Ligji i Përtërirë 1-3
Albanian Bible
1 Këto janë fjalët që Moisiu i drejtoi Izraelit matanë Jordanit, në shkretëtirë, në Arabah, përballë Sufit, midis Paranit, Tofelit, Labanit, Hatserothit dhe Zahabit.
2 Ka njëmbëdhjetë ditë rrugë nga mali Horeb, duke ndjekur rrugën e malit Seir, deri në Kadesh-Barnea.
3 Në vitin e dyzetë në muajin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit, Moisiu u foli bijve të Izraelit, simbas porosive që i kishte dhënë Zoti,
4 mbas mundjes së Sihonit, mbretit të Amorejve që banonte në Heshbon, dhe të Ogut, mbretit të Bashanit që banonte në Ashtaroth dhe në Edrej.
5 Matanë Jordanit, në vendin e Moabit, Moisiu filloi ta shpjegojë këtë ligj, duke thënë:
6 "Zoti, Perëndia ynë, na foli në Horeb dhe na tha: "Ju keni ndenjur mjaft afër këtij mali;
7 çoni çadrat, vihuni në lëvizje dhe shkoni në drejtim të krahinës malore të Amorejve dhe në drejtim të të gjitha vendeve të afërta me Arabahun, në krahinën malore dhe në ultësirën, në Negev e në bregun e detit, në vendin e Kananejve dhe në Liban, deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit.
8 Ja, unë e vura vendin para jush; hyni dhe shtjireni në dorë vendin që Zoti ishte betuar t’ua jepte etërve tuaj, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, atyre dhe pasardhësve të tyre mbas tyre"".
9 "Në atë kohë unë ju fola dhe ju thashë: "Unë nuk mund ta mbaj i vetëm barrën që përfaqësoni ju të tërë.
10 Zoti, Perëndia juaj, ju ka shumuar, dhe ja, sot jeni në numër të madh si yjet e qiellit.
11 Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju bëftë njëmijë herë më të shumtë, dhe ju bekoftë ashtu si ju ka premtuar!
12 Por si mundem unë, duke qenë i vetëm, të mbaj barrën tuaj, peshën tuaj dhe grindjet tuaja?
13 Zgjidhni nga fiset tuaja burra të urtë, me gjykim e me përvojë, dhe unë do t’i bëj prijës tuaj".
14 Dhe ju m’u përgjigjët, duke thënë: "Ajo që ti propozon të bësh është e mirë".
15 Atëherë mora prijësit e fiseve tuaja, njerëz të urtë dhe me përvojë, dhe i caktova si prijës tuaj, prijës të mijërave, të qindrave të pesëdhjetëve, të dhjetrave, dhe oficerë të fiseve tuaja.
16 Në atë kohë u dhashë këtë urdhër gjykatësve tuaj, duke u thënë: "Dëgjoni dhe gjykoni me drejtësi grindjet midis vëllezërve tuaj, midis një njeriu dhe të vëllait ose të huajit që ndodhet pranë tij.
17 Në gjykimet tuaja nuk do të keni konsiderata personale; do të dëgjoni si të madhin ashtu edhe të voglin; nuk do të keni frikë nga asnjeri, sepse gjykimi i përket Perëndisë; çështjen që është shumë e vështirë për ju do të ma paraqisni mua, dhe unë do ta dëgjoj".
18 Në atë kohë unë ju urdhërova të gjitha gjërat që duhet të bënit".
19 "Pastaj u nisëm nga mali i Horebit dhe përshkuam gjithë atë shkretëtirë të madhe dhe të tmerrshme që keni parë, duke u drejtuar nga krahina malore e Amorejve, ashtu si na kishte urdhëruar Zoti, Perëndia ynë, dhe arritëm në Kadesh-Barnea.
20 Atëherë ju thashë: "Keni arritur në krahinën malore të Amorejve, që Zoti, Perëndia ynë, na jep.
21 Ja, Zoti, Perëndia ynë, e ka vënë vendin para teje, ngjitu dhe shtjire në dorë, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu; mos ki frikë dhe mos u ligështo".
22 Atëherë ju, të gjithë ju, u afruat pranë meje dhe më thatë: "Të dërgojmë disa njerëz para nesh që të vëzhgojnë vendin për ne dhe të na tregojnë rrugën nëpër të cilën ne duhet të ngjitemi dhe qytetet në të cilat duhet të hyjmë".
23 Ky propozim më pëlqeu, kështu mora dymbëdhjetë njerëz nga radhët tuaja, një për çdo fis.
24 Dhe ata u nisën, u ngjitën drejt maleve, arritën në luginën e Eshkolit dhe vëzhguan vendin.
25 Morën me vete disa fruta të vendit, na i sollën dhe na paraqitën raportin e tyre, duke thënë: "Vendi që po na jep Zoti, Perëndia ynë, është i mirë"".
26 "Por ju nuk deshët të ngjiteni dhe ngritët krye kundër urdhërit të Zotit, Perëndisë tuaj;
27 dhe murmuritët në çadrat tuaja dhe thatë: "Zoti na urren, për këtë arsye na nxori nga vendi i Egjiptit për të na dorëzuar në duart e Amorejve dhe për të na shkatërruar.
28 Ku mund të shkojmë? Vëllezërit tonë na pezmatuan zemrën duke na thënë: Éshtë një popull më i madh dhe më shtatlartë se ne; qytetet janë të mëdha dhe të fortifikuara deri në qiell; pamë bile edhe bijtë e Anakimit".
29 Atëherë unë ju thashë: "Mos u trembni dhe mos kini frikë nga ata.
30 Zoti, Perëndia juaj, që shkon para jush, do të luftojë ai vetë për ju, ashtu si ka bërë para syve tuaj në Egjipt
31 dhe në shkretëtirë, ku ke parë se si Zoti, Perëndia yt, të ka shpënë ashtu si një njeri çon fëmijën e tij, gjatë gjithë rrugës që keni përshkuar deri sa arritët në këtë vend".
32 Megjithatë ju nuk patët besim tek Zoti, Perëndia juaj,
33 që shkonte në rrugë para jush për t’ju gjetur një vend ku të ngrinit çadrat, me zjarrin e natës dhe me renë e ditës, për t’ju treguar cilën rrugë duhet të ndiqnit.
34 "Kështu Zoti dëgjoi fjalët tuaja, u zemërua dhe u betua duke thënë:
35 Me siguri, asnjë nga njerëzit e këtij brezi të keq nuk do ta shohë vendin e mirë që jam betuar t’u jap etërve tuaj,
36 me përjashtim të Kalebit, birit të Jenufehut. Ai do ta shohë; atij dhe bijve të tij do t’u jap tokën që ai ka shkelur, sepse i ka shkuar pas Zotit plotësisht".
37 Edhe kundër meje Zoti u zemërua për fajin tuaj dhe tha: "As ti nuk ke për të hyrë;
38 por Jozueu, bir i Nunit, që qëndron para teje, ka për të hyrë; përforcoje, se ai do ta bëjë Izraelin ta zotërojë vendin.
39 Fëmijët tuaj, që ju thatë se do të bëhen pre e armiqve, që sot nuk njohin as të mirën as të keqen, janë ata që do të hyjnë; do t’jua jap atyre vendin dhe ata do ta zotërojnë.
40 Ju kthehuni prapa dhe shkoni nga shkretëtira, në drejtim të Detit të Kuq".
41 Atëherë ju u përgjigjët, duke më thënë: "Kemi mëkatuar kundër Zotit. Ne do të ngjitemi dhe do të luftojmë pikërisht ashtu si ka thënë Zoti, Perëndia ynë". Dhe secili prej jush ngjeshi armët dhe filloi me guxim të ngjitet në drejtim të krahinës malore.
42 Dhe Zoti më tha: "U thuaj atyre: Mos u ngjitni dhe mos luftoni, sepse unë nuk jam midis jush, dhe ju do të mundeni nga armiqtë tuaj".
43 Unë jua thashë, por ju nuk më dëgjuat; bile ngritët krye kundër urdhrit të Zotit, u sollët me mendjemadhësi dhe u ngjitët drejt krahinës malore.
44 Atëherë Amorejtë, që banojnë në këtë krahinë malore, dolën kundër jush, ju ndoqën si bëjnë bletët dhe ju prapsën nga Seiri deri në Hormah.
45 Pastaj ju u kthyet dhe filluat të qani përpara Zotit; por Zoti nuk mori parasysh ankimet tuaja dhe nuk ju dëgjoi.
46 Kështu mbetët shumë ditë në Kadesh, gjithë kohën që qëndruat atje".
2 "Pastaj u kthyem prapa dhe u nisëm nëpër shkretëtirë në drejtim të Detit të Kuq, ashtu si më pati thënë Zoti, dhe u sollëm rreth malit Seir për një kohë të gjatë.
2 Pastaj Zoti më foli duke thënë:
3 "Jeni sjellë mjaft rreth këtij mali; kthehuni nga veriu.
4 Dhe urdhëron popullin duke i thënë: Jeni duke kaluar kufirin e bijve të Ezaut, vëllezërve tuaj, që banojnë në Seir; ata do të kenë frikë nga ju; prandaj hapni sytë;
5 mos i provokoni, sepse nuk do t’ju jap asgjë nga vendi i tyre, as aq sa mund të shkelë një këmbë, sepse malin e Seirit ia kam dhënë Ezaut, si pronë të tij.
6 Do të blini me para prej tyre ushqimet që do të hani dhe do të blini gjithashtu me para ujin që do të pini.
7 Sepse Zoti, Perëndia yt, të ka bekuar në gjithë punën e duarve të tua; është kujdesur për udhëtimin tënd nëpër shkretëtirën e madhe. Zoti, Perëndia yt, ka qenë me ty gjatë këtyre dyzet viteve dhe asgjë nuk të ka munguar".
8 Kështu kaluam përtej bijve të Ezaut, vëllezërve tanë, që banonin në Seir dhe, duke evituar rrugën e Arabahut, si dhe Eliathin dhe Etsion-Geberin, u tërhoqëm dhe vazhduam duke kaluar nëpër shkretëtirën e Moabit.
9 Pastaj Zoti më tha: "Mos sulmo Moabin dhe mos lufto kundër tij, sepse nuk do të të jap asnjë pjesë të vendit të tyre si trashëgimi, duke qenë se u kam dhënë Arin si pronë pasardhësve të Lotit.
10 (Në kohët e kaluara këtu banonin Emimët, një popull i madh, i shumtë dhe trupmadh si Anakimët.
11 Edhe këta konsideroheshin gjigantë, ashtu si Anakimët; por Moabitët i quanin Emimë.
12 Seiri banohej në fillim nga Horejtë; por pasardhësit e Ezaut i dëbuan, i shkatërruan dhe u vendosën në vendin e tyre, ashtu si ka bërë Izraeli në vendin që zotëron dhe që i ka dhënë Zoti).
13 Tani çohuni dhe kaloni përroin e Zeredit". Kështu ne kapërcyem përroin e Zeredit.
14 Koha e nevojshme për të arritur nga Kadesh-Barnea deri në kalimin e përroit të Zeredit, ishte tridhjetë e tetë vjet, deri sa tërë brezi i luftëtarëve të zhdukej plotësisht nga kampi, ashtu si u qe betuar atyre Zoti.
15 Në fakt dora e Zotit qe kundër tyre për t’i asgjësuar nga kampi, deri sa të zhdukeshin.
16 Kështu, kur luftëtari i fundit vdiq në mes të popullit,
17 Zoti më foli duke thënë:
18 "Sot ti po bëhesh gati të kalosh kufirin e Moabit në Ar;
19
20 (Edhe konsiderohej si një vend gjigantësh; në kohërat e kaluara këtu banonin gjigantë; por Amonitët i quanin Zamzumimë,
21 një popull i madh, i shumtë dhe shtatlartë si Anakimët; por Zoti i shkatërroi para Amonitëve, që i dëbuan dhe u vendosën në vendin e tyre,
22 ashtu si kishte vepruar Zoti me pasardhësit e Ezaut që banonin në Seir, kur shkatërroi Horejtë përpara tyre. Ata i dëbuan dhe u vendosën në vendin e tyre deri në ditët tona.
23 Edhe Avejtë, që banonin në fshatrat deri në Gaza, u shkatërruan nga Kaftorejtë, që kidhin ardhur nga Kaftori, të cilët u vendosën në vendin e tyre).
24 "Çohuni, vihuni në marshim dhe kaloni përroin Arnon; ja, unë po e kaloj nën pushtetin tënd Sihonin, Amoreun, mbretin e Heshbonit, dhe vendin e tij; fillo ta shtiesh atë në dorë dhe shpalli luftë.
25 Sot do të filloj t’u kall frikën dhe terrorin tënd popujve nën tërë qiejt, të cilët do të dëgjojnë të flitet për ty, do të dridhen dhe do t’i zërë ankthi nga shkaku yt.
26 Atëherë nga shkretëtira e Kedemothit i dërgova lajmëtarë Sihonit, mbretit të Heshbonit, me propozime paqësore, për t’i thënë:
27 Lërmë të kaloj nëpër vendin tënd; unë do të shkoj nëpër rrugën Mbretërore, pa u kthyer as djathtas as majtas.
28 Ti do të më shesësh me para ushqimet që do të ha dhe do të më japësh me para ujin që do të pi; më lejo vetëm të kaloj me këmbë
29 (ashtu si kanë bërë për mua pasardhësit e Ezaut që banojnë në Seir dhe Moabitët që banojnë në Ar), deri sa unë të kem kaluar Jordanin për të hyrë në vendin që Zoti, Perëndia ynë, na dha".
30 Por Sihoni, mbret i Heshbonit, nuk deshi të na linte të kalonim nëpër territorin e tij, sepse Zoti, Perëndia yt, i kishte ngurtësuar frymën dhe e kishte bërë kryeneç, për të ta dhënë në duart e tua, siç është pikërisht sot.
31 Dhe Zoti më tha: "Shiko, kam filluar të kaloj nën pushtetin tënd Sihonin dhe vendin e tij; fillo ta pushtosh, që ti të bëhesh zotëruesi i vendit të tij".
32 Atëherë Sihoni doli kundër nesh me gjithë njerëzit e tij, për t’u ndeshur në Jahats.
33 Por Zoti, Perëndia ynë, na e dha në dorë, dhe ne e mundëm atë, bijtë e tij dhe tërë njerëzit e tij.
34 Në atë kohë pushtuam tërë qytetet e tij dhe shfarosëm burrat, gratë dhe fëmijët e çdo qyteti; nuk lamë gjallë asnjë.
35 Morëm si plaçkë vetëm bagëtinë dhe plaçkën e qyteteve që kishim pushtuar.
36 Nga Aroeri, që ndodhet në brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që është në luginë, deri në Galaad, nuk pati asnjë qytet që të ishte shumë i fortë për ne; Zoti Perëndia ynë, na i dha të gjitha në dorën tonë.
37 Por nuk iu afrove vendit të bijve të Amonit, dhe asnjë vendi anës përroit Jabok, as qyteteve të vendit malor dhe tërë qëndrave që Zoti, Perëndiai ynë, na kishte ndaluar të sulmonim.
3 "Pastaj u kthyem dhe u ngjitëm nëpër rrugën e Bashanit; dhe Ogu, mbret i Bashanit, me gjithë njerëzit e tij, na doli kundër për t’u ndeshur në Edrej.
2 Por Zoti më tha: "Mos ki frikë nga ai, sepse unë do ta jap atë në duart e tua, tërë njerëzit e tij dhe vendin e tij; do t’i bësh atij atë që i bëre Sihonit, mbretit të Amorejve, që banonte në Heshbon".
3 Kështu Zoti, Perëndia ynë, na dha në dorë edhe Ogun, mbretin e Bashanit, me gjithë njerëzit e tij; dhe ne e mundëm atë pa lënë gjallë asnjë.
4 Në atë kohë pushtuam tërë qytetet e tij; nuk pati qytet që nuk ra në dorën tonë: gjashtëdhjetë qytete, tërë krahina e Argobit, mbretëria e Ogut në Bashan.
5 Tërë këto qytete ishin të fortifikuara me mure të larta, porta dhe shufra hekuri, pa llogaritur një numër të madh fshatrash.
6 Ne vendosëm t’i shfarosim, ashtu si kishim vepruar me Sihonin, mbretin e Heshbonit, duke shkatërruar plotësisht tërë qytetet, duke shfarosur burrat, gratë dhe fëmijët.
7 Por mbajtëm si plaçkë tërë bagëtinë dhe plaçkat e qyteteve të tyre.
8 Në atë kohë, pra, morëm nga duart e dy mbretërve të Amorejve vendin që ndodhet matanë Jordanit, nga përroi i Armonit deri në malin e Hermonit,
9 (Hermoni quhet Sirion nga Sidonët dhe Senir nga Amorejtë),
10 të gjitha qytetet e fushës, tërë Galaadin, tërë Bashanin deri në Salkah dhe në Edrej, qytete të mbretërisë së Ogut në Bashan.
11 Sepse Ogu, mbret i Bashanit, ishte i vetmi që kishte mbetur gjallë nga fisi i gjigantëve. Ja, shtratin i tij ishte një shtrat prej hekuri (a nuk ndodhet sot ndofta në Rabah të Amonitëve?). Ai është i gjatë nëntë kubitë dhe i gjerë katër kubitë, simbas kubitit të njeriut.
12 Në atë kohë ne pushtuam këtë vend; unë u dhashë Rubenitëve dhe Gaditëve territorin e Aroerit, gjatë përroit Arnon deri në gjysmën e krahinës malore të Galaadit së bashku me qytetet e tij;
13 dhe i dhashë gjysmës së fisit të Manasit mbetjen e Galaadit dhe tërë Bashanin, mbretërinë e Ogut (tërë krahinën e Argobit me gjithë Bashanin, që quhej vendi i gjigantëve.
14 Jairi, bir i Manasit, mori tërë krahinën e Argobit, deri në kufijtë e Geshuritëve dhe të Maakathitëve; dhe u vuri emrin e tij lagjeve të Bashanit, që edhe sot quhen qytetet e Jairit).
15 Dhe i dhashë Makirin Galaadit.
16 Rubenitëve dhe Gaditëve u dhashë territorin e Galaadit deri në përroin e Armonit, bashkë me gjysmën e lumit që shërben si kufi, dhe deri në lumin Jabok, që është kufiri i bijve të Amonit,
17 dhe Arabahun, me Jordanin si kufi, nga Kinerethi deri në bregun lindor të detit të Arabahut poshtë shpatëve të Pisgahut.
18 Në atë kohë unë ju dhashë këtë urdhër, duke thënë: "Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë këtë vend që ta zotëroni. Ju të gjithë, njerëz trima, do të kaloni Jordanin të armatosur, në krye të bijve të Izraelit, të vëllezërve tuaj.
19 Por bashkëshortet tuaja, të vegjëlit dhe bagëtia juaj (e di që keni shumë bagëti) do të mbeten në qytetet që ju kam dhënë,
20 për deri sa Zoti t’i lërë vëllezërit tuaj të çlodhen, ashtu siç bëri me juve, dhe të shtien edhe ata në dorë vendin që Zoti, Perëndia juaj, u jep atyre matanë Jordanit. Pastaj secili ka për t’u kthyer në trashëgiminë që ju dhashë".
21 Në atë kohë urdhërova gjithashtu Jozueun, duke thënë: "Sytë e tu kanë parë të gjitha ato që Zoti, Perëndia juaj, u ka bërë këtyre dy mbretërve; në të njëjtën mënyrë do të veprojë Zoti në të gjitha mbretëritë që do të përshkosh.
22 Mos kini frikë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, ka për të luftuar ai vetë për ju".
23 Në të njëjtën kohë unë iu luta Zotit, duke i thënë:
24 O Zot, O Zot, ti ke filluar t’i tregosh shërbëtorit tënd madhështinë tënde dhe dorën e fuqishme që ke; sepse cila është perëndia në qiell apo në tokë që mund të kryejë vepra dhe mrekulli si ato që bën ti?
25 Prandaj më ler të kaloj Jordanin për të parë vendin e bukur që është matanë tij, krahinën e bukur malore dhe Libanin".
26 Por Zoti u zemërua me mua, për shkakun tuaj, dhe nuk e plotësoi dëshirën time. Kështu Zoti më tha: "Mjaft me kaq; mos më fol më për këtë gjë.
27 Ngjitu në majën e Pisgahut, hidh sytë nga perëndimi, nga veriu, nga jugu dhe nga lindja dhe sodit me sytë e tu, sepse ti nuk do ta kalosh këtë Jordan.
28 Por jepi urdhër Jozueut, përforcoje dhe jepi zemër, sepse ai do ta kalojë Jordanin në krye të këtij populli dhe do ta bëjë Izraelin zot të vendit që ke për të parë".
29 Kështu u ndalëm në luginën përballë Beth-Peorit".