Zbulesa 2
Albanian Bible
2 “Engjëllit të kishës në Efes shkruaji: këtë thotë ai që mban të shtatë yjet në të djathtën e tij dhe që ecën në mes të shtatë shandanëve prej ari.
2 Unë i njoh veprat e tua, mundin tënd dhe durimin tënd edhe se ti s’mund t’i durosh të këqijtë; ti i vure në provë ata që pretendojnë se janë apostuj dhe nuk janë dhe i gjete gënjeshtarë.
3 Ti ke duruar, ke qëndrueshmëri dhe për hir të emrit tim je munduar pa u lodhur.
4 Por kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parën e le.
5 Kujtohu, pra, se nga ke rënë, pendohu, dhe bëj veprat e para; në mos do të vi së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh.
6 Por ti ke këtë, që i urren veprat e Nikolaitëve, që i urrej edhe unë.
7 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave: kujt fiton do t’i jap të hajë nga pema e jetës, që është në mes të parajsës së Perëndisë.”
8 “Dhe engjëllit të kishës në Smirnë, shkruaji: këtë thotë i pari dhe i fundit, që qe i vdekur dhe kthehej në jetë.
9 Unë i njoh veprat e tua, dhe shtrengimin e varfërinë (por ti je i pasur) dhe blasfeminë e atyre që e quajnë veten Judenj, por nuk janë, por janë një sinagogë e Satanit.
10 Mos ki frikë nga ato për të cilat do të vuash; ja, djalli do të hedhë disa prej jush në burg, që të provoheni, dhe ju do të keni shtrengim për dhjetë ditë. Ji besnik deri në vdekje dhe unë do të të jap kurorën e jetës.
11 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave: kush fiton nuk do të preket nga vdekja e dytë.”
12 “Dhe engjëllit të kishës në Pergam, shkruaji: Këto gjëra thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehë:
13 Unë i di veprat e tua dhe ku banon, atje ku është froni i Satanit; dhe ti mbahesh fort tek emri im dhe nuk e mohove besimin në mua, edhe në ato ditë kur Antipa, dëshmitari im, besnik, u vra midis jush, atje ku banon Satani.
14 Por kam disa gjëra kundër teje: sepse ke aty disa që mbajnë mësimin e Balaamit, i cili e mësoi Balakun t’u vërë një gurë pengese përpara bjive të Izraelit që të hanë flijime idhujsh dhe të kurvërojnë.
15 Kështu ti ke edhe disa që mbajnë mësimin e Nikolaitëve, të cilën gjë e urrej.
16 Pendohu, përndryshe do të vij së shpejti te ti dhe do të luftoj kundër tyre me shpatën e gojës sime.
17 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave: kujt fiton do t’i jap të hajë nga mana që është fshehur; dhe do t’i jap një gur të bardhë, dhe mbi gur është shkruar një emër i ri, të cilin s’e njeh askush, përveç atij që e merr.”
18 “Edhe engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: Këto gjëra thotë Biri i Perëndisë, ai që ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e tij janë të ngjashëm me bronz të shkëlqyeshëm.
19 Unë i njoh veprat e tua, dashurinë tënde, besimin tënd, shërbimin tënd, durimin tënd dhe di që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat.
20 Por kam disa gjëra kundër teje, sepse ti e lejon gruan Jezabel, që e quan veten profeteshë, të mësojë dhe t’i mashtrojë shërbëtorët e mi të kurvërojnë dhe të hanë gjëra të flijiuara idhujve.
21 Dhe i dhashë kohë që të pendohet për kurvërinë e saj, por ajo nuk u pendua.
22 Ja, unë e flakë atë në një shtrat vuajtjesh, dhe ata që kurvërojnë me të, në shtrëngim të madh, po nuk u penduan për veprat e tyre;
23 Dhe do t’i godas me vdekje bijtë e saj; dhe të gjitha kishat do të njohin se unë jam ai që heton mendjet dhe zemrat; dhe do t’i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave të veta.
24 Por juve dhe të tjerëve që janë në Tiatirë, që nuk kanë këtë doktrinë dhe nuk i kanë njohur thellësirat e Satanit, siç e quajnë ata, unë them: nuk do të vë barrë tjetër mbi ju;
25 por mbajeni fort atë që keni, derisa të vij.
26 Dhe kujt fiton dhe i ruan deri në fund veprat e mia, do t’i jap pushtet mbi kombet;
27 dhe ai do t’i qeverisë ata me një shufër hekuri dhe ata do të thyhen si enë argjile, sikurse mora edhe unë pushtet prej Atit tim;
28 dhe unë do t’i jap atij yllin e mëngjesit.
29 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave.”