1 i Samuelit 9-12
Albanian Bible
9 Kishte një njeri të Beniaminit, që quhej Kish, ishte bir i Abielit, bir i Tserorit, bir i Bekorathit, bir i Afiahut, bir i një Beniaminiti, një njeri i fortë dhe trim.
2 Ai kishte një djalë të quajtur Saul, i ri dhe i bukur, ndër bijtë e Izraelit nuk kishte asnjë më të bukur se ai; që nga supet e lart, ai ua kalonte, për shtat, gjithë njerëzve të tjerë.
3 Gomarët e Kishit, atit të Saulit, kishin humbur; Kishi i tha të birit, Saulit: "merr me vete një nga shërbëtorët, çohu dhe shko të kërkosh gomarët".
4 Kështu ai kaloi nëpër krahinën malore të Efraimit dhe përshkoi vendin e Shalishas, pa i gjetur; pastaj kaloi nëpër vendin e Shaalimit, por nuk ishin as aty; përshkuan pastaj vendin e Beniaminitëve, por nuk i gjetën as aty.
5 Kur arritën në vendin e Tsufit, Sauli i tha shërbëtorit të tij që ishte me të: "Çohu, të kthehemi, që të mos ndodhë që im atë të heqë mendjen nga gomaret dhe të fillojë të shqetësohet për ne".
6 Shëbëtori i tha: "Ja, në këtë qytet jeton një njeri i Perëndisë, që e nderojnë shumë; tërë ato që ai thotë, realizohen pa tjetër. Tani le të shkojmë atje; ndofta do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim".
7 Sauli i tha shërbëtorit të tij: "Por ja, në qoftë se shkojmë, çfarë t’i çojmë njeriut të Perëndisë? Sepse buka e thasëve tanë ka mbaruar dhe nuk kemi asnjë dhuratë për t’i çuar njeriut të Perëndisë. Çfarë kemi me vete?".
8 Dhe shërbëtori iu përgjegj Saulit, duke thënë: "Ja, unë kam në dorë një çerek sikli prej argjendi; do t’ia jap njeriut të Perëndisë dhe ai do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim".
9 (Në të kaluarën në Izrael, kur dikush shkonte për t’u këshilluar me Perëndinë, thoshte: "Çohu të shkojmë te shikuesi," sepse profeti i sotëm në të kaluarën quhej shikues).
10 Atëherë Sauli i tha shërbëtorit të tij: "Mirë e the. Çohu të shkojmë!". Dhe u drejtuan nga qyteti ku gjendej njeriu i Perëndisë.
11 Ndërsa merrnin të përpjetën që të çon në qytet, takuan rrugës dy vajza që kishin dalë për të mbushur ujë dhe i pyetën ato: "Këtu është shikuesi?".
12 Ato u përgjigjën duke thënë: "Po, ja ku është pak përpara jush, nxitoni. Sot erdhi në qytet, sepse sot populli duhet të bëjë një flijim në vendin e lartë.
13 Sa të hyni në qytet, do ta gjeni me siguri para se të ngjitet në vendin e lartë për të ngrënë. Populli nuk do të hajë deri sa ai të mbërrijë, sepse ai ka për të bekuar flijimin; pastaj të ftuarit do të fillojnë të hanë. Prandaj ngjituni lart, sepse tani do ta gjeni".
14 Kështu u ngjitën në qytet; ndërsa ata hynin në qytet, Samueli dilte në drejtim të tyre për t’u ngjitur në vendin e lartë.
15 Por një ditë para arritjes së Saulit, Zoti e kishte lajmëruar Samuelin duke thënë:
16 "Nesër në këtë orë do të dërgoj një njeri nga vendi i Beniaminit, dhe ti do ta vajosësh si udhëheqës të popullit tim të Izraelit. Ai do ta shpëtojë popullin tim nga duart e Filistejve, sepse pashë mjerimin e popullit tim, sepse britmat e tij arritën deri tek unë".
17 Kur Samueli pa Saulin, Zoti i tha: "Ky është njeriu për të cilin të fola; ai do të mbretërojë mbi popullin tim".
18 Pastaj Sauli iu afrua Samuelit në mes të portës dhe i tha: "Tregomë të lutem, ku është shtëpia e shikuesit".
19 Samueli iu përgjegj Saulit dhe i tha: "Jam unë shikuesi. Ngjitu para meje në kodër; sot do të hani me mua. Nesër në mëngjes do të lë të shkosh dhe do të të tregoj tërë ato që ke në zemër.
20 Përsa u përket gomarëve të tu që të kanë humbur tri ditë më parë, mos u mërzit se i kanë gjetur. E kujt i drejtohet gjithë dëshira e Izraelit, veçse ty dhe tërë shtëpisë së atit tënd?".
21 Sauli, duke u përgjegjur, tha: "A nuk jam unë një Beniaminit, një nga fiset më të vogla të Izraelit? Dhe familja ime a nuk është, vallë më e vogla e gjithë familjeve të fisit të Beniaminit? Pse më flet, pra, në këtë mënyrë?".
22 Atëherë Samueli mori Saulin dhe shërbëtorin e tij, i futi në sallë dhe i uli në krye të tryezës të të ftuarve që ishin rreth tridhjetë e pesë veta.
23 Pastaj Samueli i tha gjellëbërësit: "Sill pjesën që të dhashë dhe për të cilën të thashë: "Vëre mënjanë"".
24 Gjellëbërësi mori atëherë kofshën dhe atë që i ngjitej asaj, dhe ia vuri përpara Saulit. Pastaj Samueli tha: "Ja, ajo që u mbajt rezervë, u vu mënjanë për ty; haje se është ruajtur apostafat për ty kur ftova popullin". Kështu atë ditë Sauli hëngri bashkë me Samuelin.
25 Pastaj zbritën nga vendi i lartë në qytet dhe Samueli foli me Saulin mbi taracë.
26 Të nesërmen u ngritën herët, në të gdhirë. Samueli e thirri Saulin në taracë, duke i thënë: "Çohu, dhe unë do të lë të shkosh". Sauli u ngrit dhe që të dy, ai dhe Samueli, dolën jashtë.
27 Kur zbritën në periferi të qytetit, Samueli i tha Saulit: "Thuaji shërbëtorit të kalojë para nesh dhe të shkojë përpara, por ti ndalu një çast, në mënyrë që të kem mundësi të të njoftoj fjalën e Perëndisë".
10 Atëherë Samueli mori një enë të vogël me vaj dhe e derdhi mbi kokën e tij; pastaj e puthi dhe tha: "A nuk të ka vajosur Zoti si kreu i trashëgimisë së tij?
2 Sot, kur të ikësh nga unë, do të gjesh dy njerëz pranë varrit të Rakelës në kufirin e Beniaminit, në Tseltsah. Ata do të thonë: Gomaret që shkove të kërkosh u gjetën; tani yt atë nuk shqetësohet për gomaret, por për ju, dhe thotë: "Çfarë duhet të bëj për birin tim?".
3 Pastaj ti do ta kalosh atë vend dhe do të arrish në lisin e Taborit; aty do të takosh tre njerëz që shkojnë për të adhuruar Perëndinë në Bethel: njëri do të mbajë tre keca, tjetri tri bukë dhe i treti një calik me verë.
4 Ata do të të përshëndetin dhe do të të japin dy bukë, që do t’i marrësh nga duart e tyre.
5 Pastaj ti do të arrish në kodrinën e Perëndisë, ku gjendet garnizoni i Filistejve; dhe këtu, duke arritur në qytet, do të takosh një grup profetësh që do të zbresin nga vendi i lartë, të paraprirë nga një harpë, një dajre, një fyell dhe një qeste, dhe që do të bëjnë profeci.
6 Atëherë Fryma e Zotit do të të ngarkojë të bësh profeci me ta, dhe do të shndërrohesh në një njeri tjetër.
7 Kur këto shenja do të realizohen, bëj atë që rasti kërkon, sepse Perëndia është me ty.
8 Pastaj ti do të zbresësh para meje në Gilgal: dhe ja, unë do të zbres te ti për të ofruar olokauste dhe për të kryer flijime falenderimi. Ti do të presësh shtatë ditë deri sa unë të vij te ti dhe të të them çfarë duhet të bësh".
9 Sapo ktheu kurrizin për të lënë Samuelin, Perëndia ia ndërroi zemrën në një tjetër, dhe tërë ato shenja u realizuan po atë ditë.
10 Sapo arritën atje në kodër, një grup profetësh i doli përpara; atëherë ai u ngarkua nga Fryma e Perëndisë dhe filloi të bëjë profeci në mes tyre.
11 Atëherë tërë ata që e kishin njohur më parë, duke parë që profetizonte bashkë me profetët, i thonin njerë tjetrit: "Çfarë i ka ndodhur birit të Kishit? Éshtë edhe Sauli midis profetëve?".
12 Pastaj një vendas u përgjegj, duke thënë: "Po kush është ati i tyre?". Për këtë arësye u bë proverb thënia: "Éshtë edhe Sauli midis prefetëve?".
13 Me të mbaruar profecitë, Sauli u drejtua në vendin e lartë.
14 Pastaj ungji i Saulit e pyeti atë dhe shërbëtorin e tij: "Ku keni vajtur?". Ai u përgjegj: "Të kërkojmë gomaret, por, duke parë se nuk ishin, shkuam te Samueli".
15 Ungji i Saulit shtoi: "Më trego, të lutem, çfarë ju tha Samueli".
16 Kështu iu përgjegj Sauli ungjit të tij: "Ai na siguroi që gomaret i kishin gjetur". Por nuk tha asgjë lidhur me atë që Samueli kishte thënë për mbretërinë.
17 Pastaj Samueli mblodhi popullin para Zotit në Mitspah,
18 dhe u tha bijve të Izraelit: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë e nxora Izraelin nga Egjipti dhe ju çlirova nga duart e Egjiptasve dhee nga duart e të gjitha mbretërve që ju shtypnin".
19 Por sot ju keni hedhur poshtë Perëndinë tuaj që ju ka shpëtuar nga fatkeqësitë dhe mundimet tuaja dhe i thoni: "Cakto një mbret mbi ne!". Prandaj paraqituni para Zotit sipas fiseve dhe sipas mijëshëve".
20 Pastaj Samueli afroi tërë fiset e Izraelit, dhe u zgjodh fisi i Beniaminit.
21 Pas kësaj afroi fisin e Beniaminit sipas familjeve të tij dhe u zgjodh familja e Matrit. Pastaj u zgjodh Sauli, bir i Kishit; e kërkuan, por nuk e gjetën.
22 Atëherë u këshilluan përsëri me Zotin: "A ndodhet tanimë këtu?". Zoti u përgjegj: "Ja ku është fshehur midis bagazheve".
23 Vrapuan ta nxjerrin që andej; kështu ai u paraqit para popullit, dhe ishte më i lartë se gjithë njerëzit nga supi e lart.
24 Pastaj Samueli i tha tërë popullit: "E shihni atë që ka zgjedhur Zoti? Nuk ka asnjë si ai në tërë popullin. Kështu tërë populli lëshoi britma gëzimi dhe thirri: "Rroftë mbreti!".
25 Atëherë Samueli i paraqiti popullit të drejtat e mbretërisë dhe i shkroi në një libër, që vendosi përpara Zotit. Pas kësaj Samueli ktheu tërë popullin, secili shkoi në shtëpinë e tij.
26 Edhe Samueli shkoi në shtëpinë e tij në Gibeah, dhe me të shkuan njerëz trima, të cilëve Perëndia u kish prekur zemrën.
27 Por disa njerëz që nuk vlenin asgjë thanë: "Si mund të na shpëtojë ky njeri?". Kështu e përçmuan dhe nuk i bënë asnjë dhuratë. Por ai nuk tha asnjë fjalë.
11 Pastaj Amoniti Nahash shkoi të ngrejë kampin kundër Jabeshit të Galaadit. Atëherë tërë ata të Jabeshit i thanë Nahashit: "Lidh aleancë me ne dhe ne do të të shërbejmë".
2 Amoniti Nahash iu përgjegj kështu: "Unë do të bëj aleancë me ju me këtë kusht: t’ju nxjerr syrin e djathtë të gjithëve për të poshtëruar tërë Izraelin.
3 Pleqtë e Jabeshit i thanë: "Na jep shtatë ditë kohë që të dërgojmë lajmëtarë në tërë territorin e Izraelit; dhe në qoftë se nuk vjen asnjeri për të na shpëtuar, do të dorëzohemi në duart e tua".
4 Kështu lajmëtarët arritën në Gibeah të Saulit dhe i njoftuan këto fjalë para popullit; atëherë tërë populli ngriti zërin dhe qau.
5 Ndërkaq Sauli po kthehej nga fshati pas qeve të tij. Dhe Sauli tha: Çfarë ka populli që qan??". I njoftoi atëherë fjalët e njerëzve të Jabeshit.
6 Me të dëgjuar këto fjalë, Fryma e Perëndisë përfshiu Saulin, zemërimi i të cilit u rrit me të madhe.
7 Ai mori një pendë qesh, i preu qetë copë-copë dhe i dërgoi në të gjithë territorin e Izraelit me anë të lajmëtarëve, duke thënë: "Kështu do të trajtohen qetë, e atij që nuk do të ndjekë Saulin dhe Samuelin". Tmerri i Zotit zuri popullin dhe ai u ngrit si një njeri i vetëm.
8 Sauli i kaloi në revistë në Bezek, dhe ishin treqind mijë bij të Izraelit dhe tridhjetë mijë burra të Judës.
9 Pastaj u thanë lajmëtarëve që kishin ardhur: "Kështu do t’u thoni njerëzve të Jabeshit nga Galaadi: "Nesër, kur dielli të fillojë të ngrohë, do të çliroheni"". Lajmëtarët shkuan t’ua njoftojnë këtë njerëzve të Jabeshit, të cilët u gëzuan.
10 Atëherë njerëzit e Jabeshit u thanë Amonitëve: "Nesër do të vimë tek ju dhe do të bëni ç’të doni me ne".
11 Të nesërmen, Sauli e ndau popullin në tre grupe, të cilët hynë në mes të kampit armik para mëngjesit dhe i grinë Amonitët deri në zheg të ditës. Ata që shpëtuan u shpërndanë dhe nuk mbetën as dy veta bashkë.
12 Populli i tha atëherë Samuelit: "Kush ka thënë: "A duhet të mbretërojë Sauli mbi ne?". Na i jepni këta njerëz dhe ne do t’i vrasim".
13 Por Sauli u përgjegj: "Asnjeri nuk do të vritet në këtë ditë, sepse sot Zoti ka realizuar një çlirim të madh në Izrael".
14 Pastaj Samueli i tha popullit: "Ejani, shkojmë në Gilgal dhe aty ta përtërijmë mbretërinë".
15 Kështu tërë populli shkoi në Gilgal dhe aty përpara Zotit në Gilgal e caktuan Saulin mbret. Aty përpara Zotit ofruan flijime falenderimi; dhe po aty Sauli dhe tërë njerëzit e Izraelit u gëzuan shumë.
12 Atëherë Samueli i tha tërë Izraelit: "Ja, unë ju dëgjova për të gjitha ato që më thatë dhe vura një mbret mbi ju.
2 Dhe tani ja, mbreti që do të shkojë para jush. Unë tashmë jam plak dhe i thinjur, dhe bijtë e mij janë midis jush, unë kam ecur para jush qysh nga rinia ime deri më sot.
3 Ja ku jam, dëshmoni kundër meje përpara Zotit dhe përpara atij që është vajosur: Kujt i kam marrë kaun? Kujt i kam marrë gomarin? Kujt i kam ngrënë hakun? Cilin kam shtypur? Nga duart e kujt kam pranuar ndonjë dhuratë që më ka zënë sytë? Unë do t’jua kthej".
4 Ata iu përgjegjën: "Ti nuk na ke ngrënë hakun, nuk na ke shtypur dhe nuk ke marrë asgjë nga duart e askujt".
5 Ai u tha atyre: "Zoti është dëshmitar kundër jush dhe i vajosuri i tij është dëshmitar në këtë ditë, që nuk gjetët asgjë në duart e mia". Ata iu përgjegjën: "Po, ai është dëshmitar!".
6 Atëherë Samueli i tha popullit: "Éshtë Zoti që i vendosi Moisiun dhe Aaronin, dhe që i nxori etërit tuaj nga Egjipti.
7 Prandaj paraqituni që unë të kem mundësi para Zotit të vë në dukje bashkë me ju veprat e drejta që Zoti ka kryer për ju dhe për etërit tuaj.
8 Pas vajtjes së Jakobit në Egjipt dhe mbas thirrjeve të etërve tuaj drejtuar Zotit, Zoti dërgoi Moisiun dhe Aaronin që i nxorën etërit tuaj nga Egjipti dhe i bëri të banojnë në këtë vend.
9 Por ata e harruan Zotin, Perëndinë e tyre, dhe ai i shiti në duart e Siseras, komandantit të ushtrisë së Hatsorit, dhe në pushtetin e Filistejve dhe të mbretit të Moabit, të cilët u shpallën luftë atyre.
10 Atëherë i thirrën Zotit dhe i thanë: "Kemi mëkatuar, sepse kemi braktisur Zotin dhe u kemi shërbyer Baalëve dhe Ashtarothëve; por tani na çliro nga duart e armiqve tanë dhe ne do të të shërbejmë ty".
11 Dhe kështu Zoti dërgoi Jerubaalin, Bedanin, Jeftin dhe Samuelin, dhe ju çliroi nga duart e armiqve tuaj që ndodheshin rreth e rrotull, dhe ju jetuat në siguri.
12 Por kur patë që Nabashi, mbret i bijve të Amonit, filloi të lëvizë kundër jush, më thatë: "Jo, një mbret duhet të sundojë mbi ne," pikërisht kur Zoti, Perëndia juaj, ishte mbreti juaj.
13 Ky është, pra, mbreti që keni zgjedhur dhe keni kërkuar; ja, Zoti ka vënë një mbret mbi ju.
14 Në qoftë se keni frikë nga Zoti, i shërbeni dhe dëgjoni zërin e tij, dhe nuk ngrini krye kundër urdhërimeve të Zotit, atëherë ju dhe mbreti që mbretëron mbi ju do të ndiqni Zotin, Perëndinë tuaj.
15 Por në rast se nuk i bindeni zërit të Zotit dhe kundërshtoni urdhërimet e tij, atëherë dora e Zotit do të ngrihet kundër jush, ashtu si është ngritur kundër etërve tuaj.
16 Prandaj tani ndaluni dhe shikoni këtë gjë të madhe që Zoti do të bëjë para syve tuaj.
17 A nuk jemi vallë në kohën e korrjes së grurit? Unë do të kërkoj ndihmën e Zotit dhe ai do të dërgojë bubullima dhe shi; kështu do të kuptoni dhe do të shihni se e keqja që keni bërë duke kërkuar një mbret për ju, është e madhe në sytë e Zotit".
18 Atëherë Samueli kërkoi ndihmën e Zotit dhe ai dërgoi atë ditë bubullima dhe shi; dhe tërë populli pati një frikë të madhe nga Zoti dhe nga Samueli.
19 Pastaj tërë populli i tha Samuelit: "Lutju Zotit, Perëndisë tënd, për shërbëtorët e tu, që të mos vdesin, sepse tërë mëkateve tona u kemi shtuar të keqen e kërkimit të një mbreti për ne".
20 Samueli iu përgjegj popullit: "Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe, mos lini së ndjekuri Zotin, por shërbejini Zotit me të gjithë zemrën tuaj.
21 Mos u largoni për të ndjekur gjëra të kota, që nuk vlejnë as çlirojnë, sepse janë gjëra të kota.
22 Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e tij, për hir të tij të madh, sepse i pëlqeu Zotit t’ju bëjë popullin e vet.
23 Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mëkatoj kundër Zotit duke hequr dorë nga lutjet për ju; përkundrazi, do t’ju tregoj rrugën e mirë dhe të drejtë.
24 Vetëm kini frikë nga Zoti dhe i shërbeni besnikërisht me gjithë zemër; mbani parasysh gjërat e mëdha që ka bërë për ju.
25 Por në rast se vazhdoni të bëni të keqen, si ju ashtu dhe mbreti juaj do të flakeni tutje".