Fjalët e urta 19-21
Albanian Bible
19 Éshtë më i mirë një i varfër që ecën në ndershmërinë e tij se sa ndonjë që është i çoroditur nga buzët dhe që është budalla.
2 Përveç kësaj nuk është mirë që një shpirt të jetë pa dije; kush ecën me hapa të shpejta gabon rrugë.
3 Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit.
4 Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por i varfëri ndahet nga vet miku i tij.
5 Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar dhe ai që thotë gënjeshtra nuk do të ketë shpëtim.
6 Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit dhe të gjithë janë miq të atij që bën dhurata.
7 Të gjithë vëllezërit e të varfërit e urrejnë atë, aq më tepër largohen prej tij miqtë e vet. Ai mund t’u shkojë pas me fjalë, por ata nuk gjenden më.
8 Kush fiton mënçuri do vetë jetën e tij dhe ai që mbetet i matur do të gjejë të mirën.
9 Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, dhe ai që thotë gënjeshtra do të humbasë.
10 Të jetuarit në kënaqësi nuk i shkon budallait, dhe aq më pak një shërbëtori të sundojë mbi princat.
11 Mënçuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet.
12 Zemërimi i mbretit është si ulërima e një luani, por favori i tij është si vesa mbi bar.
13 Një bir budalla është një fatkeqësi për të atin, dhe grindjet e vazhdueshme të bashkëshortes së tij janë si një e pikuar e vazhdueshme.
14 Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mënçur vjen nga Zoti.
15 Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria.
16 Kush respekton urdhërimin ruan jetën e tij, por ai që lë pas dore sjelljen e tij ka për të vdekur.
17 Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë.
18 Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty deri sa të shkaktosh vdekjen e tij.
19 Njeriu shumë gjaknxehtë duhet të ndëshkohet si pasojë e kësaj, sepse po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër gjaknxehtë.
20 Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua.
21 Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar.
22 Ajo që dëshiron njeriu është mirësia dhe një i varfër vlen më tepër se një gënjeshtar.
23 Frika e Zotit të çon në jetë; kush e ka do të mbetet i ngopur dhe nuk do të preket nga asnjë e keqe.
24 Përtaci e zhyt dorën e tij në pjatë, por nuk arrin as ta çojë në gojë.
25 Godite tallësin dhe njeriu i thjeshtë do të bëhet mëndjehollë; qorto atë që ka mend dhe ai do të fitojë dituri.
26 Kush përdor dhunë me të atin dhe dëbon nënen e tij, është një faqenxirë dhe me turp.
27 Biri im, mos dëgjo më mësimet, dhe do të largohesh nga fjalët e diturisë.
28 Dëshmitari i lig tallet me drejtësinë dhe goja e të pabesëve gëlltit padrejtësinë.
29 Ndëshkimet janë përgatitur për tallësit dhe goditjet për kurrizin e budallenjve.
20 Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë.
2 Frika e mbretit është si ulërima e luanit; kush ia nxit zemërimin mëkaton kundër vetë jetës së vet.
3 Éshtë një lavdi për njeriun t’u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to.
4 Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; për pasojë do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë.
5 Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë.
6 Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre; por kush mund të gjejë një njeri besnik?
7 I drejti ecën në ndershmërinë e tij; bijtë e tij do të bekohen pas atij.
8 Një mbret që ulet mbi fronin e gjyqit davarit me vështrimin e tij çdo të keqe.
9 Kush mund të thotë: "Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im"?
10 Peshimi i dyfishtë dhe matja e dyfishtë janë që të dyja gjëra të neveritshme për Zotin.
11 Edhe fëmija me veprimet e tij tregon në se ajo që bën është e pastër dhe e ndershme.
12 Veshin që dëgjon dhe syrin që sheh i ka bërë që të dy Zoti.
13 Mos e duaj gjumin që të mos varfërohesh; mbaji sytë hapur dhe do të kesh bukë sa të ngopesh.
14 "Éshtë i keq, është i keq," thotë blerësi; por mbasi ai ka ikur, lavdërohet për blerjen.
15 Ka flori dhe margaritarë të shumtë, por buzët e pasura me dije janë një xhevahir i çmuar.
16 Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj, dhe mbaje si peng për gruan e huaj.
17 Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje.
18 Planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla; prandaj bëje luftën me këshilla të urta.
19 Ai që shkon poshtë e lart duke përfolur tregon sekretet; prandaj mos u shoqëro me atë që flet tepër.
20 Atij që mallkon të atin dhe të ëmën, llamba do t’i shuhet në terrin më të madh.
21 Trashëgimia e fituar me nxitim në fillim, nuk do të bekohet në fund.
22 Mos thuaj: "Do t’i përgjigjem së keqes me të keqen"; ki shpresë te Zoti dhe ai do të të shpëtojë.
23 Peshimi i dyfishtë është i neveritshëm për Zotin dhe peshorja e pasaktë nuk është një gjë e mirë.
24 Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet?
25 Éshtë një kurth për njeriun të marrë një zotim pa e matur mirë dhe, mbasi ta ketë marrë, të mendohet.
26 Një mbret i urtë i shpartallon njerëzit e këqij dhe kalon mbi ta rrotën.
27 Shpirti i njeriut është llamba e Zotit, që vëzhgon tërë skutat më të fshehta të zemrës.
28 Mirësia dhe besnikëria ruajnë mbretin; ai e bën të qëndrueshëm fronin e tij me anë të mirësisë.
29 Lavdia e të rinjve është forca e tyre, nderi i pleqve janë thinjat e tyre.
30 Të rrahurat që lënë plagë të thella e heqin të keqen, ashtu si goditjet që vijnë në pjesën më të brendshme të zorrëve.
21 Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai.
2 Çdo rrugë e njeriut është e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat.
3 Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi.
4 Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat.
5 Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri.
6 Të përftosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare e atij që kërkon vdekjen.
7 Dhuna e të pabesëve merr tutje, sepse ata nuk pranojnë të zbatojnë drejtësinë.
8 Rruga e njeriut të fajshëm është dredha-dredha, por njeriu i drejtë vepron ndershmërisht.
9 Éshtë më mirë të banosh mbi qoshen e një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.
10 Shpirti i të pabesit dëshiron të keqen; as shoku i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij.
11 Kur tallësi ndëshkohet, i thjeshti bëhet i urtë; por kur i urti mësohet ai fiton dije.
12 I drejti vëren me kujdes shtëpinë e të pabesit dhe përmbys të pabesët, sepse janë të këqij.
13 Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje.
14 Një dhuratë që bëhet fshehtas e fashit zemërimin dhe një dhuratë që jepet nën dorë qetëson zemërimin e fortë.
15 Të bësh atë që është e drejtë është një gëzim për të drejtin, por është një rrënim për ata që kryejnë paudhësi.
16 Njeriu që largohet nga rruga e maturisë ka për të banuar në kuvendin e të vdekurve.
17 Ai që i do qejfet do të jetë në varfëri, ai që e do verën dhe vajin nuk do të pasurohet.
18 I pabesi do t’i shërbejë si shpërblim të drejtit; dhe i paudhi në vend të njerëzve të drejtë.
19 Éshtë më mirë të banosh në një shkretëtirë se sa me një grua grindavece dhe ngacmuese.
20 Në shtëpinë e të urtit ka një thesar të çmuar dhe vaj, por njeriu budalla i bën të gjitha rrush e kumbulla.
21 Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë.
22 I urti ngjitet në qytetin e njerëzve të fortë dhe rrëzon forcën në të cilën kishte besim.
23 Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij mbron jetën e tij nga fatkeqësitë.
24 Emri i krenarit pa cipë është: "tallës"; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar.
25 Dëshirat e përtacit e vrasin atë, sepse duart e tij nuk pranojnë të punojnë.
26 Ai dëshiron me zjarr tërë ditën, por i drejti dhuron duke mos refuzuar kurrë.
27 Flijimi i të pabesit është gjë e neveritshme, aq më tepër në rast se e ofron me qëllim të keq.
28 Dëshmitari i rremë do të vdesë, por njeriu që e dëgjon do të mund të flasë gjithnjë.
29 I pabesi e fortëson fytyrën e tij, por njeriu i drejtë e bën të qëndrueshme rrugën e tij.
30 Nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit.
31 Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit.