2 i Mbretërve 23-25
Albanian Bible
23 Atëherë mbreti dërgoi njerëz për të mbledhur pranë vetes tërë pleqtë e Judës dhe të Jeruzalemit.
2 Mbreti u ngjit pastaj në shtëpinë e Zotit dhe me të u ngjitën tërë njerëzit e Judës, tërë banorët e Jeruzalemit, priftërinjtë, profetët dhe tërë populli, nga më i madhi deri te më i vogli; dhe ai lexoi në prani të tyre tërë fjalët e librit të besëlidhjes, që ishte gjetur në shtëpinë e Zotit.
3 Pastaj mbreti, duke qëndruar më këmbë mbi podium, lidhi një besëlidhje përpara Zotit, duke u zotuar të ndiqte Zotin, të respektonte porositë dhe statutet e tij me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, për të zbatuar në praktikë fjalët e kësaj besëlidhje, të shkruara në atë libër. Tërë populli e pranoi besëlidhjen.
4 Mbreti urdhëroi pastaj kryepriftin Hilkiah, priftërinjtë e rangut të dytë dhe derëtarët të çonin jashtë tempullit të Zotit objektet që ishin ndërtuar për Baalin, për Asherahun dhe për ushtrinë e qiellit; pastaj i dogjën jashtë Jeruzalemit në fushat e Kidronit dhe hirin e tyre e çuan në Bethel.
5 Ai zhduku gjithashtu priftërinjtë idhujtarë që mbretërit e Judës kishin caktuar për të djegur temjan në vendet e larta të qyteteve të Judës e në rrethinat e Jeruzalemit, dhe ata që i digjnin temjan Baalit, diellit, hënës, shenjave të zodiakut dhe gjithë ushtrisë së qiellit.
6 E çoi Asherahun nga shtëpia e Zotit jashtë Jeruzalemit në përruan e Kidronit; e dogji pranë përroit Kidron, e bëri hi dhe hirin e tij e hodhi mbi varret e njerëzve të popullit.
7 Shembi edhe shtëpitë e njerëzve që merreshin me kurvërinë e shenjtë dhe që ndodheshin në shtëpinë e Zotit, ku gratë endnin çadra për Asherahun.
8 Solli tërë priftërinjtë nga qytetet e Judës dhe përdhosi vendet e larta ku priftërinjtë kishin djegur temjan, nga Geba deri në Beer-Sheba. Rrëzoi gjithashtu vendet e larta të portave, që ishin në hyrje të portës së Jozueut guvernator i qytetit, që ishin në të majtë të atij që hyn në portën e qytetit.
9 Megjithatë priftërinjtë e vendeve të larta nuk u ngjitën në altarin e Zotit në Jeruzalem, por hëngrën bukë të ndorme në mes të vëllezërve të tyre.
10 Përveç kësaj ai përdhosi Tofethin, që ndodhej në luginën e bijve të Hinomit, me qëllim që asnjëri të mos kalonte birin apo bijën e tij nëpër zjarr për nder të Molekut.
11 Pastaj ai hoqi kuajt që mbretërit e Judës i kishin kushtuar diellit në hyrje të shtëpisë të Zotit, pranë dhomës së eunekut Nethan-Melek, që ndodhej në oborr; dhe u vuri flakën qerreve të diellit.
12 Mbreti shembi altarët që ishin mbi terracën e dhomës së sipërme të Ashazit dhe që mbretërit e Judës kishin ndërtuar, si dhe altarët që Manasi kishte bërë në dy oborret e shtëpisë të Zotit, i bëri copë-copë dhe hodhi pluhurin e tyre në përruan e Kidronit.
13 Mbreti përdhosi gjithashtu vendet e larta që ishin përballë Jeruzalemit; në jug të malit të korruptimit, që Salomoni, mbret i Izraelit, kishte ndërtuar për Ashtorethin, të neveritshmin e Sidonitëve, për Kemoshin, të neveritshmin e Moabit dhe për Milkomin, të neveritshmin e bijve të Amonit.
14 Ai i bëri copë-copë edhe shtyllat e shenjta, rrëzoi Asherimet dhe mbushi vendet e tyre me kocka njerëzore.
15 Rrëzoi gjithashtu altarin që ishte në Bethel dhe vendin e lartë të ndërtuar nga Jeroboami, bir i Nebatit që e kishte bërë Izraelin të mëkatonte; e dogji vendin e lartë sa e bëri pluhur; dogji edhe Asherahun.
16 Ndërsa Josia po kthehej, pa varrezat që ishin atje mbi mal; atëherë ai dërgoi njerëz që të merrnin kockat nga varrezat dhe i dogji mbi altar, duke e ndotur, sipas fjalës të Zotit, të shqiptuar nga njeriu i Perëndisë, që kishte paralajmëruar këto gjëra.
17 Pastaj tha: "Çfarë momumenti është ai që po shoh?". Njerëzit e qytetit iu përgjigjën: "Éshtë varri i njeriut të Perëndisë që erdhi nga Juda dhe që shpalli kundër altarit të Bethelit këto gjëra që ti ke bërë".
18 Ai tha: "Lëreni; asnjeri të mos prekë kockat e tij!". Kështu ata i lanë kockat e tij së bashkë me kockat e profetit që kishte ardhur nga Samaria.
19 Josia hoqi gjithashtu tërë tempujt e vendeve të larta që ishin në qytetin e Samarisë dhe që mbretërit e Izraelit kishin ndërtuar për të nxitur zemërimin e Zotit. Ai u bëri pikërisht atë që kishte bërë në Bethel.
20 Flijoi mbi altarët tërë priftërinjtë e vendeve të larta që ishin aty dhe dogji aty kocka njerëzore. Pastaj u kthye në Jeruzalem.
21 Mbreti i dha tërë popullit këtë urdhër: "Kremtoni Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë tuaj, ashtu siç është shkruar në këtë libër të besëlidhjes".
22 Me siguri një Pashkë e tillë nuk ishte kremtuar kështu nga koha e gjyqtarëve që e kishin qeverisur Izraelin, dhe as në tërë kohën e mbretërve të Izraelit dhe të mbretërve të Judës.
23 Por në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretit Josia kjo Pashkë u kremtua për nder të Zotit në Jeruzalem.
24 Josia eliminoi edhe mediumët dhe magjistarët, hyjnitë familjare dhe idhujt, si dhe të gjitha shkeljet e neveritshme që shiheshin në vendin e Judës dhe në Jeruzalem, për të zbatuar në praktikë fjalët e ligjit, të shkruara në librin që prifti Hilkiah kishte gjetur në shtëpinë e Zotit.
25 Para tij nuk pati asnjë mbret që, si ai, t’i ishte kthyer Zotit me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcën, sipas tërë ligjit të Moisiut; as pas tij nuk ka dalë ndonjë si ai.
26 Megjithatë Zoti nuk e fashiti zemërimin e tij të zjarrtë që e kishte përfshirë kundër Judës, për shkak të gjithë provokimeve të kryera nga Manasi.
27 Kështu Zoti tha: "Do ta largoj edhe Judën nga prania ime, ashtu si largova Izraelin, dhe do ta flak këtë qytet, Jeruzalemin, që e unë kisha zgjedhur, dhe tempullin për të cilin kisha thënë: "Aty do të jetë emri im"".
28 Pjesa tjetër e bëmave të Josias dhe tërë ato që ka bërë a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
29 Gjatë mbretërisë së tij, Faraoni Neko, mbret i Egjiptit, doli kundër mbretit të Asirisë në lumin Eufrat. Mbreti Josia marshoi kundër tij, por Faraoni e vrau në Meghido që në ndeshjen e parë.
30 Atëherë shërbëtorët e tij e çuan të vdekur mbi një qerre nga Meghido deri në Jeruzalem, ku e varrosën në varrin e tij. Pastaj populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josias, e vajosi dhe e bëri mbret në vend të atit të tij.
31 Jehoahazi ishte njëzet e tre vjeç kur filloi të mbretërojë dhe e mbajti fronin tre muaj në Jeruzalem. E ëma quhej Hamutal, ishte bija e Jeremias nga Libnahu.
32 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha ashtu si kishin vepruar etërit e tij.
33 Faraoni Neko e lidhi me zinxhira në Riblah, në vendin e Hamathit, që të mos mbretëronte më në Jeruzalem, dhe i imponoi vendit një haraç prej njëqind talentesh argjendi dhe një talent ari.
34 Pastaj Faraoni Neko bëri mbret Eliakimin, birin e Josias, në vend të atit të tij Josia, dhe e ndërroi emrin e tij në Jehojakimi. Pastaj mori Jehoahazin dhe shkoi në Egjipt, ku vdiq.
35 Jehojakimi i dha Faraonit argjendin dhe arin; por për të paguar paratë sipas urdhërit të Faraonit i vuri taksa vendit. Për të paguar Faraonin Neko, ai mblodhi argjendin dhe arin nga populli i vendit nga secili në bazë të vlerësimit të pronave të tij.
36 Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Zebidah, ishte bija e Pedaijahut të Rumahut.
37 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit në të gjitha ashtu si kishin vepruar etërit e tij.
24 Gjatë mbretërimit të tij erdhi Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, dhe Jehojakimi u bë shërbëtor i tij për tre vjet; pastaj ngriti krye kundër tij.
2 Atëherë Zoti dërgoi kundër tij banda Kaldeasish, Sirësh, Moabitësh dhe Amonitësh; i dërgoi kundër Judës për ta shkatërruar, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.
3 Kjo ndodhi në Judë vetëm me urdhër të Zotit, që donte ta largonte nga prania e tij për shkak të mëkateve të Manasit, për të gjitha ato që kishte bërë,
4 por edhe për shkak të gjakut të pafajshëm të derdhur prej tij, sepse ai e kishte mbushur Jeruzalemin me gjak të pafajshëm. Për këtë arësye Zoti nuk deshi ta falë.
5 Pjesa tjetër e bëmave të Jehojakimit dhe tërë atë që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
6 Kështu Jehojakimin e zuri gjumi me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Jehojakini.
7 Por mbreti i Egjiptit nuk doli më nga vendi i tij, sepse e mbreti i Babilonisë kishte shtënë në dorë tërë ato që ishin pronë e mbretit të Egjiptit, nga përroi i Egjiptit deri në lumin Eufrat.
8 Jehojakini ishte tetëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj në Jeruzalem. E ëma quhej Nehushta, ishte bija e Elnathanit nga Jeruzalemi.
9 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar ati i tij.
10 Në atë kohë shërbëtorët e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, u vërsulën kundër Jeruzalemit dhe qyteti mbeti i rrethuar.
11 Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, arriti para qytetit ndërsa shërbëtorët e tij po e rrethonin.
12 Atëherë Jehojakini, mbret i Judës, i doli përpara mbretit të Babilonisë bashkë me nënën e tij, me shërbëtorët, me krerët dhe me eunikët e tij. Kështu mbreti i Babilonisë e bëri rob vitin e tetë të mbretrimit të tij.
13 Pastaj, ashtu siç e kishte thënë Zoti, mori që andej tërë thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror, i bëri copë-copë të gjitha veglat prej ari që Salomoni, mbret i Izraelit, kishte bërë për tempullin e Zotit.
14 Internoi pastaj tërë Jeruzalemin, tërë krerët, tërë njerëzit trima, gjithsej dhjetë mijë robër, si dhe të gjithë artizanët dhe farkëtarët; mbetën vetëm njerëzit më të varfër të vendit.
15 Kështu ai internoi Jehojakinin në Babiloni; çoi gjithashtu në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni nënën e mbretit, bashkëshortet e tija, eunukët e tij dhe fisnikët e vendit,
16 gjithë njerëzit e aftë që ishin shtatë mijë veta, artizanët dhe farkëtarët, një mijë veta, tërë njerëzit trima dhe të aftë për luftë. Mbreti i Babilonisë i internoi në Babiloni.
17 Në vendin e Jehojakinit, mbreti i Babilonisë, bëri mbret Mataniahun, ungjin e tij, të cilit i ndërroi emrin në Sedekia.
18 Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur filloi të mbretërojë dhe e mbajti fronin në Jeruzalem njëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Hamutal, ishte bija e Jeremias nga Libnahu.
19 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar Jehojakimi.
20 Kjo ndodhi në Jeruzalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Zotit, i cili në fund i dëboi nga prania e tij. Më vonë Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.
25 Vitin e nëntë të mbretërisë së tij në muajin e dhjetë, më dhjetë të muajit, ndodhi që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit, ngriti kampin e tij kundër tij dhe ndërtoi përreth vepra rrethonjëse.
2 Kështu qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretit Sedekia.
3 Ditën e nëntë të muajit të katërt, uria ishte aq e madhe në qytet sa që nuk kishte bukë për popullin e vendit.
4 Atëherë u hap një e çarë në muret e qytetit dhe tërë luftëtarët ikën natën, nëpër rrugën e portës midis dy mureve, që ndodhej pranë kopshtit të mbretit, megjithëse Kaldeasit ishin rreth qytetit. Kështu mbreti mori rrugën e Arabahut.
5 Por ushria e Kaldeasve e ndoqi mbretin dhe e arriti në fushën e Jerikos, ndërsa tërë ushtria e tij shpërndahej larg tij.
6 Kështu ata e zunë mbretin dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, ku u shqiptua vendimi kundër tij.
7 Vranë pastaj bijtë e Sedekias në sytë e tij; pastaj i nxorën sytë Sedekias, e lidhën me zinxhira prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.
8 Ditën e shtatë të muajit të pestë (ishte viti i nëntëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë) arriti në Jeruzalem Nebuzaradani, kapiteni i rojes personale, shërbëtor i mbretit të Babolonisë.
9 Ai dogji shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror, i vuri flakën tërë shtëpive të Jeruzalemit, domethënë tërë shtëpive të fisnikëve.
10 Kështu tërë ushtria e Kaldeasve, që ishte me kapitenin e rojeve, shembi muret që rrethonin Jeruzalemin.
11 Pastaj Nebuzaradani, kapiteni i rojeve, internoi pjesën tjetër të popullit që kishte mbetur në qytet, dezertorët që ishin hedhur nga ana e mbretit të Babilonisë dhe ata që mbeten nga turma.
12 Por kapiteni i rojeve la disa nga më të varfërit e vendit të merreshin me punimin e vreshtave dhe të arave.
13 Kaldeasit i bënë copë-copë shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, dhe e çuan bronzin në Babiloni.
14 Ata muarrën edhe tiganët, lopatëzat, thikat, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin gjatë shërbimit të tempullit.
15 Kapiteni i rojes mori gjithashtu mangallët dhe kupat, ato gjëra që ishin prej ari dhe argjendi të pastër.
16 Sa për dy shtyllat, detin dhe qerret që Salomoni kishte ndërtuar për shtëpinë e Zotit, bronzi i tërë këtyre objekteve kishte një peshë që nuk mund të llogaritej.
17 Lartësia e një shtylle ishte tetëmbëdhjetë kubitë; mbi të kishte një kapitel prej bronzi. Lartësia e kapitelit ishte tre kubitë; rreth e qark kapitelit kishte një rrjetëz dhe disa shegë tërësisht prej bronzi. Shtylla tjetër, me rrjetëzën ishte njëlloj si kjo.
18 Kapiteni i rojes mori Serajahun, kryepriftin, Sofonien, priftin e dytë dhe tre derëtarët.
19 Nga qyteti mori edhe një eunuk që komandonte luftëtarët; pesë nga këshilltarët personalë të mbretit që i gjetën në qytet; sekretarin e komandantit të ushtrisë që rekrutonte popullin e vendit, dhe gjashtëdhjetë veta nga populli i vendit që u gjetën në qytet.
20 Kështu Nebuzaradani, kapiten i rojes, i mori dhe i çoi te mbreti i Babilonisë në Riblah;
21 dhe mbreti i Babilonisë urdhëroi që të vriten në Riblah, në vendin e Hamathit. Kështu Juda u internua larg vendit të tij.
22 Sa për popullin që mbeti në vendin e Judës, që e kishte lënë Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, ky vuri në krye të tij Gedaliahun, birin e Ahikamit, që ishte bir i Shafanit.
23 Kur tërë kapitenët e trupave dhe njerëzit e tyre dëgjuan që mbreti i Babilonisë kishte caktuar Gedaliahun si qeveritar, shkuan te Gedaliahu në Mitspah; ata ishin Ishmaeli, bir i Nethaniahut, Johanani, bir i Kareahut, Serajahu, bir i Tanhumethit nga Netofahu, Jaazaniahu, bir i një Maakathitit, së bashku me njerëzit e tyre.
24 Gedaliahu iu betua atyre dhe njerëzve të tyre, duke thënë: "Mos kini frikë nga shërbëtorët e Kaldeasve; qëndroni në vend, i shërbeni mbretit të Babilonisë dhe do ta ndjeni veten mirë".
25 Por muajin e shtatë, Ishmaeli, bir i Nethaniahut, që ishte bir i Elishamit, nga familja mbretërore, erdhi bashkë me dhjetë njerëz; këta goditën dhe vranë Gedaliahun si edhe Judejtë dhe Kaldeasit që ishin me të në Mitspah.
26 Atëherë tërë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, dhe kapitenët e trupave u ngritën dhe shkuan në Egjipt, sepse kishin frikë nga Kaldeasit.
27 Në vitin e tridhjetë e shtatë të robërisë së Jehojakinit, mbretit të Judës, në muajin e dymbëdhjetë, ditën e njëzeteshtatë të muajit, Evilmerodaku, mbret i Babilonisë, pikërisht vitin që filloi të mbretërojë, fali Johajakinin, mbretin e Judës, dhe e nxori nga burgu.
28 I foli me dashamirësi dhe i ofroi një fron më të lartë se ata që kishin mbretërit që ishin me të në Babiloni.
29 Kështu Jehojakini ndërroi rrobat e tij prej të burgosurit dhe hëngri gjithnjë në prani të mbretit për të gjithë ditët e jetës së tij.
30 Ushqimi i tij ishte siguruar rregullisht nga mbreti, një racion në ditë, për të gjitha ditët e jetës së tij.