Psalmet 123-124
Albanian Bible
123 Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë.
2 Ja, ashtu si sytë e shërbëtorëve drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe sytë e shërbëtores te dora e zonjës së saj, kështu sytë tona drejtohen te Zoti, Perëndia ynë deri sa ai të ketë mëshirë për ne.
3 Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse jemi velur jashtë mase me përçmimin.
4 Shpirti ynë është velur jashtë mase me talljen e arrogantëve dhe me përçmimin e krenarëve.
124 Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, le të thotë Izraeli:
2 "Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, kur njerëzit u ngritën kundër nesh,
3 ata do të na kishin përpirë të gjallë, aq shumë shpërtheu zëmërimi i tyre kundër nesh;
4 atëherë ujërat do të na kishin mbuluar dhe përroi do të kishte kaluar mbi ne,
5 atëherë ujërat e fryra do të kishin kaluar mbi ne".
6 Bekuar qoftë Zoti, që nuk na la si pre të dhëmbëve të tyre.
7 Shpirti ynë shpëtoi si zogu nga laku i gjuetarit; laku u këput dhe ne shpëtuam.
8 Ndihma jonë është te emri i Zotit, që ka krijuar qiejtë dhe tokën.