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
18 "Mallkuar qoftë ai që i humb rrugën të verbërit!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
19 "Mallkuar qoftë ai që cënon të drejtën e të huajit, të jetimit dhe të gruas së ve!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
20 "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me gruan e atit të tij,; sepse ka ngritur cepin e mbulesës së atit të tij!". Dhe tërë populli do të thotë: Amenn".
21 "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me çfarëdo kafshë!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
22 "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me motrën e tij, me bijën e atit të tij ose me bijën e nënes së tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
23 "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me vjehrrën e tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
24 "Mallkuar qoftë ai që vret të afërmin e tij në mënyrë të fshehtë!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
25 "Mallkuar qoftë ai që pranon një dhuratë për të goditur për vdekje një të pafajshëm!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
26 "Mallkuar qoftë ai që nuk u përmbahet fjalëve të këtij ligji për t’i zbatuar në praktikë!". Tërë populli do të thotë: "Amen".